Build Skills with our trainings

Sign up now!

Fundi i kokëçarjeve me lumin Mirusha: Ndotësi së shpejti shndërrohet në shesh

Maj 24, 2017

Qe gati njëzet vjet gjilanasit po përballen me problemet e kundërmimit dhe vërshimeve që janë pasojë e mosrregullimit të lumit Mirusha, ndërkohë që ka disa indicie se ky problem ka të ngjarë të përmbyllet me mbulimin e tij dhe ndërtimin e një sheshi mbi të.

Rina Ismaili, e cila banon afër lumit Mirusha, bashkë me familjen e saj, thotë se ai shpesh kundërmon erë të keqe.

‘’Lumi Mirusha po brengos shumë qytetarët e Gjilanit, pasi që ai po shkakton epidemi dhe sëmundje të ndryshme nga papastërtia. Qytetarët gjatë stinës së verës nuk mund të shfrytëzojnë ambientin e jashtëm apo oborret për shkak të aromës së keqe. Ne si qytetarë të Gjilanit si plan të parë, apo dëshirë të parë kemi mbulimin me gypa të duhur dhe filterizimin e lumit’’, thekson Ismaili.

Bislim Bislimi, drejtor i Klinikës së Biokimisë Mjekësore në Prishtinë thotë se ujërat e zeza dhe mbeturinat kanë efekte të dëmshme dhe personat më të atakuar, sipas tij janë banorët që jetojnë në atë zonë.

‘’Ndikimet direkte përfshijnë kontaktin e banorëve me ato ujëra gjatë lëvizjes rreth tyre dhe potencialisht bartjen e infeksioneve, irritimin dhe infektimin e organeve të frymëmarrjes. Ndikimet indirekte përfshijnë bartjen e bakterieve dhe viruseve të ndryshme nga ato ujëra te njeriu përmes vektoreve të ndryshëm që janë shtazët. Këtu përfshihen qentë endacak, minjtë, mizat, mushkonjat dhe insektet tjera.  Kjo ndotje mund të eskalojë deri në epidemi’’, thotë Bislimi.

Ujërat e ndotura e të pakontrolluara përveç ndikimit te njerëzit dhe shtazët, sipas tij kanë efekt edhe te bimët dhe ndotja e tokës.

‘’Këto ujëra depërtojnë thellë në tokë dhe ndotin ujërat nëntokësore që jo rrallë përdoren për pije, pastrim e ujitje’’, thekson ai.

Sipas raportit të fundit për Gjendjen e Mjedisit në Kosovë, vetëm në vitin 2015 janë raportuar 137.591 raste të sëmundjeve infektive.

Merlina Beu Muçaj, drejtore e Organizatës Joqeveritare Green Art Center, thotë se kjo organizatë është fokusuar në rritjen e vetëdijes qytetare për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit në tërësi dhe nisjen e sistemit të ndarjes së mbetjeve të riciklueshme kryesisht në institucionet publike.

‘’Duke qenë të fokusuar kryesisht në edukimin e hershëm të gjeneratave të reja këtë vit, në muajin mars (i shpalluar edhe si muaji i ujit) përfaqësuses të 10 shkollave gjilanase kanë marrë pjesë në analiza laboratorike të mostrave të ndryshme ujore për qytetin e Gjilanit për t’i edukuar rreth impaktit të ndotjes ujore në shëndetin publik. Ndërkohë, në institucionet qendrore bëjmë presion të vazhdueshëm për harmonizimin e veprimeve në nivel qendror dhe lokal me qëllim përmirësimin e kushteve mjedisore në vend’’, thekson ajo.

Naser Korça, drejtor për Shërbime Publike, Infrastrukturë dhe Banim në Komunën e Gjilanit, është  i vetëdijshëm për rrezikun që shkaktojnë ujërat e zeza në natyrë dhe tek qytetarët.

Çdo ndotje e ambientit është e rrezikshme për shëndetin jo vetëm të banorëve që jetojnë përreth atyre hapësirave, por edhe më gjerë. Edhe në këto raste rrezikshmëria ka qenë e lartë dhe nga ky fakt ne jemi duke bërë të pamundurën për rregullimin e këtij shtrati si dhe të kollektorëve kryesor të ujërave fekal përgjatë lumit Mirusha. Ne kemi bërë ankesë por edhe kemi filluar vitin e kaluar mbulimin e shtratit të lumit, ndërsa para pak ditësh kemi dërguar edhe kërkesën për fillimin e procedurave tenderuese për rregullimin e platosë mbi lumin Mirusha’’, thekson Korça.

Banorët që jetojnë përreth lumit Mirusha përveç rrezikut nga ndotja e ambientit shumë herë janë përballur edhe me vërshime. Shumëkush konsideron se për këtë duhet fajësuar mosrregullimin adekuat të shtratit të lumit, që jorrallë di të vërshojë e të dëmtojë shumë shtëpi.

Në raportin vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë, të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për vitin 2016, thuhet se ndotja e ujërave shpeshherë shkaktohet edhe nga vërshimet që si pasojë mund të përkeqësojnë cilësinë e ujërave, kontaminimin e puseve që furnizojnë banoret e viseve rurale me ujë të pijshëm dhe vështirësi në sistemin e përpunimit dhe furnizimit me ujë të pijshëm.

Ndërkohë që mungojnë të dhënat rreth shkallës së ndotjes evidente të lumit Mirusha, Agim Zuzaku, drejtor i Zhvillimit Ekonomik në Gjilan, deklaron se zgjidhja e këtij problemi sivjet ka hyrë në programin e Bankës Austriake ‘’Soft Loan’’, dhe se janë planifikuar mjete të mjaftueshme, ndonëse nuk specifikohet sa, për ta rregulluar atë.

‘’Deri në fund të vitit 2016, me buxhetin e komunës është mbuluar (lumi) nga qendra deri në rrugën Metush Krasniqi. Mirëpo, pasi që lumi Mirusha nga fillimi i vitit 2017 është futur në programin e ‘Soft Loan’ (kredi e butë) nga Banka Austriake dhe tani jemi në pritje që kjo kredi të alokohet dhe të fillojnë punimet. Kanë mbetur edhe disa procedura ndërmjet Ministrisë së Financave të Kosovës dhe Ministrisë së Financave të Austrisë, që shpresojmë shumë shpejtë të mbarojnë’’, thekson ai.

Sipas Zuzakut ka përfunduar hartimi i projektit për sheshin i cili do të ndërtohet mbi lumin Mirusha dhe se deri në fund të muajit do të përfundojnë procedurat për të shpallur tenderin.

Arbresha Berisha


PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM