Build Skills with our trainings

Sign up now!

Filloristët s’janë gjithaq të vetëdijshëm për rreziqet e internetit

Dhj 9, 2019

Merita, nëna e nxënësit 13 vjeçar, thotë se tash vonë atij i ka blerë telefon, ndonëse nuk e lejon që ta marrë në shkollë. Ajo njëherësh është e vetëdijshme se përdorimi i pakontrolluar i internetit mund t’a ekspozojë fëmiun e saj para rreziqeve të ndryshme.

“Mundohem që fëmijët e mi t’i këshilloj që mos të përdorin telefonin apo internetin në masë të madhe. Edhe kur janë në shtëpi përdorimin e tij e kanë të limituar”, thotë ajo e bindur se prindërit duhet t’iu kushtojnë kujdes maksimal përkujdesjes për fëmijët dhe të vërejnë çdo ndryshim të mundshëm në sjellje.

Në anën tjetër, Shkurta, nëna e Aulonit 14 vjeçar, shprehet se djali i saj përdorë shumë telefonin dhe laptopin dhe pranon se shpeshherë nuk mund ta kontrollojë.

“Kohëve të fundit djali im ka filluar të përdorë internetin në masë të madhe dhe me rezultatet e mësimeve tashmë nuk jam fare e kënaqur”, thotë Shkurta, e cila tregon se djalit të saj i kishte blerë telefon qysh kur ishte 10 vjeç.

Sipas një ankete jopretencioze të KosovaLive me prindërit, fëmijët e të cilëve ndjekin mësimet në shkollë fillore, 67.6% u kishin blerë telefonë në moshën 8-9 vjeçare; 83,8% e prindërve të anketuar pohojnë se e njohin shoqërinë e fëmijëve të tyre, zakonisht përmes rrjeteve sociale.

Nga kjo anketë me 300 nxënës, po ashtu del se 97,5 % kanë të paktën një mjet teknologjik në shtëpi e 73.3% e tyre nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet nga përdorimi i internetit.

Gentriti, nxënës i klasës së 8 në shkollën fillore “Elena Gjika” në Prishtinë, kalon kohë të konsiderueshme të ditës në rrjete sociale, në Youtube ose me lojëra të ndryshme, dhe “prania online” është bërë pjesë e pandashme e jetës.

“Unë kthehem nga shkolla në orën 14:00, pjesën tjetër të ditës jam i lirë dhe kaloj kohën në internet”, thotë ai i bindur se interneti nuk ndikon negativisht te ai.

Ibadete Maliqi, psikologe e shkollës fillore “Shaban Shala”, njerës nga shkollat e Podujevës ku është kryer anketimi, është e vetëdijshme se përdorimi i tejzgjatur i internetit po bëhet faktor në zhvillimin e gjithmbarshëm të fëmijëve.

“Përdorimi në rritje i internetit bën që të shfaqen ndjenja të shqetësimit, depresionit, nervozizmit, humbje të marëdhënieve sociale, rënie në performancën akademike etj”, thotë ajo.

Për numër të konsiderueshëm të nxënësve të shpërqendruar gjatë orëve të mësimit flet edhe arsimtarja e shkollës fillore “Zenel Hajdini” në fshatin Lupç të Poshtëm të Podujevës, Shyhrete Retkoceri.

“Sigurisht që përdorimi i tepërt i internetit deri në orët e vona të natës ndikon në aktivitetin e nxënësve në klasë”, thotë Retkoceri dhe shton se përkundër faktit se përdorimi i telefonit gjatë orës së mësimit nuk është i lejuar, nxënësit këtë shpesh nuk e respektojnë.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, vitin e kaluar miratoi vendimin për ndalimin e përdorimit të telefonit gjatë orëve të mësimit nga mësimdhënësit dhe nxënësit me qëllim të mbarëvajtjes së procesit mësimor në shkolla dhe ngritjes së cilësisë në arsim.

Naser Pireva, drejtor i shkollës “Zenel Hajdini”, thotë se në rast të mosrespektimit të rregullave për përdorimin e telefonit të mençur në këtë shkollë ndërmerren masa.

“Kemi pasur raste kur pas vërejtjeve nga arsimtari ia kemi marrë nxënësit telefonin dhe e kemi mbajtur në drejtori deri në momentin kur ka ardhur prindi i tij në shkollë”.

Pireva thotë se ngacmimet në rrjete sociale mes nxënësve shpesh krijojnë problem brenda në shkollë e në njërin nga rastet kishte ndërhyrë edhe policia.

Psikoterapisti Yll Avdijaj nga Shoqata e Psikoterapistëve të Kosovës, thotë se fëmijët nuk janë në gjendje të kuptojnë plotësisht efektet që mund të sjellë një varësi, në këtë rast, interneti.

“Ka shumë raste kur prindërit vijnë në Qendër Për Psikoterapi Pozitive të këshillohen, për shkak të përdorimit të tepërt të internetit nga fëmijët e tyre. Është shumë i rëndësishëm kontakti i prindërve me fëmijët e tyre, të krijojnë ura lidhëse të marrëdhëniës me fëmiun”, shpjegon ai dhe shton se çdo aktivitet ku prindërit mund t’i angazhojnë fëmijët e tyre jashtë internetit, do të ishte i mirëseardhur.

Benjamin Kolenović, menaxher i marketingut digjital në “Hallakate”, agjenci kjo e cila ofron shërbime të specializuara për krijimin, zhvillimin dhe menaxhimin e prezencës së përdoruesve në media sociale, rrëfen se Kosova është vendi me më së shumti rini aktive në internet, jo vetëm në rajon, por edhe në gjithë Evropën.

Sipas një hulumtimi nga korriku i këtij viti, të “Statista”, një portal online me seli në Hamburg të Gjermanisë e që bashkëpunon me 22.500 partnerë të besueshëm, nga 7 miliardë banorë në gjithë botën, 4.78 miliardë janë përdorues të rregullt të internetit, ndërkaq 40% prej tyre janë fëmijë.

Vlerësohet se në Europë, që ka rreth 741 milionë banorë, rreth 20 milionë fëmijë të grupmoshës 13-18 vjeç janë përdorues të rrjeteve sociale.

“Në Kosovë, 65.000 fëmijë nga mosha 13-18 vjeçarë janë përdorues të Facebook-ut dhe 59.000 (prej tyre) përdorues edhe të Instagramit. Marrë në total rreth 72.000 përdorues të rrjeteve sociale”, thotë Kolenović i “Hallakate”.

Fiona Shehu, bashkëthemeluese e Akademisë J-Cooders, një institucion që ofron trajnime për nxënësit e moshave 8-18 vjeç në fushën e teknologjisë, thotë se gjatë trajnimeve të rinjve përpiqen t’ ua mësojnë të mirat që mund të sjellë përdorimi i internetit, por edhe kujdesin që duhet ta kenë gjatë përdorimit të tij.

“Në akadaminë tonë, veç tjerash, nxënësit i mësojmë se çfarë informacionesh nuk duhet t’i ndajmë me të tjerët, si t’i dallojnë resurset, a janë kredibile apo jo, si të krijojnë password-e të llogarive të tyre që të mos jenë lehtë të hakueshme”, thotë Shehu dhe shton se poashtu përpiqen t’i bindin nxënësit të mos ngurojnë të flasin me prindërit e tyre kur përballen me ndonjë problem të gjeneruar gjatë përdorimit të internetit.

Interneti konsiderohet një nga zbulimet më të mëdha të shekullit XX, por sot paraqet edhe shqetësim, sidomos kur mungojnë mekanizmat e mbrojtjes nga rreziqet me të cilat mund të përballen gjatë përdorimit të tij. Natyra e pakufishme, e pakufizuar në kërkimin dhe marrjen e informacioneve dhe gati e pamundur për t’u kontrolluar, po sjellë dy anët e medaljes të internetit.

Aktualisht në Kosovë nuk ekziston ndonjë aplikacion vendor që do të ofronte ndihmë për kontrollin prindëror gjatë aktivitetit të fëmijëve të tyre në internet. Por, ata në dispozicion kanë aplikacione të tjera, ndonëse në gjuhën angleze, si Parental Control, Family Link, Smart Limits etj,, që mund të shkarkohen falas për IOS në App store ose Android në Play store. Mbase barriera e gjuhës është edhe arsye që 78.4% e prindërve të anketuar nga KosovaLive nuk ishin të informuar për këto aplikacione.

Edhe pse Kosova është ndër shtetet më të varfëra në Evropë, përdorimi i mjeteve teknologjike sidomos telefonave të mençur te rinia vazhdon të jetë një trend në rritje.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2017, 88.8% e familjeve në Kosovë kanë qasje në internet në shtëpi nga çfarëdo lloj pajisjeje. çdo i pesti individ në Kosovë deklaron se ka përdorur internetin për qëllime private ose zyrtare.

Elvira Agushi

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM