Build Skills with our trainings

Sign up now!

Një përrockë pasqyron qasjen tonë ndaj ujërave të zeza

Maj 27, 2019

Fuat Vehapi, jeton në në lagjen Emshir në Prishtinë, në pjesën e pambuluar të lumit ‘Prishtevka’ tash 10 vite dhe përgjatë gjithë këtyre viteve nuk ka rreshtur së ankuari për kundërmimin e padurueshëm të ujërave të zeza.

 “Këto ujërat e zeza po na krijojnë shumë, shumë probleme të mëdha sepse kundërmojnë erë të keqe e sidomos në mbrëmje kur zbrazen prej spitalit ato depotë e tyre të ujërave të zeza. Po kemi problem shumë të madh se shëndeti i banorëve është në pyetje”, shprehet Vehapi.

Shqetësimet e njëjta, sikur edhe të gjithë banorët e kësaj lagjeje të Prishtinës, i ka edhe 72 vjeçarja, Fatime Ahmeti. Për të, gjendja është e papranueshme.

…kur kalojmë këndej pari duhet ta mbyllim gojën, hundën e krejt. Normalisht që na pengon, ne disa herë kemi bërë apel për këtë gjë, por si duket komuna ka hasur në vesh të shurdhër dhe nuk ka ndërmarrë asgjë deri më tani”, thotë Ahmeti.

Ky lum i vogël që dikur përshkonte tërë Prishtinën, tani ka mbetur vetëm një përrockë e ndotur, vende-vende e mbuluar me ndërtime. .

Alban Slivova, pronar i “Epoka elektroteknik”, që gjendet në afërsi të përrockës, në pjesën e pambuluar të lumit “Prishtevka” të kësaj lagjeje, nuk e fsheh zemërimin.

Derën hapur të dyqanit mund ta lësh vetëm atëherë kur është moti kështu si sot me erë, përndryshe jo. Asnjëherë nuk je rehat dhe nëse e lë derën hapur, është rrezik për banorët dhe për ne që jemi këtu me punë, se mund të marrim ndonjë epidemi dhe jemi të shqetësuar për këtë”, thotë ai.

Në mesin e rrjedhës së ujit të lumit gjendet një numër i madh mbeturinash që i kanë hedhur banorët e lagjes përreth. Një gjendje e ngjashme me mbeturina mund të shihet tek secili lum në Kosovë. Tek përrocka e lagjes Emshir, mund të shohësh edhe orendi të hedhura në mes të ujit, e banorët për këtë gjendje fajësojnë kompanitë e pastrimit.

Po orenditë janë lënë aty… Unë jam tatimpagues i rregullt, por kompania ‘Pastrimi’ ka përgjegjësi pse nuk i largon ato. E mua nuk më interesojnë arsyet. Po këtu tek ne mentaliteti është kështu. Njerëzit janë shumë të papërgjegjshëm, nuk janë aspak të kujdesshëm”, shprehet Slivova.

Tre vite më parë Komuna e Prishtinës kishte nisur ndërtimin e kolektorit për grumbullimin e ujërave të zeza në këtë lagje: punimet nuk kanë përfunduar dhe kolektori ende nuk është funksional.

Kanë filluar që të bëhen punimet për kolektorin ashtu siç edhe po shihet, tani kanë filluar po merren më intenzivisht me punë. Po besoj që do të bëjnë diçka përndryshe kjo është një gjendje shumë e keqe”, thotë Slivova.

Banorët mendojnë se edhe vendosja e kolektorit nuk do të zgjidh kryeproblemin e kësaj lagjeje. Për këtë arsye ata konsiderojnë se mbulimi i tërësishëm i lumit mund të jetë një “shpëtim” afatgjatë, edhe për ta edhe për komunën.

Edhe nëse punohet mirë kolektori, është mirë që të mbulohet edhe ky lum, sepse ai prapë nuk do të mbahet i pastër”, shprehet Slivova.

Mbulimin e sipërfaqes së hapur të lumit “Prishtevka” e mbështet edhe qytetari tjetër i kësaj lagjeje, Fuat Vehapi.

Ne më mirë nuk kemi, nëse mbulohet lumi është në rregull, ne jemi aktualisht në ‘flakë’. Këtu nuk ka ujë të burimit, e gjitha çka vjen janë ujërat e zeza dhe jemi pro mbulimit të lumit edhe nëse pastrohen ujërat normal, sepse nuk po jetohet kështu. E hapur nuk duhet të jetë kurrsesi kjo pjesë. Edhe nëse pastrohet, çfarë kulture e çfarë ndërgjegje kemi ne kjo bëhet edhe më katastrofë’, shprehet Vehapi.

Prishtina deri në vitet e ‘70-ta kishte dy lumenj të vegjël. Ndërkohë, ata ishin futur në gypa dhe ishin mbuluar, më së shpeshti me ndërtimet që janë bërë mbi to.

70 vjeçarja Fatime Ahmeti cila jeton ne Lagjën Emshir, i kujton ato kohë dhe për KosovaLive thotë se disa herë e kishte ngritur zërin kundër mbulimit të lumenjve të qytetit me asfalt.

Kjo pjesë e lumit nuk bën që të mbulohet. Uji i lumit duhet të rrjedhë, duhet të pastrohet shtrati, nuk duhet të lejohet që të derdhen ujërat e zeza.  Prishtina ka nevojë për këto pjesë të mbetura, si kjo lloj përrocke që e kemi këtu. Kjo e freskon (qytetin) gjatë verës edhe ajrin.”, thotë Ahmeti duke u angazhuar për mosmbulimin dhe futjen nëpër kanale të përrockës.

Sipas ligjit për ujërat e Kosovës, përveç me leje ujore, ndalohet shkarkimi i masës nga hedhurinat e lëngëta industriale, bujqësore dhe ujërave të ndotura urbane si dhe vajrave të përdorura në kanalizim, në sistemin për kullim, në trupat ujor sipërfaqësor dhe nëntokësor, në brigjet buzë lumit dhe tokave të lagëta.

Po ashtu ky Ligj ndalon hudhjen e substancave dhe mbeturinave të ngurta, të lëngëta dhe të gazëta të cilat për shkak të vetive fizike, kimike dhe biologjike, rrezikojnë shëndetin e njerëzve, cilësinë e ujërave sipërfaqësorë dhe nëntokësorë, florën dhe faunën ujore, vështirësojnë rrjedhjen e ujërave, rrezikojnë objektet dhe pajisjet ujore.

Rreth mbajtjes së pastërtisë së lumenjve, sidomos kur është fjala për ujërat e zeza nuk përgjigjen në Drejtorinë e Shërbimeve Publike të komunës së Prishtinës dhe orientojnë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me arsyetimin se ata i kanë informatat më të sakta.

Në Kosovë trajtohen vetëm 5% e ujërave të zeza.

I pakënaqur me këtë gjendje shprehet edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi. Ministria që e drejton sivjet ka paraparë buxhetin prej rreth 9 milionë euro për rregullimin e shtretërve të lumenjve, trajtimin dhe pastrimin e tyre.

“…është evidente që edhe vitin e kaluar edhe këtë vit kemi një fokusim më të madh dhe një përkushtim më të madh të Ministrisë përsa i përket çështjes së ujërave në përgjithësi, e ku pjesë shumë e rëndësishme janë shtretërit e lumenjve. Ne e kemi orientuar një pjesë të madhe të investimeve në rregullim të shtretërve të lumenjve, po ashtu edhe në rregullim të rrjeteve të kanalizimeve sidomos nëpër zonat përreth ujërave dhe kemi filluar me hapa konkretë të ndërtimit të fabrikave apo impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, të cilat kanë munguar dhe vazhdojnë t’i mungojnë vendit tonë”, shprehet Matoshi.

Në Kosovë aktualisht janë funksional vetëm tre impiantë për trajtimin e ujërave të zeza. Nga impiantët e mëdhenj i vetmi është funksional në Kosovë është ai në Skënderaj, ndërsa dy të tjerët janë më të vegjël si ai në liqenin e Badovcit dhe në Kramovik të Rahovecit.

 “Shumica prej ujërave të zeza derdhen nëpër lumenj. Por, proceset për ndërtimin e impianteve nuk janë procese që mund të kryhen brenda një muaji apo gjashtë muajve. Duhet të kuptohet një gjë që trajtimi i ujërave të zeza është temë e re në Republikën e Kosovës. Është shumë mirë që tashmë kemi filluar dhe kemi hyrë në këtë proces dhe, normalisht që kërkohet pak durim dhe pak kohë derisa këto projekte të jetësohen dhe të arrijmë që t’i kemi këto impiante funksionale”, thotë Matoshi.

Ministri i Mjedisit, Matoshi mendon se propozimet e qytetarëve për mbulimin e sipërfaqes të ujit, në këtë kontekst edhe lumenjve, nuk është “ideja më fatlume”.

Unë nuk mund të them tash ‘po’ për hatër të dikujt ose ‘jo’ për hatër të dikujt tjetër. Mendoj që duhet të bëhet një studim aty, që të shihet nëse ka mundësi që të pastrohen ato ujëra, cila është mundësia që t’i ruajmë ato ujëra dhe nëse ekziston ndonjë mundësi që të mos mbulohen ato ujëra do të ishtë zgjidhja më e mirë, do të ishte idealja. Nëse nuk ka ndonjë mundësi tjetër atëherë mbetet tek ekspertët që të vendosin se çfarë të bëjnë”, shprehet Matoshi duke shtuar se, në parim, nuk është për mbulimin e ujërave.

Ekologia Ferdije Zhushi-Etemi shprehet e shqetësuar me gjendjen e përgjithshme të ujërave në Kosovë.

Jam dëshmitare e degradimit të ekosistemeve ujore që po iu bëhen, sidomos ujërave sipërfaqësore. Pra janë lumenjtë, liqejtë nëpër të cilat shohim grumbuj të mëdhenj mbeturinash si plastika, që janë kontaminues shumë të mëdhenj dhe qëndrojnë kohë të gjatë aty se janë të pazbërthyeshme. Pastaj kemi mbetjet e ndryshme, kemi ndotjen me metale, kemi ndotje të madhe prej ndotjes bujqësore që vie si rezultat i përdorimit të pesticideve, të cilat konsiderohen se janë shumë të rrezikshme”, thotë Zushi Etemi.

Ajo paralajmëron  pasoja shumë të rënda në shëndetin e qytetarëve dhe shkatërrimin e biodiversitetit.

Shkaktarët e çrregullimit të shtratit së pari janë ndëhyrjet në ndryshimin e shtratit natyror dhe çdo modifikim nenkupton degradimin. Uji duhet te rrjedh nëpër shtratin e vet, nëpër dhe, gurë, zhavor –  keshtu edhe vet bëhet vetpastrimi. Në këtë mënyrë edhe gjallesat që në këtë strukturë e kane habitatin e vet, çdo ndërhyrje e pengon zhvillimin e jetesës se këtyre mikrorganizmave”, tregon Zhushi.

VJOSA ÇERKINI me Merita Azemi, Diana Basholli, Qliresa Hasani

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM