Qysh në hyrje të lagjes, krijohej përshtypja se aty kishte ndonjë tubim, rrugët ishin të mbushura përplot me njerëz të cilët bisedonin ose punonin diçka, me fëmijë të cilët të vetmin preokupim e kishin lojën e tyre.
“Ah, veq juve ju bjen virusi, neve gabelve s’na bjen a?”, na tha njëri prej fëmijëve aty kur na pa me maska e doreza. E maskat dhe dorezat për këtë komunitet ishin luks, pasi halli më i madh i tyre ishte se si të mos vdesin urie e si të mbijetohet edhe një ditë.
Menjëherë pas rasteve të para pozitive në COVID-19, Qeveria e Kosovës, kishte ndërmarrë masat e para preventive për të parandaluar përhapjen e këtij virusi, duke bërë thirrje për kujdes të shtuar.
Thirrje për kujdes të shtuar, me hashtagun “rri në shtëpi”, “laj duart”, “vendose maskën”, “mbaj distancën”, bombarduan rrjetet sociale që nga marsi i këtij viti.
E derisa larja e duarve dhe higjiena në përgjithësi u konsiderua si faktor kyç në parandalimin e përhapjes së këtij infeksioni, mungesa e ujit të pastër ishte problem kryesor i shumë njerëzve, e është fakt i pamohueshëm, se më të atakuarit nga kjo janë pjesëtarët e komunitetit rom, pasi kanë problem me qasjen në ujë të pijshëm.
“Nuk kena ujë të pijshëm, uji ndalet shpesh ditën, uji nuk pihet, krejt me zall e gurë është uji”, thotë Bedrie Kurtiqi, banore e lagjes së romëve në Fushë Kosovë.
Edhe një tjetër banore e kësaj lagje, Fatimja, thotë se uji iu ndalet ditën për shumë orë.
“…po uji i ujësjellësit na ndalet shpesh ditën, me orë të tëra nuk kemi ujë, por fatmirësisht ne e kemi bunarin (pus uji) se përndryshe e kishim pasur shumë të vështirë me mbajt pastërtinë”, thotë Fatimja, nënë e katër fëmijëve.
Ekspertët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) kanë konstatur se pa pasur qasje në ujë të pijshëm popullsia e prekur, virusi korona nuk do të zhduket.
Mungesa e qasjes në shërbime shëndetësore, por edhe mënyra dhe rrethanat në të cilat ata jetojnë, janë gjithashtu një faktor tjetër që rrit probabilitetin e infektimit të këtij komuniteti me virusin COVID-19.
Edhe pse Karta e të drejtave të pacientëve, atyre u garanton qasje në shërbimet shëndetësore pa ndonjë lloj diskriminimi me qëllim të parandalimit të sëmundjeve, megjithatë në përditshmërinë tonë kemi qenë ose kemi dëgjuar të tjerë të kenë qenë dëshmitar të një trajtimi jo të mirë nga personeli shëndetësorë, ndërsa për trajtim jonjerëzor në raste të shumta kemi dëgjuar ose lexuar të ankohen edhe personat nga minoriteti rom. Mirëpo, personat të cilët i intervistuam ne, thanë se kanë qasje në shërbimet shëndetësore në Qendrën Mjekësore të Mjeksisë Familjare (QKMF) në Fushë Kosovë dhe se stafi aty i pranojnë.
Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve tha për KosovaLive se nuk kanë pranuar ndonjë ankesë në lidhje me ofrimin e shërbimeve shëndetësore nga persona të komunitetit rom, ashkali, egjiptianë. Por, fakti që nuk kanë pranuar ankesa, nuk nënkupton se nuk u shkelen këto të drejta, por mund të jetë si rezultat i mungesës së informacionit se ku të drejtohen.
“Nuk kemi pranuar ankesa të tilla, shkak për këtë mund të jetë edhe mungesa e informacioneve rreth të drejtave të tyre në kujdesin shëndetësor. Por roli ynë është që ti informojmë dhe ti trajtojmë ankesat e tyre nëse ata kanë, por deri më tani nuk kemi pranuar të tilla ankesa”, thotë Kodra.
Sabria, mbi të gjashtëdhjetat, jeton e vetme në lagjen e romëve në Bresje. Asaj mezi i del zëri derisa mundohet të shpjegojë se si po i del gjatë pandemisë. Derisa kollitja ia vështirësonte frymëmarrjen, ajo tha se nuk ka me çfarë të shkojë të kontrollohet tek QKMF-ja në Fushë Kosovë. Për shkak të distancës së largët nuk mund të shkonte duke ecur atje sepse kishte edhe dhembje në këmbë, por as të shkonte me taksi nuk e përballonte dot pasi jeton vetëm më një pension invalidor dhe ndihmat që i jep dikush.
“Më mbyti kolli, po nuk kam qenë tek mjeku… nuk kam pare për kerr e s’po mundem me ec deri atje. Ku t’i marr paratë? S’kam para as për bukë, se lëre më ta paguaj taksinë”, thotë Sabria.
Por, kryedoktori në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, Mustafë Gashi, thotë se gjatë kohës së pandemisë kanë kryer dhe vazhdojnë të kryejnë vizita mjekësore nëpër shtëpi tek komuniteti rom. Vizita kontrolluese nëpër shtëpi, thonë të kryejnë edhe të intervistuarit tjerë nëpër komuat e Kosovës.
Bedrija, që ka arritur të 50-tat, hallin më të vogël e ka frikën nga virusi COVID-19. E diagnostifikuar me sëmundjen e reumës 12 vite më parë, duke na treguar tabletën e fundit që i kishte mbetur, tregon se me shumë vështirësi i siguron barërat për këtë sëmundje pasi burri dhe fëmijët punojnë në rrugë, duke kërkuar për kanaqe nëpër kontejnerë.
“Unë e kam reumën, me shumë vështirësi po eci në mëngjes, barnat po kushtojnë, me çka me i ble barnat për stip (reumë)? Burri edhe djali lypin nëpër kontejnerë, lypin lemenka (kanaqe), menxi po i fitojnë pak pare sa me ble diçka ushqim. Qe… një shishe vaj na e ka dhënë një kojshi këtu afër, ky i shitores na ndihmon nganjëherë”, nxiton të tregojë Bedrija, duke u frikësuar se po harron pa përmendur diçka.
Bedrije Kurtiqi, banore e lagjes së romëve në Fushë Kosovë, thotë se kanë qasje në shërbimet shëndetësore në QKMF-në e kësaj komune, por se kjo QKMF është shumë larg për të shkuar në këmbë, ndërsa taksi sipas saj është lluks që s’mund t’ia ofrojnë vetes.
Gjatë vizitës komunitetit rom në Fushë Kosovë, banorët e atjeshëm tregojnë për një rast që kishte rezultuar pozitiv në COVID 19, dhe ishte karantinuar për dy javë, por ky person nuk pranoi të prononcohet për KosovaLive. Ndërsa banorët përreth, thanë se nuk janë në dijeni të rasteve tjera pozitive.
Që nga paraqitja e rasteve të para pozitive deri në kohën kur është shkruar ky artikull, në Kosovë ishin testuar 120 mijë e 811 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, ndërsa si komuniteti më i rrezikuar nga ky infeksion, shtohet pyetja se sa është numri i personave të testuar dhe rasteve pozitive nga komuniteti rom në Kosovë?
Gjatë hulumtimit të kryer KosovaLive, Qendrat Kyresore të Mjekësisë Familjare nëpër komuna, por as Drejtoritë e Shëndetësisë nuk kanë të dhëna rreth asaj se sa persona nga këto komunitete i kanë drejtuar drejt IKSHPK-së për testim nën dyshimin për infektim me COVD-19.
Mungesën e shifrave rreth numrit të testimeve të komunitetit rom, e pohon edhe zyrtari për media në komunën e Fushë Kosovës, Ali Topalli, si dhe Mustafë Gashi, doktor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Fushë Kosovë.
“Nuk kemi shifra se sa persona nga ky komunitet janë testuar, por sa i përket rasteve pozitive, deri tani, fatbardhësisht vetëm tre raste pozitive kanë qenë në këtë komunitet në komunën e Fushë Kosovës”, thotë Topalli, zyrtar për media në Komunën e Fushë Kosovës.
As QKMF-ja në komunën e Fushë Kosovës nuk ka ndonjë shifër rreth personave të këtyre komuniteteve që i kanë udhëzuar për në IKSHPK, pas dyshimeve për infeksion me COVID-19.
“Ne nuk i ndajmë pacientët në bazë të komunitetit të cilit i përkasin, kështu që nuk kemi shifra rreth numrit të testimeve të këtij komuniteti. Nga informata jozyrtare kemi mësuar se deri në muajin gusht kanë qenë vetëm tre raste pozitive me COVID 19, e të cilat kanë qenë raste kontakti”, Mustafë Gashi.
Informacione nuk ka rreth numrit të rasteve të testuara për Covid as në Ferizaj, por sipas nënkryetarit të kësaj komune, vetëm dy persona nga komunitetet rom, ashkali kanë rezultuar pozitiv në Covid 19, nga të cilat raste, njëri ka pasur pasoja vdekjeprurëse.
“Rasti nga radhët e komunitetit ashkali ka pasur elemente Covid vdekjeprurëse dhe ka vdekur por familja e tij janë shëndosh e mirë nuk ka pasur infeksione pandemike”– thotë Florim Bajrami, nënkryetar i komunës së Ferizajt.
Pavarësisht faktit që kushtet dhe mënyra e jetesës së këtij komuniteti rrit probabilitetin për t’u infektuar me COVID-19, personat që u intervistuam nga komunat e Kosovës tregojnë për dy ose tre raste pozitive nga këto komunitete, e duke pasur parasysh faktin që komunitetet rom, ashkali, egjiptian nuk e kanë lluksin e blerjes së maskave, sanitizerëve antibakterial, e nga ajo që u pa gjatë hulumtimit, as distancën nuk e respektojnë, si ka mundësi që numri i rasteve pozitive është kaq i ulët mes tyre dhe çfarë e shpjegon këtë?
Lidhur me numrin e ulët të rasteve pozitive nga këto komunitete, si duket nuk gjen shpjegim as stafi mjekësorë dhe ai komunal.
“Jemi befasuar për të mirë sepse nuk ka pasur numër të madh të rasteve pozitive nga ky komunitet. Nga bisedat që kemi pasur edhe me QKMF-të tjera, situata është e ngjashme edhe në komunat tjera, por ne stafi mjekësorë nuk arrijmë ta shpjegojmë këtë numër kaq të ulët të të prekurve nga ky komunitet”, thotë Mustafë Gashi, doktor në QKMF në Fushë Kosovë.
As komuna e Gjilanit nuk ka shifra rreth numrit të rasteve të këtyre komuniteteve, që janë dërguar nga QKMF e kësaj komune për në Institutin e Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për testim, duke e arsyetuar këtë me vështirësitë për menaxhimin e kësaj situate.
“Nuk kemi shifra rreth numrit të të testuarve dhe rasteve pozitive nga ky komunitet, pasi nuk kemi bërë ndonjë studim rreth kësaj dhe sepse me shumë vështirësi po arrijmë që ta menaxhojmë situatën aktuale”, thotë Selami Xhemaili, drejtor i shëndetësisë në Gjilan.
E shifra rreth numrit të testimeve nuk kanë as në komunën e Prizrenit por as në atë të Gjakovës, e kjo sipas Memnuna Ajdini, nënkryetare për komunitete në Prizren, dhe Afërdita Shllaku, drejtoreshë e Shëndetësisë në komunën e Gjakovës, sepse nuk i ndajnë njerëzit në baza etinie, por e kanë vetëm numrin e përgjithshëm të rasteve.
Për menaxhimin sa më të mirë të situatës me COVID-19, me theks të veçantë tek komunitetet pakicë, më 18 mars, komuna e Fushë Kosovës kishte formuar shtabin emergjent, në kuadër të të cilit pastaj u formua një nënshtab i cili do të merrej specifikisht me komunitetet pakicë në këtë komunë. Duke pasur parasysh gjendjen e rëndë në të cilën jetojnë këto komunitete, komuna e Fushë Kosovës përmes këtij nënshtabi kishte identifikuar dhe ndihmuar me pako higjienike dhe ushqimore 1 mijë e 600 familje të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas.
Këtë ndihmë e pohojnë edhe personat e intervistuar nga komuniteti rom në Fushë Kosovë, sipas të cilëve, një herë janë ndihmuar në fillim të pandemisë e pastaj edhe një herë për festën e Fitër Bajramit.
Edhe komunat tjera thonë se ndihmojnë komunitetet pakicë sa herë që marrin ndonjë donacion nga organizata të ndryshme.
“Në fazën e parë kemi bërë vizita mjekësore nëpër shtëpi tek komuniteti rom. Gjithashtu kemi shpërndarë rreth 500 pako, prej tyre 180 tek komuniteti rom, 90 pako tek komuniteti serb, ndërsa 49 tek komuniteti turk 49”, thotë Selami Xhemaili, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në komunën e Gjilanit.
Diamant Bytyçi, zyrtar për informim në Komunën e Lipjanit, thotë se pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, asnjëherë nuk janë dalluar nga komuniteti shqiptar.
“Nuk kemi shifra për numrin e testimeve për këtë komunitet, e as numrin e rasteve pozitive, por në Lipjan të gjithë pjesëtarët e komunitetit RAE kanë qasje të barabartë në shërbimet shëndetësore”, tha Diamant Bytyçi, zyrtar për media në Komunën e Lipjanit, duke sqaruar se ky komunitet ka qasje edhe në ujë të pijshëm/ në rrjetin e ujësjellësit.
Në disa komuna, komuniteti rom përbën ndërmjet 2 dhe 5 për qind të popullsisë komunale.
Sipas Zyrës për Cështje të Komuniteteve, komuna me numrin më të madh të banorëve të komunitetit rom, është komuna e Prizrenit, e cila përbëhet nga 4.2 për qind të popullsisë rome. Fshatrat Plemetin, Milloshevë, Babimoc, Caravodicë dhe Janjina Voda të komunës së Obiliqit gjithashtu janë mjaft të banuara nga komuniteti rom, ku 2.4 për qind e popullsisë në Obiliq i takojnë komunitetit rom, ndërsa në Pejë dhe Mitrovicë, 2 për qind e popullsisë i takojnë këtij komuniteti. Me një përqindje më të vogël të këtij komuniteti, të banuara janë edhe komuna e Fushë Kosovës, Ferizajit dhe Gjakovës.
Lidhur më çështjen e shifrave të personave të testuar nga komunitetet pakicë KosovaLive është drejtuar edhe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, por nuk ka marrë përgjigje lidhur me këtë.
Donjeta Haxha-Maliqi
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.