Build Skills with our trainings

Sign up now!

Dhuna ndaj grave s’është më “çështje private brenda familjes”

Dhj 10, 2019

Rasti i Zejnepe Berishës nga Theranda, të cilën e vrau bashkëshorti në vitin 2014, me 20 therje me thikë me ç’rast e plagosi edhe të bijën, e cila ishte përpjekur ta ndihmonte të ëmën, ka mbetur i ngulitur në kujtesën e qytetarëve të Kosovës.

Jo vetëm për shkak të punës së ngadalshme dhe në disa raste trajtimi përciptë kryesisht nga gjyqësori, të cilët në vendimet e para kishin shqiptuar dënime minimale ose aktgjykime liruese, që më vonë janë ndryshuar. E gjithë kjo është reflektuar edhe në humbjen e besimit në institucionet e drejtësisë.

E ndjera Zejnepe Berisha e kishte informuar policinë disa herë për kërcënimet dhe sjelljen e dhunshme të bashkëshortit të saj, Nebiut.  Fehmije Gashi Bytyqi, avokate në këtë kontest gjyqësor, thotë se përkundër kësaj, ajo nuk ishte marrë në mbrojtje.

Kjo avokate ishte angazhuar nga organizata joqeveritare “Rrjeti i Grave të Kosovës”, pasi që Gjykata Themelore në Prizren të akuzuarit ia kishte shqiptuar ndëshkimin minimal për vrasjen e rëndë, meqë, sipas saj me ndihmën e ekspertizave psikiatrike ishte përpjekur që veten ta paraqiste si një person me probleme mendore dhe ngecje në zhvillim.

“Nga Gjykata Themelore në Prizren është dënuar me 12 vjet burg dhe pasi që ka kaluar shkalla e parë ka ardhë lënda në Gjykatën e Apelit. Atëherë Rrjeti i Grave të Kosovës më ka angazhuar mua… Kam bërë ankesë bashkë me prokurorin dhe në bazë të ankesës tonë për të cilën natyrisht kemi kërkuar të rritet dënimi, iu ka rritë dënimi plus pesë vite, do të thotë 17″, thotë Bytyqi.

Pesë vjet nga një rast tjetër, ai i vrasjes së Donjetë Pajazitaj, ende nuk është shqiptuar një dënim fuqiplotë për të dyshuarin, Naser Pajazitaj, kushëriri i saj. Fillimisht Gjykata Themelore në Pejë kishte marrë vendim për pafajësinë e tij, por pas rigjykimit, ishte shqiptuar ndëshkimi më i rëndë që e parasheh Kodi Penal i Kosovës, që është në fuqi nga viti 2013 – burgimi i përjetshëm.

Gjykata Supreme e Kosovës më 2.12.2019 e kishte kthyer në rigjykim këtë rast, duke konstatuar se të dy aktgjykimet e mëparshme ishin përcjellë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, për shkak të mosarsyetimit të refuzimit të propozimeve të bëra nga mbrojtësi i të pandehurit. Gjykata Supreme i prishi të dy aktgjykimet me burg të përjetshëm atë të Gjykatës Themelore në Pejë dhe atë të Gjykatës së Apelit. Kështu, pesë vite nga vrasja e Donjetës, as pas pesë vendimeve të gjykatave, ende nuk është dhënë verdikti përfundimtar.

Me rastin e 25 nëntorit – Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe fillimit të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit”, Jan Braathu, shefi i  OSBE-së në Kosovë paraqiti rezultatet e “Anketës mbi Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave në Kosovë”.

Disa nga faktet e prezantuara, sikur ai se vetëm nga janari i këtij viti deri më tani janë vrarë gjashtë gra, katër nga to prej bashkëshortëve të tyre, janë shqetësuese. Në dhjetë vitet e fundit në Kosovë janë vrarë 34 gra dhe vajza nga burrat, baballarët apo djemtë e tyre.

“Në dhjetëvjetëshin e fundit është rritur numri i grave, të cilat janë vrarë nga bashkëshortët e tyre. Shumë nëna po ashtu pësojnë dhunë nga bijtë e tyre. Kjo është një çështje ose problem që i përfshinë të gjithë në familje“, ka thënë shefi i OSBE-së.

Sipas këtij hulumtimi, vetëm 2% e grave lajmërojnë në polici dhe institucionet sociale format më serioze të dhunës, përfshirë dhunimin, ndërsa vetëm 35% e grave të anketura konsiderojnë se janë të mirë informuara lidhur me atë se çfarë duhet të bëjnë nëse përjetojnë dhunë. Shumica e të anketuarave nuk e dinë se ekzistojnë shërbime të specializuara dhe thonë se as që e mendojnë t’u drejtohen këtyre shërbimeve pas ndonjë rasti të dhunës, por se më parë do të kërkonin ndihmën e familjes dhe të miqve.

Në “Anketën mbi Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave në Kosovë” po ashtu theksohet se gati gjysma e të anketuarave (48%) besojnë se dhuna në familje është një çështje private që duhet të mbetet brenda familjes.

Disa nga faktorët që e pengojnë kërkimin e mbështetjes, sipas këtij hulumtimi, janë edhe pranimi i dhunës si diçka normale, mosbesimi i përgjithshëm se sistemi dhe akterët e tij do t’i mbrojnë nëse kërkojnë mbështetje, si dhe mungesa e mbështetjes financiare dhe për banim afatgjatë, që e bën braktisjen e partnerit të dhunshëm jopraktike, të kotë dhe potencialisht të rrezikshme.

Shefja e Zyrës së Bashkimi Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila ishte e pranishme në prezentimin e këtij hulumtimi të OSBE-së, si një problem të veçantë e ka theksuar mosbesimin e viktimave tek institucionet.

“Shumë gra nuk u besojnë institucioneve përgjegjëse, siç janë policia, sistemi i drejtësisë ose sektori social dhe shëndetësor. Viktimat duhet të ndjehen të sigurta që të mund të flasin. Për këtë arsye duhet investuar më shumë në resurset humane, e posaçërisht mjete financiare, për t’u krijuar një sistem i mbrojtjes së plotë të viktimave“, ka deklaruar Apostolova.

Naim Qelaj, koordinatori nacional i Kosovës në luftën kundër dhunës në familje, thotë se vetëm gjatë vitit  2019 janë paraqitur mbi 1,700 raste të dhunës në familje.

“Gati dy të tretat e grave të anketuara apo 64 % thonë se dhuna ndaj grave ndodh në Kosovë shpesh dhe më se gjysma e grave apo 54 % të grave deklarohen se kanë përjetuar dhunë nga partneri intim dhe atë kryesisht dhunë psikologjike, porse 9 % e grave kanë raportuar se kanë përjetuar po ashtu edhe dhunë fizike”, ka thënë Qelaj.

Sipas një ankete jopretencioze të KosovaLive, 55.6 %  nga 142 të anketuarve e konsiderojnë gjendjen ekonomike si një ndër faktorët që shtyn në vrasjen e grave/vajzave, ndërsa 57.5 % e tyre e shohin mungesën e komunikimit si një ndër faktorët kryesorë.

Sociologu Ferdi Kamberi, studiues dhe botues i disa librave ku trajton edhe dukurinë e dhunës thotë se motoja e shoqërisë duhet të jetë ndërmarrja e masave preventive për dhunën në familje, e  cila po çon drejt vrasjeve të tilla, në të kundërtën do të kemi një gjeneratë të dhunshme e cila do të sjellë pasoja të paparashikueshme.

“… Forma më e vrazhdë dhe më ekstreme e dhunës është vrasja e cila ndaj grave në Kosovë është manifestuar dukshëm edhe si rezultat i disa faktorëve: mendësisë patriarkale e cila është trashëguar dhe bartur nga e kaluara deri më tani, dhuna në familje dhe tolerimi i saj, numri i lartë i armëve në duart e qytetarëve, afekti, xhelozia, kriza e vlerave, problemet bashkëshortore, traumat që personat kanë trashëguar në fëmijëri, stresi post-tramautik, etj.”,  thekson Kamberi për KosovaLive.

Sipas tij, shpërfaqja e rasteve të dhunës në familje me një mesatare prej 1,000 rastesh brenda vitit, pa dyshim se është shqetësuese dhe njëherit paraqet një kërcënim serioz edhe për sigurinë e përgjithshme nacionale. Një gjë e tillë rezulton edhe me rritjen e vrasjes së grave, që sipas tij është një indikator se shoqëria kosovare ka qenë mjaft tolerante ndaj dhunës dhe “si rezultat i kësaj kemi këtë numër kaq të lartë të grave të cilat janë vrarë”.

