Në konkurset për punë në komunën e Gjilanit i jepet përparësi më shumë gjinisë femrore.
“Në Drejtorinë Komunale të Arsimit, punësimet e muajve të fundit tregojnë se 70% e të punësuarve janë femra dhe 30% meshkuj. Gjithashtu edhe në administratën komunale – shërbim civil, në kushte të barabarta i është dhënë përparësi më tepër femrave’’, thotë Lindita Salihu, zyrtare për Barazi Gjinore në Gjilan Salihu.
Në Komunën e Gjilanit nga 90,178 qytetarë, 50.29% janë meshkuj dhe 49.71% femra.
Sipas vlerësimeve të bëra në janar të këtij viti nga Komuna e Gjilanit, numri i të punësuarve në instituicionet publike të ndara sipas gjinisë është 1,334 meshkuj dhe 1,055 femra. Nuk ka të dhëna të sakta se sa persona janë të punësuar në sektorin privat në vitet e fundit. Por sipas të dhënave të komunës, në vitin 2012 nga 8,699 të punësuar, vetëm 2,078 ishin femra.
Agim Zuzaku, drejtor për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, thotë se komuna është duke punuar për fuqizimin ekonomik të grave.
“Një ndër objektivat e strategjisë se zhvillimit socio-ekonomik është fuqizimi i grave ndërmarrëse. Deri tani ne kemi krijuar rrjetin joformal të grave. Qëllimi i këtij rrjeti është avokimi në institucionet lokale apo qendrore apo avokimi për problemet me të cilat ballafaqohen gratë në biznes duke filluar nga zbatimi i masave afirmative të cilat masa janë të obliguara me ligjin për barazi gjinore dmth shpesh herë nuk zbatohen nëpër institucione qoftë publike qoftë lokale”, thekson ai.
Sipas Zuzakut faza e dytë e strategjisë se këtij projekti është gjetja e granteve dhe donatorëve për financimin e bizneseve ku janë pronare gratë.
“Shpeshherë kjo keqkuptohet apo shfrytëzohet nga burrat për shkak të përparësive të grave qoftë në biznes qoftë gratë që merren me bujqësi, p.sh te grantet e bujqësisë ku si kriter, apo ka më shumë poena që të jetë pronare grua”, shton ai.
Numri i bizneseve te regjistruara nga femrat në Qendrën për Regjistrim të Bizneseve gjatë vitit 2016 ishte 101.
Qëndresa Hajdari, menaxhere e projekteve në Organizatën Joqeveritare (OJQ) ‘’Gruaja Hyjnore’’ në Gjilan, e cila merret me avancimin e barazisë gjinore, thotë se është rritur numri i grave ndërmarrëse në këtë komunë, mirëpo sipas saj ende ka nevojë për më shumë punë në këtë drejtim.
“Qysh nga themelimi (viti 2012) ne si OJQ kemi punuar shumë me femra të moshave 15-50 vjeçe. Deri më tani kemi arritur t’i vetëdijësojmë femrat e reja dhe ato më në moshë për probleme shëndetësore, parandalimin e tyre, të drejtat e tyre në pronë dhe trashëgimi, fuqizimi i femrave përmes trajnimeve të rrobaqepësisë, punëdorës, trajnimeve për punësim dhe të tjera aktivitete’’, thekson ajo.
Sipas Hajdarit interesimi më i madh i femrave në moshë është për qepje dhe punime dore. Femrat në moshë më të re dhe të cilat kanë të përfunduar studimet, janë më shumë të interesuara për biznes dhe punë në sektorin publik.
Gentiana Ajvazi, pronare e Sallonit të Ondulimit “Genta”, thotë se për të ka qenë e vështirë të jetë pronare e këtij biznesi por se asaj nuk i ka munguar suksesi.
“Me këtë profesion merrem që 13 vite. Çdo punë që e bëjmë ka vështirësitë e veta, mirëpo diçka që e don dhe nuk i dorëzohesh suksesi nuk mungon. Për mua ka qenë e vështirë njëkohësisht dhe kënaqësi pasi që e dua këtë profesion’’, thotë ajo.
Gentiana jo vetëm se po realizon ëndrrën e saj por po ndihmon edhe femra të tjera që e pëlqejnë këtë profesion.
“Çdo herë ju kam ofruar secilës mundësinë e aftësimit tek salloni im dhe vazhdoj të trajnoj grupe akoma pasi që secila prej nesh duhet të gjejë veten në atë që e do’’, thekson ajo.
Sipas raportit të vitit 2016 të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në nivel të Kosovës për gratë për vitin 2014 ishte 41.6% kundrejt 33.1% të burrave përderisa në vitin 2015 për gratë ishte 36.6% dhe burra 31.8%.
Arbresha Berisha