Shukri Buja ish-kryetar i Komunës së Lipjanit, është dënuar me një vit burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, me ndalim të ushtrimit të funksionit në administratën publike ose shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy vjetësh, këtë e ka bërë të ditur Gjykata e Apelit.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 18.09.2020, është ndryshuar. I akuzuari Shukri Buja është gjetur fajtor vetëm për një vepër penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga neni 422 par. 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës(KPRK), pika.1.4 e aktgjykimit, për çka Gjykata e Apelit e ka dënuar më burgim në kohëzgjatje prej 1( një) viti, dhe dënim plotësues ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve. Dënimi plotësues do të fillon të ekzekutohet pas përfundimit të mbajtjes së dënimit me burgim.
Për veprat penale nga pikat I, I.1, I.2, I.3, I.4 dhe III të pjesës dënuese ndaj të akuzuarve Sh.B. , H.G. dhe B.R. lidhur me veprën penale nga pika I e pjesës liruese ndaj të akuzuarës M.S., aktakuza është refuzuar, për shkak të kalimit të afatit të parashkrimit të ndjekjes penale. Ndërsa pjesa që ka të bëjë më pikën II të pjesës dënuese (Pika II.4 e aktakuzës), ndaj të akuzuarve H.V. dhe E.R., aktgjykimi është prishur dhe lënda i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje. Në pjesët tjera aktgjykimi ka ngelur i pa ndryshuar.