Kamberi konsideron se për parandalimin e vrasjeve ku viktima janë gratë, fillimisht duhet që sot, në një periudhë të individualizmit të theksuar, të ketë një komunikim brenda përbrenda familjes si agjens i parë i socializimit. Ai thekson edhe nevojën për një zbatim më rigoroz të legjislacionit në fuqi dhe që strehimoret të ofrojnë strehim për viktimat e dhunës për një periudhë më të gjatë se sa vetëm 3, 6 muaj apo 1 vit.

Sipas tij, duhet funksionalizuar edhe linjat telefonike të ndihmës pa pagesë në gjuhët zyrtare të Kosovës dhe që mediat të jenë të kujdesshme se si lansojnë lajmet mbi dhunën dhe vrasjet në familje, që mos të jenë të ekspozuara ose në ballinat e gazetave/mediave. Ai njëherësh thekson nevojën e një vetëdijësimi më të madh për këtë fenomen në shoqëri, duke përfshirë fushata të ndryshme, ligjërata në shkolla, takime në vendbanime të ndryshme, por edhe një bashkëpunim më të madh të qytetarëve dhe shoqërisë me mekanizmat institucional.

Institucionet e Kosovës, të cilat janë përgjegjëse për jetën e qytetarëve, sipas Kamberit kanë një rol tepër të rëndësishëm dhe obligimin që edhe në praktikë ta zbatojnë  “Strategjinë Kombëtare të Republikës së Kosovës për mbrojtje nga dhuna në familje 2016–2020”.

“…Trajtimi me prioritet i të gjitha rasteve të dhunës në familje para se të ndodhë më e keqja, sigurimi i qasjes në shërbime të integruara cilësore, garantimi i drejtësisë dhe përgjegjësisë për personat e dëmtuar, sigurimi i rehabilitimit dhe ri-integrimit të viktimave/mbijetuarve të dhunës në familje, si dhe rritja e vetëdijësimit në mbarë shoqërinë për t’i thënë NDAL dhunës (dhe vrasjeve) në familje, janë pjesë edhe të Strategjisë për mbrojtje nga dhuna në familje”, thekson Kamberi.

Sipas Adelina Berishës nga Rrjeti i Grave të Kosovës, edhe Kosova ka filluar ta zbatojë Konventën e Stambollit me futjen e saj në Kodin Penal, përmes avokimit të organizatave të grave dhe duke krijuar linjë buxhetore për ndërtimin e strehimoreve për gratë e prekura nga dhuna.

Edhe rekomandimet e dala nga “Anketa mbi Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave në Kosovë” janë kryesisht të fokusuara në miratimin dhe zbatimin e legjislacionit që ka parasysh ndjeshmërinë gjinore, përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive dhe nevojën për trajnime adekuate, përmirësim të shërbimeve të specializuara dhe përkrahje për gratë, si dhe edukim, shpërndarje të informatave dhe ndërgjegjësim.

Policia e Kosovës pohon se me punën e saj ka arritur të ngrisin nivelin e vetëdijësimit për raportim të dhunës ndaj grave.

“Në këtë drejtim në polici janë ngritur departamente dhe sektorë të veçantë me profesionistë të trajnuar për t’i ofruar viktimave të dhunës në familje shërbime adekuate, mbrojtje dhe siguri. Policia e Kosovës si zbatuese e ligjit është e angazhuar që dhuna në familje të trajtohet me një seriozitet dhe profesionalizëm të lartë”, thuhet në një përgjigje nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Vlora Nushi, nga organizata UN Women, konsideron se edhe pse institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmërinë për t’u ballafaquar me dhunën në familje, duhet trimëruar viktimat që ta paraqesin dhunën.

“Duhet t’i mësojmë bijtë tanë, burrat, që t’i respektojnë gratë, vajzat. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndikojmë në ato marrëdhënie patriarkale në shtëpi, të tregojmë se dhuna në familje është një krim, vepër kriminale dhe jo vetëm një dukuri shoqërore e papranueshme“, ka thënë Nushi.

Edhe sipas anketës jopretencioze të KosovaLive mbi gjysma e respodentëve janë të mendimit se vrasja e grave dhe e vajzave mund të parandalohet nëse ato janë të vetëdijësuara për mënyrat e mbrojtjes.

Liridon Llozani

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM