Build Skills with our trainings

Sign up now!

Në kërkim të përfaqësimit më të drejtë, gratë shprehen kundër kuotës 30%

Qer 26, 2017

Edhe pse nuk ka ndonjë dallim të madh në baza gjinore sa i përket numrit të votuesve në Kosovë, rezultatet e zgjedhjeve përgjithësisht tregojnë se gratë më shumë votojnë për meshkujt deputetë sesa për gratë deputete.

Në zgjedhjet e vitit 2013, grate përbënin 51% të votuesve, ndërsa në vitin 2014, 36% të atyre që dolën në zgjedhje, sipas një raporti mbi pjesëmarrjen e grave në politikë, të përgatitur nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), nga vitit 2015.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ende nuk ka dalë me informata përfundimtare për numrin e votuesve në baza gjinore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura në qershor të këtij viti.

Në një anketë të shkurtër e jopretencioze të realizuar nga KosovaLive me 100 vajza të moshës 18-30 vjeçare, doli se 87% e tyre kishin votuar në zgjedhjet e fundit.

Në pyetjen se a janë të kënaqura me kuotën 30%, që u takon me kornizën ligjore grave deputete, ato janë përgjigjur negativisht. Sipas njërës prej të anketuarave, kuota ndikon keq në imazhin e grave pasi që, siç thotë ajo, aludon që gratë nuk mund të arrijnë vetë postin.

Ndërsa, numri i madh i grave aktive në politikë, avancimi i barazisë gjinore dhe zgjedhja sipas parimit të meritokracisë, janë disa nga arsyet tjera që japin të anketuarat për pakënaqësinë e përfaqësimit të grave në parlament.

Studentja, Diana Kastrati, votuese në zgjedhjet e fundit, konsideron se në parlament duhet të ketë barazi gjinore dhe se “minimumi i numrit të grave në Kuvend duhet të jetë 50:50”, ndërkohë që aktualisht gratë përbëjnë vetëm 1/3 nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

“Deputetet, në vendin tonë, janë të arsimuara, të kualifikuara dhe punojnë për të drejtat tona. Mirëpo mendoj se të gjithë deputetët, të dy gjinive, duhet të punojnë dhe të realizojnë premtimet që u kanë dhënë qytetarëve në zgjedhje”, thotë Kastrati.

Edhe organizata Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), ka bërë thirrje që të votohen kandidatet gra në zgjedhjet e parakohshme, meqë janë shumë pak të përfaqësuara në politikë dhe në vendimmarrje në nivel kombëtar, komunal dhe partiak.

Sipas Ligjit për Barazi Gjinore nr. 05/L-020, është obligim i yni si qytetarë, që të zgjedhim sa më shumë gra në parlament, duke pasur parasysh që subjektet politike dhe Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) kanë dështuar në zbatimin e këtij Ligji”, shkruhet në  komunikatë.

Në raportin e NDI-së, thuhet se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në rritjen e numrit të grave në udhëheqjen politike.

Edhe pse numri i grave në pozicione drejtuese ekzekutive mbetet i ulët, prania e grave me ndikim në një pjesë të vogël të pozitave kyçe është duke e ndryshuar qëndrimin publik në lidhje me gratë dhe është duke e krijuar momentin për rritjen e lidershipit të grave në të ardhmen”, thuhet në raport.

Bazuar në raportin e Institutit Kombëtar Demokratik, numri i femrave deputete në vitin 2001 ishte 34, në vitin 2004 – 36, 2007 – 37, 2010 – 40, ndërsa në vitin 2014 – 39. Pas certifikimit të rezultateve nga KQZ, do të bëhet më qartë nëse numri i deputetëve në zgjedhjet e fundit është rritur apo stagnuar.

Qëndresa Hajdari, menaxhere e projekteve në Organizatën Joqeveritare, “Gruaja Hyjnore”, në Gjilan thotë se kjo OJQ ka qenë aktive në përkrahjen e femrave deputete në këtë qytet.

Në krahasim me zgjedhjet e kaluara, këtë herë (zgjedhjet 2017) është dëgjuar fuqishëm zëri i grave për deputete në komunën e Gjilanit si dhe janë përkrahur shumë nga femrat e tjera, gjë që shihet edhe në rritje të numrit të femrave deputete nga kjo komunë”, thotë ajo.

Aktualisht Kuvendin në këtë komunë e përbëjnë 22 meshkuj dhe 13 femra, ndërkohë që Gjilani ka edhe kryetare të parlamentit.

Ajo që është vërejtur në zgjedhjet e fundit është se përveç femrave, edhe meshkujt kësaj here kanë qenë përkrahës të deputeteve.

Valmir Shkodra po ashtu konsideron se gratë duhet të jenë në një numër më të madh në kuvend.

Në këto zgjedhje që përfunduan, ka pasur gra shumë të mira që meritojnë të na përfaqësojnë në kuvend. Atyre duhet t’u jepet mundësia për të qeverisur”, shton ai.

Të dhënat e nxjerra nga anketa e shkurtër e KosovaLive, tregojnë se 65% e të anketuarave mendojnë se institucionet nuk po i përmbahen barazisë në dhënien e posteve politike.

Gjithashtu 47% prej tyre konsiderojnë se mentaliteti ndikon në mendimin e shumicës se gratë nuk mund të qeverisin më mirë se meshkujt, ndërsa si faktor tjetër e shohin edhe arsimimin, egonë e gjinisë së kundërt dhe mungesën e vetëbesimit.

Linda Gashi, drejtoreshë e programeve në OJQ-në “Germin”, thotë se kuota është e domosdoshme për ta afruar zërin e gruas në legjislacion.

“Unë nuk jam idhtare e kuotës gjinore sepse mendoj se kuota e limiton meritokracinë që kanë disa vajza dhe gra në politikë, mirëpo prapë e kuptoj shumë mirë që nëse nuk do të kishim kuotën gjinore, parlamenti ynë do të ishte i mbushur me burra”, thotë ajo.

Gashi shton se vajzat dhe gratë kanë shprehur interesim për çështjet politike në vend, mirëpo siç thotë ajo, pak vajza dhe gra janë të përfshira në strukturat udhëheqëse të partive politike.

Ligji Nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, neni 6, pika 8, thekson se “përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej 50% për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”.

Në raportin “Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje në Kosovë”, të realizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj), thuhet se ligji për barazi gjinore nuk zbatohet as nga institucionet qendrore dhe as nga ato lokale në Kosovë.

“Përfaqësimi i grave në vitin 2016 në Qeveri si tërësi, d.m.th. ministritë dhe Zyrën e Kryeministrit është vetëm 40.6%. Në anën tjetër, komunat e Kosovës kishin vetëm 28% gra nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në vitin 2015. Vetëm 5.2% të pozitave drejtuese në Qeveri në vitin 2015 drejtoheshin nga gratë, përderisa në komuna kjo përqindje ishte 10.1% (14 komuna nuk kanë pasur asnjë grua në pozitë drejtuese)”, shkruan në raport.

Arbresha Berisha

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM