Ministri në detyrë, Selim Selimi, së bashku me kryesuesin e KGjK-së, Skender Çoçaj dhe kryesuesin e KPK-së, Bahri Hyseni, sot kanë prezantuar Projekt-Strategjinë për Sundimin e Ligjit, që buron nga procesi i Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.
Me këtë rast, ministri në detyrë Selimi tha se Projekt- Strategjia, përmban katër objektiva strategjike.
“ Sot kemi përpiluar planin pesë vjeçar të ndryshimit pozitiv në sistemin e drejtësisë, pra kemi finalizuar Strategjinë që del nga Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit. Kjo Strategjia përmban katër objektiva: fuqizimi i gjyqësorit dhe prokurorisë, fuqizimi i drejtësisë penale, fuqizimi i qasjes në drejtësi, dhe fuqizimi i luftës anti-korrupsion”, tha Selimi.
Sipas tij, përmes kësaj Strategjie shpalosen hapat që duhet të ndërmarrin institucionet për të vendosur sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.
Kjo Strategji sipas Selimit, është nisma më serioze që Kosova e ka ndërmarrë drejtë avancimit të sundimit të ligjit, dhe për këtë proces falënderoi bashkëpunëtorët nga Ambasada Amerikane, Ambasada Britanike, UNDP,USAID, Unioni Evropian si dhe përfaqësuesit kyç të institucioneve të drejtësisë në vend.
Ndërsa kryesuesi i KGjK-së, Skender Çoçaj tha se ky proces arrin të adresoj një numër të konsiderueshëm të çështjeve që ballafaqohet sistemi gjyqësor në Kosovë.
“Për ne është shumë e rëndësishme që kjo strategji, t’i përfshijë objektivat afatmesme dhe afatgjate për sistemin gjyqësor si dhe për tërë sistemin e drejtësisë”, tha Çoçaj.
Edhe kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni e vlerësoi lartë punën për finalizimin e Projekt Strategjisë dhe njëkohësisht falënderoi ministrin në detyrë z. Selimi për bashkëpunim dhe angazhim në këtë proces.
“ Z. Ministër keni bërë një punë jashtëzakonisht të mirë me stafin tuaj sepse po i ofroni Kosovës, sistemit të drejtësisë dhe në përgjithësi institucioneve të sundimit të rendit dhe ligjit, një dokument i cili do të jetë një bazament i fuqishëm për të ndryshuar, plotësuar dhe avancuar shtetin ligjor”, tha Hyseni.
Donikë Qerimi, e cila është eksperte e jashtme ligjore tha se kjo Strategji është produkt i një procesi të gjatë dhe të detajuar që është zhvilluar në tri faza.
“ Në fazën e parë u bënë disa analiza paraprake të cilat identifikuan çështjet kryesore të cilat duhej të analizoheshin më tej. Më pas, në fazën e dytë, u analizuan këto probleme në katër kapituj dhe u prodhuan gjithsej 16 dokumente të politikave, me ekspertizë të jashtme e vendore që u mundësua nga partnerët tanë”, tregoi Qerimi.
Projekt Strategjia për Sundimin e Ligjit, do të dal në konsultime publike në platformë online, ku të gjithë palët e interesuara kanë të drejtë të shprehin komentet e tyre.