Build Skills with our trainings

Sign up now!

(Mos)koordinimi institucional = shterpësi në përballje me drogën

Mar 23, 2020

I.D, 23 vjeçar,  (emri i njohur për redaksinë), i cili për 10 vjet ka qenë përdorues i rregullt i substancave narkotike, sot thotë se ia “ka dalë” që të vetëshërohet. Edhe pse shokët i rekomandonin që të shkonte në ndonjë qendër për rehabilitim, e kishte vendosur që vetë ta fitonte betejën kundër drogës. Ndërsa vendimi që të shpërngulej në një qytet tjetër, në Prishtinë, që të “shpëtonte” nga kontaktet me dilerët, ishte një nga vendimet e tij kyçe. 

Me nostalgji rrëfen se shumë nga ëndrrat e tij djaloshare qenë shkatërruar, sepse siç e thekson, nuk kishte informacione të mjaftueshme rreth pasojave të përdorimit të drogës.  

“Kam pasur pasion futbollin dhe sportet e ndryshme, në shkollën fillore dhe të mesmen lënda e matematikës ka qenë e parapëlqyera ime”, kujton I.D.

Thotë se kontaktin e parë me “botën e drogës” e ka pasur si nxënës i klasës së gjashtë të shkollës fillore, duke mos dashur ta zbulojë nëse drogën e kishte blerë nga dilerë në afërsi të shkollës ose thjesht ia kishte ofruar ndonjë shok shkolle.  

“Në fillim kam konsumuar marihuanë me shoqëri… Pas 2-3 muajve kam filluar të jem përdorues i rregullt i marihuanës. Pas 3-4 vjetëve familjarët e mi e kanë kuptuar që jam duke përdorur drogë. Më paskam filluar të merrem edhe me trafikim dhe shitje të lëndëve narkotike”, tregon ai.

Edhe shumica e shokëve të tij, të cilët po ashtu kishin “filluar” me marihuanën , tashmë janë përdorues të drogave më të rënda. 

“Kanë fillluar të përdorin ‘Tramadol’… Është një lloj i drogës ose janë barna që mund t’i gjeshnë barnatoret e zakonshme. Mirëpo, shitja e tyre bëhet nën masat ku mbrohet privatësia e shitësve. Çmimi i tyre sillet nga 2-3 euro. Pas disa muajve të përdorimit ata detyrohen të kalojnë në shkallë të përdorimit të drogava më të rënda, si për shembull, heroin, kokain, methoksitamin. Heroina shitet nga 30 deri në 50 euro për një gram, ndërsa kokaina 70-100 euro për një gram”, spjegon I.D.

Safet Blakaj, drejtor në Qendrën për Këshillim dhe Trajtim të Varësisë – OJQ “Labyrinth”, thotë se mosha mesatare e përdoruesve të drogave është vazhdimisht e më e ulët.

“Referuar të dhënave tona dhe databazës tonë, mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave në Kosovë është 16,2 vjeç. Ka edhe raste më ekstreme prej 13 vjeç, dhe ato më ekstreme prej 12 e 9 vjeç. ”, thotë ai.

Kjo, sipas tij, tregon që ka zbrazëti të madhe në zbatimin e programeve të ndryshme parandaluese. Konsideron se ka lëshime edhe te reagimi institucional, përfshirë edhe patrullimet në perimetrin afër objekteve shkollore, duke shtuar se 88 ligjërata vetëdijësuese në shkollat fillore dhe të mesme, kryesisht në Prishtinë dhe Gjilan, janë të pamjaftueshme për t’i informuar nxënësit rreth pasojave të përdorimit të drogave. 

“Aspak nuk është e mjaftueshme të thuhet në shkollla ose të rinjve se droga vret, se droga është e rrezikshme. Duhet spjeguar qartë efektet e drogës, nuk e përkrah teorinë e frikësimit nga droga…. Të gjitha shkollat kanë droga, edhe ato fetare.Sido që të jetë, nuk ka qenë për mua shqetësuese se ka droga në shkolla, për mua ka qenë shqetësues reagimi institucional ndaj fenomenit. Nuk ka pasur reagim”, thotë Blakaj.

Sipas Zyrës për Informin të Policisë së Kosovës, në vitin 2019 ka patur 16,030 patrullime në zonën e sigurisë prej 350 metrash përreth shkollave. Sipas Policisë së Kosovës edhe gjatë vitit të kaluar shkollat në qendrat urbane prijnë për nga sasia e drogës së konfiskuar. Gjatë vitit të kaluar janë konfiskuar mbi 14 kilogramë e gjysmë marihuanë, të cilën dilerët e shisnin në afërsi të shkollave, në Prizren madje 12 kilogramë. Sasia më e paktë e kësaj droge është konfiskuar në Gjilan. 

                             Konfiskimet në shkolla/rreth tyre

pastedGraphic.png

Policia e Kosovës gjatë pesë vjetëve të fundit në afërsi të shkollave gjithandej Kosovës ka shënuar 196 raste të lidhura me drogën. Ka arrestuar 198 persona, 66 nxënës  (ose 33%) dhe  132 persona të tjerë  (77 %), të cilët nuk janë nxënës. Nga ky numër është vërtetuar se 49 persona kanë qenë dilerë, ndërsa gjithsej 149 sish përdorues droge. Është interesant fakti se nga ky numër i përdoruesve të drogës 3 për qind e përbëjnë persona të gjinisë femërore.

Një rast ekstrem e ka përjetuar dr. Samire Gashi Braina, shefe në Repartin e Sëmundjeve të Varësisë (RSV), i cili funksionon në kuadër të QKUK-së. 

“Në muajin dhjetor ka ardhur njëfëmijë 9 vjeçar, i cili pas përdorimit të heroinës ka kërkuar ndihmë për shkak të dhimbjeve trupore dhe krizave. Kam pasur telashe për ta trajtuar për shkak të aspektit profesional, sepse nuk kam pasur përvojë as nuk kam mundur të informohem si ta trajtoj. Gjendja e tij tash është shumë e mirë”, tregon ajo.

Gashi-Braina thotë se vetëm gjatë vitit të shkuar në RSV janë trajtuar rreth 122 pacientë, ndërsa këtë vit ky numër sillet rreth 30, duke shtuar se prej vitit 2015 asnjë investim nuk është bërë në këtë repart. Siç thekson ajo, mungon edhe kuadri profesional që do të ishte në nivelin e standardeve në regjion, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më kualitative për personat që kanë vendosur të shërohen.    

 “Kemi 3 dhoma, 6 shtretër, dy mjekë e një psikolog… në pritje për trajtim janë 4 pacientë, 2 me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thotë shefja e Repartit te Sëmundjeve te Varësisë, dr. Samire Gashi Braina. 

Vërejtje të ngjashme jep edhe Safet Blakaj. Thotë se për shkak të hapësirës së pamjaftueshme në Qendrën për Këshillim dhe Trajtim të Varësisë “Labyrinth”, trajtimet bëhen me disa orare. Kapaciteti maksimal është rreth 130 pacientë brenda javës, edhe pse në Kosovë, sipas të dhënave më të fundit, ka rreth 40,000 përdorues drogash. 

“Përdoruesit e drogave ne i ndajmë në dy kategori, përdoruesit problematikë të drogave… pra ata që e përdorin në mënyrë të rëndë, që kanë probleme të tjera shëndetësore dhe janë në konflikt me ligjin. Në këtë grup bëjnë pjesë rreth 7-8 mijë persona dhe 7.2% e këtyre janë femra, shumica e përdorin heroinën, 78% prej tyre për herë të parë kanë filluar të përdorin marihuanë. Ndërsa termi për grupin tjetër është përdoruesit e drogave”, thotë ai.

Kjo qendër për shërimin nga varësia nga drogat është themeluar në vitin 2004 dhe deri tani aty kanë kërkuar ndihmë 2,400 persona. Me rritjen e numrit të përdoruesve të drogave, kjo qendër ka vendosur që t’i hapë qendrat e saj edhe në Gjakovë dhe Gjilan. 

Në fillim ata i nënshtrohen intervistës verbale, ku diagnostifikohen saktë nëse kanë probleme me drogë dhe me cilat lloje. 

“Janë dy forma të intervistës pranuese, njëra është e orientuar psikologjikisht, një tjetër bëhet nëpërmjet vështrimit dhe vlerësimit të sjelljeve, ndërsa një formë tjetër është metoda biologjike, ku bëhen testet për përcaktimin e nivelit të drogës në organizëm”, thotë Blakaj.

Edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, është i brengosur për arsye se për çdo vit po rritet numri i përdoruesve të drogave. Thotë se është rritur numri i përdoruesve të kokainës dhe heroinës dhe se këto më nuk janë “droga të të pasurve”.

“Prej verës së kaluar kemi shumë problem me përdorimin e drogave në komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian në Fushë Kosovë dhe Plemetin, posaçërisht heroina”, thotë Jashari.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës sasia më e madhe e heroinit, madje 119 kilogramë, me vlerë prej rreth 6 milionë eurosh, është konfiskuar në vitin 2018, ndërsa vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti janë konfiskuar mbi 2 kilogramë të kësaj droge.  

                                                 Konfiskimi i drogës

pastedGraphic_1.png

Gëzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se numri i veprave penale që lidhen me substanca narkotike është shumë më i lartë së për veprat penale nga kategoritë e tjera.

Por, ky numër, në asnjë rrethanë nuk e nënkupton edhe luftimin efikas, efektiv dhe gjithëpërfshirës të kësaj dukurie.

“Kjo për arsye se nga profili i personave të akuzuar dhe dënuar, (kjo) kryesisht është hallka e fundit e këtij kriminaliteti. Pra, në këto raste akuzohen dhe dënohen kryesisht përdoruesit, dënime këto të cilat nuk ndikojnë në veprimtarinë e prodhuesve dhe shpërndarësve të nivelit të lartë. Mungesa e akuzave dhe dënimeve ndaj profilit të lartë të kësaj dukurie, përkatësisht prodhuesve dhe shpërndarësve bazë, paraqet një bashkëpunim pasiv të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë me këtë dukuri”, thotë Shala.

Shala thotë se pavarësisht numrit të madh të aktakuzave dhe dënimeve për këto raste, dukuria e kriminalitetit me narkotikë vazhdon të rritet, e që do duhej të ishte e kundërta nëse hetimet, gjykimet dhe dënimet do të zhvilloheshin në mënyrë efikase, efektive dhe gjithëpërfshirëse. 

                         Aksionet operative të Policisë së Kosovës

pastedGraphic_2.png

  Edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare sa persona janë dënuar për shitjen ose blerjen e substancave narkotike, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që pa autorizim blen ose posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë  mund të dënohet me gjobë me para ose me burg prej dy (2) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.

Në këtë kontekst, Avokati i Popullit Hilmi Jashari, ka kërkuar vitin e kaluar nga Këshilli Prokurorial që ta avancojë bazën e të dhënave lidhur me vendimet gjyqësore që kanë të bëjnë me veprat penale specifike. Kjo ka për qëllim që drejtësia të ketë të dhëna të ndëshkimeve në mënyrë që të shihet sa po arrin Sistemi Gjyqësor të përballet me këto fenomene.

Në anën tjetër, Kosova ende nuk e ka një qendër shtetërore për rehabilitimin e personave të varur nga substancat narkotike. 

Sipas Strategjisë Kombëtare kundër narkotikëve 2018-2022 parashihet ndarja e 200 mijë eurove për ndërtimin e një qendre rehabilituese, por Ministria e Shëndetësisë nuk e ka pasqyruar këtë aktivitet në projekt-buxhetin e vitit 2019.

Dr. Samire Gashi Braina thotë se ky projekt që ka mbetur vetëm në letër do ta zgjidhte përfundimisht problemin. Ajo nuk pajtohet me idenë që Instituti të ndërtohet brenda QKUK-së, për shkak se“brenda QKUK-së pacientët ndjehen të stigmatizuar nga të tjerët”.

Në një situatë të këtillë, kur numri i vartësve nga mjetet narkotike po rritet në mesin e të rinjve, ata prindër që kanë mundësi i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkolla private, në përpjekje që edhe në këtë mënyrë t’i mbrojnë nga trendet negative dhe kriminaliteti.

Ll.R, 15 vjeçar, vijon klasën 10 në Kolegjin privat, “Shkolla Turke HasanNahi”. Ai rrëfen se rregullat në këtë shkollë janë shumë rigoroze, por se ndjehet i sigurt.

“Asnjëherë as nuk kam dëgjuar, as nuk jam në dijeni se rreth objektit shkollor ka shitës të drogave ose janë gjetur substanca narkotike brenda shkollës. Telefonin mund ta përdorim prej orës 15:00 deri në orën 17:00. Nga shkolla dal tri herë në javë, të hënën 1 orë, të martën 2 orë, të enjten 2 orë”, thotë ai.

Në tetor të viit 2017 Qeveria Haradinaj ka lëshuar urdhëresën operative me të cilën obligohen të gjitha njësitë e Policisë së Kosovës që operojnë në terren, që një vëmendje të veçantë t’ia kushtojnë këtij problemi në shkolla dhe në afërsi të tyre. 

S’ka dyshim se për një sukses më të madh në luftën kundër drogave dhe abuzimit me to është i domosdoshëm një koordinim më i mirë i institucioneve përgjegjëse dhe kompetente dhe shoqërisë civile, natyrisht duke përfshirë edhe prindërit.  

Liridon Llozani – KosovaLive

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM