Deri në dhjetor të vitit të kaluar në Kosovë nga jashtë u investuan gjithsej 182 milionë euro, një rënie prej madje 32 për qind në raport me vitin paraprak.
Rënie e investimeve, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, është shënuar në sektorin e patundshmërive, në sektorin e ndërtimit dhe në sektorin e shërbimeve financiare.
Nga ana tjetër, deri në qershor të vitit 2016 kapitali më i madh i huaj është investuar nga Zvicra, Turqia, Shqipëria, Austria…, theksohet në një raport të Bankës Qendrore të Kosovës.
Edhe pse ende nuk ka statistika për investimet e huaja direkte për gjysmën e pare të vitit 2017, ajo që mund të vërehet se ato kryesisht janë inicitiave individuale për biznese të vogla dhe kryesisht në qendrat më të mëdha urbane. Një prej të huajve që lidhi fatin me Prishtinën, spanjolli Francisko para tri vjetësh ka hapur restorantin e tij në njërën nga rrugët më të frekuentuara në kryeqytet – atë e cila njihet si “Rruga e kafeve të vogla”.
Me profesion avokat, Francisko sot e posedon njërin nga restorantet më të njohura në Prishtinë. Thotë se shoqëria kishte ndikuar që të merrte pjesë në garën e gatimit “MasterChef Albania”. Menjëherë pas përfundimit të garave ai kishte vendosur ta hapë restorantin e tij të parë në Shqipëri, por shton se ideja e tij e parë ishte që ta hapte restorantin në Kosovë. Këtë e kishte arritur pas një viti.
“Vështirësi nga ana administrative nuk kam pasur aspak. Në Kosovë këto gjëra funksionojnë shumë mirë. Në Shqipëri është shumë rrëmujë, të paktën sa kam qenë unë atje”, thotë ai për KosovaLive.
Francisko thotë se fillimisht ka pasur probleme me fuqi punëtore, posaçërisht kuzhinierë. Si rrjedhojë e kësaj ai u detyrua të punësonte kuzhinierë nga Shqipëria.
Restoranti për momentin ka 7 punëtorë. Është krenar që në restorantin e tij përgatiten ushqime vetëm sipas recetave të tij origjinale. Megjithatë, ai vë re se në Kosovë mungon një shkollë profesionale e hotelierisë. Për këtë arsye edhe planifikon të hapë një shkollë profesionale të gatimit. Është i vetëdijshëm se është një investim i madh, për ç’arsye edhe pret ndihmë nga Qeveria e Kosovës.
“Hotelieria ka shumë rëndësi edhe në zhvillimin e turizmit, sepse është nga gjërat kryesore që turistëve u mbetet në mendje gjatë udhëtimeve të tyre.”
Ai pas tri vjetëve në Kosovë ka arritur ta hapë edhe biznesin e tij të dytë.
“Unë jam edhe importues i verës. Kam importuar mbi 10 mijë shishe verë spanjolle, të gjitha procedurat doganore kanë qenë shumë të shpejta dhe kanë kaluar shumë mire, nuk kam pasur asnjë lloj problemi”, pohon ai.
Francisko nuk është vetëm kuzhinier dhe biznesmen i mirë. Ai ka siguruar një klientelë të përhershme dhe është dashuruar me Kosovën. Për këtë arsye nuk e ka të vështirë që të lobojë në vendin e tij, Spanjë, për njohjen e Kosovës.
“Unë e kam promovuar shumë Kosovën. Kam dhënë disa intervista në gazeta e televizione shumë prestigjioze në Spanjë. Madje edhe kam pasur ankesa që ata nuk e kanë pranuar Kosovën si shtet. Fakti që Kosova është e pavarur është realitet i padiskutueshëm”, deklaron ai për KosovaLive.
Megjithatë, ai konsideron se në Kosovë duhet investuar shumë në edukim, sepse, siç thotë, “pa edukim nuk do të ketë as shëndetësi e as shërbime adekuate”.
Sa u përket investimeve të huaja, siç është ky restoranti i tij, konsideron se është një mundësi e mirë që qytetarët e Kosovës të njihen me kultura të tjera, ndërsa një kontribut i veçantë i jepet edhe zhvillimit ekonomik.
Francisko nuk është pronari i vetëm i një biznesi të vogël në Prishtinë.
Chelsea Charles, e la Teksasin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të jetuar në Kosovë. Ajo erdhi këtu gjashtë vjet më parë për të bërë një hulumtim për një organizatë Joqeveritare, por vetëm tre muaj më vonë u shpërngul këtu.
Ajo hapi biznesin e saj, hostelin me emrin “Buffalo Backpackers”.
Charles thotë që ishte shumë e entuziazmuar për të filluar biznesin e saj. Fillimisht vetëm i ndihmonte ndërkombëtarët si udhërrëfyese gjatë vizitave të tyre në Kosovë. Pas kësaj ajo mes punës në OJQ dhe turizmit, zgjodhi punën me turizëm, këtë që e bën edhe sot. Për të është më shumë se orar i plotë i punës, sepse kur udhëheq një biznes je e zënë rreth tij tërë kohën, por mendon se ia ka vlejtur ta ndihmojë këtë vend.
“Ishte e lehtë të filloja biznesin sa i përket përgatitjes së dokumenteve, por pas kësaj ka shumë sfida. Po ashtu të udhëheqësh e vetme një biznes të vogël do të thotë të mësosh gjëra të reja çdo ditë dhe të mos ndalesh kurrë”, thotë Chelsea.
Bizneset e vogla sjellin fitime të vogla, thote ajo the shton se kjo ka të bëjë më shumë me pasionin që ke për punën sesa paratë.
Ajo ka dy punëtorë, por ka vullnetarë që e ndihmojnë në gjëra të vogla. Për këto gjashtë vjet në hostelin e saj kanë qëndruar mysafirë gati nga e gjithë bota: Amerika Veriore, Europa, Azia e Ballkani.
“Unë planifikoj të jetoj në Kosovë. Jam në proces për ta marrë shtetësinë e Kosovës. Unë dua të bëj më shumë lidhur me hapjen e bizneseve të vogla, diçka që do ta ndihmonte ekonominë”, thotë ajo.
Një tjetër dëshirë e saj është që të bëhet zë i vajzave, që të gjitha ato që kanë ide dhe plane biznesi të fillojnë bizneset e tyre. Po ashtu ajo do që të lobojë më shumë për barazinë gjinore në vendin e punës.
“Unë jam vajzë që e dashuron Kosovën, ky shtet është prioriteti im në jetë”, thotë ajo.
Sipas Entit Statistikor të Kosovës, në raport me vitin 2015, kur janë hapur 46 ndërmarrje të vogla me pronarë ndërkombëtarë, në vitin 2016 është shënuar një rritje e lehtë e investimeve të huaja. Vitin e kaluar janë regjistruar 52 biznese të vogla, të cilat kanë pronarë ndërkombëtarë dhe 642 biznese me dy e më shumë pronarë, ku njëri nga ta është ndërkombëtar.
Shqipdona Ademaj