Nga të dhënat e Entit për Punësim në komunën e Klinës, si institucion ndërmjetësues pohojnë se brenda vitit në komunë bëhen diku rreth 300 deri në 350 kërkesa pune, kurse janë ndërmjetësuar dhe kanë gjetur punë 122 persona.
Të rinjtë e komunës së Klinës janë skeptikë kur bëhet fjalë për gjetje pune apo për avancime të mëtutjeshme profesionale.
Arbër Përgjokaj, 26 vjeçar i cili jeton dhe punon në Klinë, përveç faktit që vijon studimet master në Ndërmarrësi dhe Zhvillim Ekonomik Lokal, pohon se mundësitë e avancimit në karrierë në Klinë janë të pakëta.
Përgjokaj shtoi se arsye e qëndrimit në Klinë është vetëm familja, kurse arsye që të largohet nga Klina janë më të shumëta duke filluar nga mosavancimi në punë.
Mirëpo përsëri shpreson se gjendja do të normalizohej po të bëhëshin disa intervenime:
“Mendoj që Klina ka nevojë për një udhëheqje më të mirë. Arsimi duhet të jetë me kualitativ, të ketë investime në sport, të hapet ndonjë fabrikë që të rinjtë të kenë mundësi punësimi, komuna të jetë në përkrahjen e të rinjëve si dhe personave të diplomuar t’u sigurohet një vend pune.”
Ndrec Zefaj që vijon studimet master në degën Ekonomomiks njëkohësisht edhe punon në Agjensionin për Financimin e Kosovës (AFK) në Klinë, po ashtu shpreh shqetësim për numrin e vogël të të rinjëve që janë në marrëdhënie pune dhe faktin se si shumë të rinjë të kësaj komune bredhin rrugëve pa pasur mundësi punësimi.
Arsyeja pse do të largohej ndonjëherë nga Klina do të ishte avancimi në karrierë.
“Nuk shoh mundësi të mëdha në avancimin tim në komunën ku jetoj, kjo për arsyen se kjo komunë nuk ofron mundësi të mëdha për avancim.”
Sipas tij, Komuna e Klinës, para se gjithash duhet ta ketë primare rininë, sepse shumë prej tyre në pamundësi të gjejnë një punë po migrojnë jashtë dhe kjo është mjaft shqetësuese.
“Duhet të formohet një sektor i veçantë që do të mirrej vetëm me rininë, të evidentojë gjitha problemet dhe hallet me të cilat përballet ajo”, shtoi Zefaj.
Ndërsa Vlorë Krasniqi, 23 vjeçare e cila jeton në Prishtinë për arsye të studimeve dhe të punës, pohon se në Klinë mundesitë e punësimit janë të pakta por edhe ata persona që janë në marrëdhënie pune nuk kanë mundësi avancimi në karrierë.
“Nuk do të kisha qëndruar për një periudhë të gjatë në Klinë sepse e ndiej veten që nuk jam në hap me rrjedhën dhe zhvillimet e reja në të gjitha sferat e jetës.”
Ajo konsideron se sikur në këtë komunë të kishtë ndonjë fabrikë në të cilën do të punësoheshin shumë të rinjë apo edhe organizata bashkëpunuese me ndërkombëtarët, të rinjëve do t’ju ofronin më shumë mundësi.
“Për të jetuar në një vend nuk të mjafton vetëm dashuria për atë vend, por duhen edhe të ofrohen së paku kushtet për një jetë normale”, thotë Krasniqi.
Mirëpo jo edhe 19 vjeçarja, Nita Berisha mendon njësoj. Sipas kësaj studenteje të vitit të II-të në Fakultetin e Edukimit, në komunën e Klinës ka mjaft mundësi punësimi sidomos për studentët që studiojnë në këtë drejtim “sepse nevoja për arsimimim është e përhershme”.
“Dëshira ime është të jetoj dhe të punoj në Klinë, afër familjes dhe shoqërisë time. E vetmja gjë që mund të më shtynte drejt largimit tim do të ishte mosgjetja e një vendi të sigurtë të punës”, shtoi ajo.
Adeline Gjergji