Build Skills with our trainings

Sign up now!

Reduktimet e buxhetit kanë rrezikuar realizimin e projekteve të nisura

Jan 28, 2021

Qeveria e Kosovës këtë vit e ka bërë një reduktim në buxhetin e komunës së Kamenicës, i cili reduktim nuk është mirëpritur nga banorët e kësaj komune, por as edhe nga përfaqësuesit e komunës. 

Një ditë para se të votohej Projektligji për Buxhetin e Republikës e Kosovës në mars të këtij viti kishte reaguar edhe kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, duke u shprehur i shqetësuar në lidhje me planifikimin e buxhetit për këtë vit, pasi sipas tij është rrezikuar edhe realizimi i projekteve të nisura.

Sipas një studimi nga instituti GAP, në vitet 2017/2018 ka pasur një buxhet më të vogël për komunën e Kamenicës, përderisa edhe projektet kapitale kanë qenë të limituara. Në vitin 2019 është bërë një ndarje e arsyeshme e buxhetit për këtë komunë bazuar në numrin e projekteve të parapara. Ndërsa buxheti i këtij viti për shpenzime kapitale është edhe me i ulët se ai i vitit 2019.

Gjatë planifikimit buxhetor për vitin 2020/2022 në gusht të vitit të kaluar, komuna nuk ka mbajtur debat publik për diskutim të prioriteteve dhe strategjive komunale, por ka pasur 23 dëgjime buxhetore në fshatra të ndryshme të komunës, ku është konstatuar se do ketë rritje të buxhetit për 0.45 për qind në krahasim me vitin 2019.

Organizata buxhetore e komunës ka zhvilluar procesin e hartimit të draft buxhetit për vitet 2020/2022 në përputhje me instruksionet e pranuara nga Ministria e Financave përmes qarkoreve buxhetore, në zbatim të ligjit mbi menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive, me qëllim të finalizimit në përputhshmëri me interesat e përgjithshme me qytetarët e komunës dhe kufijtë e limituar të financimit. 

Bazuar në të dhënat nga Komisioni i Granteve, i cili duke zbatuar kriteret e caktuara si numri i popullsisë, madhësia gjeografike, numri i nxënësve, stafi i mësimdhënësve, stafi profesional e ndihmës, numri i pakicave kombëtare, është bërë hartimi i qarkoreve buxhetore nga Ministria e Financave. Nga përcaktimet e lartpërmendura të Komisionit të Granteve ka rezultuar se buxheti i organizatës së tyre buxhetore për vitin 2020 do ketë shumën 9 milion e 401 mijë e 994 euro, është thënë në propozim buxhetin komunal në gusht të vitit 2019.

Drejtori për Buxhet dhe Financa në komunën e Kamenicës, Sinbad Sonki thotë se një zvogëlim i tillë i buxhetit ka ndikuar mjaft shumë në realizimin e projekteve në komunë. 

Një prej projekteve që është ndikuar nga zvogëlimi i buxhetit është edhe bulevardi që me të vërtetë sjellë probleme të shumta tek bizneset përreth që operojnë aty sepse ai projekt është dashur të përfundoj për dy vite por ndoshta mund të zvarritet çështja e afatit kohor për kryerjen e punëve dhe mund të pësojnë edhe bizneset”, deklaroi Sonki.

Ai poashtu tregoi se momentalisht në aspektin financiar komuna ka 4 milionë e 291 mijë euro investime kapitale të cilat vijnë vetëm nga niveli qendror, pa i llogaritur ato projekte në nivel komunal. 

“… janë diku 30 projekte të cilat janë aprovuar nga kuvendi komunal, duke llogaritur projektet që vijnë nga granti qeveritar, projektet nga të hyrat vetanake por edhe projektet të cilat kanë mbetur pa u realizuar nga viti kaluar. Ato janë bartur me projektet nga viti 2019/2018 dhe nga të hyrat e bartura,” ka thënë ai. 

Sonki thotë se prej 30 projekteve të cilat kanë mbetur për t’u realizuar, disa projekte kanë filluar procedurat por ende ka vështirësi pasi të hyrat vetanake kanë rënë për 30 për qind në nivel komune. 

Shtyerja e realizimit të projekteve të komunës si rezultat i shkurtimit të buxhetit ka sjellur vështirësi edhe për bizneset përreth. Një gjë të tillë e pohon edhe Enes Kallaba, menaxher i biznesit “In Time Bar” tek bulevardi në komunën e Kamenicës.

Punimet janë duke ndikuar mjaft në biznesin tonë por besoj që do përfundojnë shpejtë, pasi që kemi kontaktuar me komunën, na kanë dhënë një afat të caktuar për ta larguar terrasën, dhe e kemi larguar. Tani, pasi koha është ftohur besoj që mund të punojmë edhe brenda,” thotë Kallaba.

Ai gjithashtu thotë se janë dëmtuar si biznes por kjo gjë është në interes të përgjithshëm dhe afatgjatë, përfitues të të cilit janë të gjithë qytetarët e komunës.

Përkundër kohëzgjatjes së punimeve të këtij bulevardi, qytetarët e mirëpresin këtë projekt për vitin e ardhshëm dhe presin t’i jap gjallëri qytetit të Kamenicës. 

Një gjë të tillë e thotë edhe Sokol Jahiri, pronar i biznesit lokal “The Sun Bar”, i cili thotë se në fillim ka qenë mjaft vështirë por me kohën janë ambientuar me vrullin e punës dhe punimet që janë duke u bërë për bulevardin, pasi ky investim do i ndihmoj atyre si biznes. E të njëjtën shpresë ka treguar për kohëzgjatjen e këtij projekti, duke shpresuaro se në korrik të vitit 2021 lokali i tij do vazhdojë punën në shesh.

Projekti: Ndërtimi i Bulivardit të qytetit në Kamenicë

Në një bisedë për KosovaLive, Mumin Zubaku, kryetar i Këshillit në fshatin Topanicë, thotë se në fshatin e tyre nuk ka pasur asnjë investim.

Nuk e dimë se sa ka buxhet komuna, apo për shkak të pandemisë, por investimet në fshatin Topanicë janë pothuajse zero. Fshati ynë gjithmonë investimet i ka bërë vetë, asfaltimin, ambullantën, shkollën, rregullimin e urave, etj.”, thotë Zubaku.

Sipas Zubakut përgjatë tre viteve të qeverisjes së Qëndron Kastratit, në Topanicë nuk janë as 100 mijë euro të investuara. Investimi që është bërë në këtë fshat është renovimi i shkollës fillore e cila sipas tij ka qenë diku 20 apo 30 mijë euro. 

This image has an empty alt attribute; its file name is NWZ7xejfIEYMlb5LdWD-7D71BDahhdNeMq3jPeC8scMFbF0RpXwq3_KgKmyeSbpeRLlipQi74DLz0GjlwKujOZs0TkWe4su51upNd613CR9A7dWADkTC06vQfuVPN7gc2oeRXpU
Projekti: Ndërtimi i Bulivardit të qytetit në Kamenicë

Ndërkaq, shefi i kabinetit për komunën e Kamenicës, Meriton Ramabaja në i një ntervistë për KosovaLive ka thënë se nuk janë ndërprerë projektet por është tentuar prioritizimi i këtyre projekteve.

Ne nuk i kemi ndaluar të gjitha projektet por kemi tentuar që t’i prioritizojmë ato. Pra, është dashur të shohim se çfarë kemi prej grantit të qeverisë. Qeveria na i ka dhënë mjetet dhe jemi duke tentuar t’i shfrytëzijmë ato fillimisht e pastaj të vazhdojmë me projektet përmes të hyrave vetanake”, tha Ramabaja.

Të hyrat vetanake për këtë vit, fatkeqësisht kanë pasur rënie drastike prej 60 për qind në krahasim me vitin e kaluar, e kjo vie si pasojë e pandemisë COVID-19, ndaj shumë projekte të parapara mund edhe të ndërpriten, pasi që buxheti për investime kapitale i cili duhej të ishte në vlerë 1 milion e 660 mijë euro, këtë vit ka qenë vetëm 600 mijë euro.

Kjo ka qenë e papranueshme edhe nga banorët të cilët kanë parashtruar ankesa prej më të ndryshmeve, shumica e të cilave për projektet me nevoja bazike, e për këtë shkaktar mbetet neglizhenca e institucioneve përgjatë viteve.

“Duke pasur parasysh që kemi ende kërkesa bazike, si për infrastrukturë, kanalizim, ujësjellës, ndriçim e tjera, dhe kjo fatkeqësisht ndodhë për arsye se pak është neglizhuar prej institucioneve gjatë tërë këtyre viteve, po ashtu nuk janë prioritizuar fushat në të cilat njëherë e përgjithmonë duhet investuar dhe mos t’i kemi më si problem.”, shtoi Ramabaja.

Më 24 gusht të këtij viti është mbajtur një takim me kryetarët e komunave, i thirrur nga ministri i Ministrisë së Pushtetit Lokal, Goran Rakic, ku është diskutuar për mbështetjen financiare të komunave për menaxhimin e pandemisë COVID-19. Në këtë takim kryetari i komunës Qëndron Kastrati kishte shprehur pakënaqësinë e tij sa i përket ndarjes së buxhetit duke thënë se Kamenica duhet të trajtohet dinjitetshëm në ndarjen e buxhetit dhe se duhet marrë parasysh madhësia territoriale në raport me shërbimet e komunës.

Pakënaqësi për këtë shfaqi edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga rradhët e Vetëvendosjes Arta Bajralija, e cila tha se Qeveria Hoti, me projektligjin për buxhet të vitit 2020 ka bërë një shkurtim prej 11 për qind apo më saktësisht 785 mijë e 294 euro në tërësi të projekteve kapitale. 

“E papranueshme për mua si deputete në lidhje më këto shkurtime buxhetore, ka qenë se janë shkurtuar të gjitha projektet kapitale dhe madje nuk është bërë as ndonjë shqyrtim i hollësishëm mbi rëndësinë e projekteve”, tha Bajralija.

Sipas Bajraliajt, qeveria nuk ka bërë analizë strategjike as mbi mënyrën e shpërndarjes por as mbi rëndësinë zhvillimore të rajoneve të caktuara në Kosovë. Ajo thotë se Kamenicës, e cila ndodhet në një zonë kufitare që po përballet me migrim dhe emigrim, nuk i është kushtuar vëmendje as gjatë qeverive të mëhershme por nuk po i kushtohet as nga e tanishmja, duke shtuar se kjo komunë e cila ka një territor të madh dhe popullatën e shpërndarë nëpër fshatra, është lënë anash vazhdimisht nga niveli qëndror.

Ajo nuk e pranon arsyetimin që shkurtimi i buxhetit ka ndodhur për shkak të pandemisë COVID-19.

“Ata gjithmonë janë përgjigjur se pandemia është faktori kryesor që ka ndodhur ky shkurtim aq i madh. Ndërsa, kur shikon projektligjin e buxhetit e kupton që disa komuna edhe janë favorizuar madje edhe duke mos ua shkurtuar projektet kapitale”, ka shtuar kjo deputete nga radhët e Vetëvendosjes.

Komuna e Kamenicës sipas Baralijajt, është një ndër komunat që më së paku ka pasur vëmendjen e qeverive qendrore, dhe është koha që qeveritë të mendojnë për një zhvillim të balancuar rajonal, e mos trajtimi i barabartë apo jo me prioritet të komunave afër zonave kufitare apo atyre me numër të madh të fshatrave t’u ofrohet infrastruktura dhe kushtet e nevojshme për jetesë, pasi që kjo ka bërë që fshatrat të boshatisen dhe rinia të mos sheh perspektivë zhvillimore.

Në raportin e lëshuar për miratimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2020, qeveria parasheh për periudhën 2021/2022 që shpenzimet rrjedhëse totale do të kenë një rënie prej 5,9 për qind, përderisa për vitin 2021 parashihet se rreth 8,5 për qind apo më saktësisht 146 milionë euro të shpenzimeve rrjedhëse totale janë të lidhura me masat COVID-19 në kuadër të programit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Me anë të ligjit Nr. 07/ L-014 mbi ndarjen buxhetore për periudhën 2020/2021, shpenzimet kapitale totale përbëjnë një pjesë së konsiderueshme të shpenzimeve të përgjithshme dhe pritet të përfaqësohen me rreth 29,5 për qind në periudhën afatmesme. Përgjatë kësaj periudhe, pritet implementimi i projekteve me ndikim në përmirësimin e rrjetit të transportit, e rrjetit të energjisë elektrike dhe përmirësimin e kushteve në arsim, sistemin social dhe atë shëndetësor.

Përderisa me anë të buxhetit 2020, me qëllim të përshtatjes së standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar janë ri-klasifikuar shpenzimet nga kapitalet në mallra si mirëmbajtja e pajisjeve mjekësore, mirëmbajtja e komplekseve memoriale, pajisjet policore, etj, thuhet në raportin e Ministrisë së Financave.

Së fundmi kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti në një komunikim me Asociacionin e Komunave të Kosovës ishte zotuar se nuk do të ketë shkurtime buxhetore për Komunat e Kosovës për vitin 2021. Kjo e fundit ka ndodhur si rezultat i insistimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, reagimit të Këshillit të Kryetarëve dhe nga takimet me ministren e Financave, znj. Hykmete Bajrami dhe ministrit të Pushtetit Lokal, Goran Rakic, pasi ishte paraparë një shkurtim buxhetor nga Ministria e Financave prej 32.95 milion euro për komunat. 

Por edhe pse Hoti ishte zotuar se nuk do të ketë shkurtime buxhetore për komuna për vitin 2021, drejtorët për Buxhet dhe Financa në komunat e Kosovës tregojnë se kanë shkurtime në projektet kapitale për vitin 2021, ndërsa thanë se nuk kanë pasur shkurtime për vitin 2020.

Drejtori për Financa në komunën e Gjakovës, Durim Halilaj, shpjegon për KosovaLive se kësaj komune i është shkurtuar buxheti për vitin 2021 deri në 1 milionë euro, ndërsa për shkak të pandemisë Covid 19, nuk janë rritur të hyrat vetanake.

Shkurtime buxhetore për vitin 2020 nuk ka pasur as komuna e Prizrenit, por ka shkurtime për vitin 2021.

“Kemi pasur shkurtime në qarkoren e dytë. Pas qarkores së dytë e kemi pranuar edhe një qarkore të tretë në muajin shtator që ka ardhur ku përfshihet shkurtimi prej 1,2 milion në investime kapitale për vitin 2021.”, thotë Leonora Çerreti, drejtoreshë për financa në komunën e Prizrenit.

Shkurtime për vitin 2021 ka pasur edhe komuna e Pejës si pasojë e rënies së të hyrave në nivel vendi për shkak të pandemisë COVID-19. E sipas tij ka pasur dy shkurtime buxhetore.

“Buxheti i vitit 2021 do të jetë më i vogël për komunën e Pejës për 900 mije euro, për arsye se Ministria e Financave nuk ka mundur të realizoj planin e të hyrave në nivel të vendit dhe kjo ka ndikuar që komunave të iu shkurtohet buxheti për 2021-tën. I dyti shkurtim ka ndodhur gjatë rishikimit të buxhetit në qershor ku projektet që kanë qenë me ministritë janë shkurtuar për 50 për qind”, thotë Jeton Abazaj, drejtor i Financave në komunën e Pejës.

Sipas drejtorit për Buxhet dhe Financa në komunën e Podujevës, Isuf Latifi, as Podujeva nuk ka pasur shkurtime buxhetore për vitin 2020. Shkurtime mbi 900 mijë euro ka vetëm për vitin 2021.

E sipas një studimi nga instituti GAP për sa i përket investimeve kapitale nëpër komuna, 10 milionë euro investime të reja janë pezulluar. Prej këtyre rreth 71 për qind janë investime kapitale të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, rreth 23 për qind projekte kapitale të Ministrisë se Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe 6 për qind janë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. 

Megjithëse përveç këtyre shkurtimeve buxhetore, në raportin mbi ndryshimet në shpenzimet buxhetore për gjashtëmujorin e parë të vitit 2020 nga instituti GAP, mund të shihen rritjet e shpenzimeve në nivelin qendror, ku reduktime kishte pa dyshim edhe në shpenzime kapitale për 40 milionë euro apo minus 40 për qind. 

Florenta Morina

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM