Build Skills with our trainings

Sign up now!

Një ndotës i rrezikshëm për të cilin edhe s’jemi gjithaq të vetëdijësuar

Shk 9, 2021

Njohësi i ambientit, Zeqir Veselaj rikujton kohët më parë kur merkuri, element ky që vjen nga korja e tokës dhe është i veçantë si i vetmi metal në gjendje të lëngët në kushte natyrore, në vendin tonë përdorej si produkt kozmetik.

“…Në kohët më të hershme në popullatën tonë është njohur me emrin zhivë dhe është përdorur nga gratë për prodhimin e materialeve kozmetike për fytyrë (gjysheve tona mund t’u kujtohet shprehja ‘të bardhët e zhivës’ me të cilën lyheshin nuset me rastin e martesës). Tani llogariteni se çfarë dëmi ka shkaktuar nëse është përdorur shpesh”, tha ai gjatë një interviste për KosovaLive.

Nga ana tjetër, gjurmët e merkurit mund të gjenden kudo, e ndotja nga merkuri futet në listë me metalet e rënda.

“Sot në jetën e përditshme me merkurin mund të kontaktoni si pjesë përbërës të baterive të ndryshme, termometrave, barometrave. Por merkuri si ndotës burimin kryesor e ka nga minierat si dhe nga djegia e derivateve fosile. Djegia e fosileve bën që te monitorimi dhe analizat e ajrit të ndotur merkuri është pjesë grupit të metaleve të rënda në përbërjen e ajrit, bashkë me plumbin, nikelin, kadmiumim”, thekson Veselaj.

Sipas kimistit, Ramë Vataj aktualisht në Kosovë ndotja nga merkuri nuk është e shkallës së rrezikshmërisë së lartë.

“…Në fakt, Kosova nuk ka burime të xeheve të këtij metali, prandaj nuk ka rrezik permanent të ndotjes, sikur që është nga Feronikeli dhe Trepça. Ose edhe nga ndotësit tjerë organik që vijnë nga Termocentralet e Obiliqit”, tha ai.

Ai ndotjen nga merkuri në Kosovë e quan aksidentale dhe thotë se prania e tij vërehet më tepër nga produktet industriale se sa në mënyrë të drejtpërdrejt.

Ndotja te ne mund të jetë aksidentale, nga produktet që mund të përmbajnë kripëra të merkurit nga instrumente analitike apo nga disa lloje të baterive që përmbajnë merkur dhe nuk eliminohen-riciklohen si duhet”, u shpreh Vataj.

Fadil Maxhuni nga Divizioni për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit thotë se prania e merkurit tek ne më shumë vërehet në ujërat sipërfaqësor, ndonëse sipas hulumtimeve të Institutit Hidormeteorologjik të Kosovës jo edhe në sasi të madhe.

“…Janë shkarkimet në ujë nga industria dhe nga ujërat e shkarkuara urbane. Të dhënat nga monitorimi i ujërave sipërfaqësore nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në 54 lokacione, ku përfshihet edhe monitorimi i metaleve të rënda përfshirë edhe merkurit në ujërat sipërfaqësorë tregojnë se nuk ka tejkalime të parametrave të lejuar”, ka thënë  Maxhuni për KosovaLive.

Ai thotë se niveli i shkarkimeve në ujë është i përcaktuar me udhëzim administrativ për vlerat kufizuese të efluenteve që shkarkohen nga trupi ujor tek rrjeti i kanalizimit publik.

 “…Burim tjetër i emetimit aktual të merkurit në Kosovë janë edhe nga djegia e lëndëve djegëse të ngurta, duke përfshirë qymyrin, linjitin dhe drurin dhe në shkallë më të vogël edhe nga proceset industriale”, thotë Maxhuni.

Sipas tij, deponitë e mbeturinave qofshin sanitare dhe ilegale janë një burim tjetër i ndotjes me merkur. Edhe pse deri me tani nuk është bërë ndonjë hulumtim për të analizuar se sa mbeturinat kontribuojnë në ndotjen me merkur, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka hartuar një udhëzim administrativ për menaxhimin e deponive sanitare ku parashihet edhe monitorimi i shkarkimeve nga këto deponi përfshirë edhe metalet e rënda.

Duke konfirmuar përdorimin e merkurit tek ne, të njohur në popull si i bardhë i zhivës, si një mjet “kozmetik” që e përgatisin plakat, kimisti Vataj përmend rreziqet e mundshme.

“Ky i bardhë i zhivës, duke e përdorë si krem për zbardhim, depërton në lëkurë dhe merkuri depozitohet në dhëmbë, duke bërë në fillim nxirjen e tyre dhe më pas edhe rënien pa dhimbje”, thekson ai.

Ai rikujton se merkuri është i vetmi metal që në kushte normale është në gjendje të lëngët.

“Në temperaturë të dhomës, nëse derdhet në tokë dhe shpërndahet në sferëza të vogla, ato kanë sipërfaqe të madhe avulluese dhe avujt e tij janë shumë të helmueshëm”, spjegon Vataj.

Helmimi mund të rezultojë nga thithja e avullit të merkurit, gëlltitja, injektimi dhe thithja e merkurit përmes lëkurës. Merkuri në çfarëdo forme është helmues dhe helmimi me merkur zakonisht prek sistemin nervor, gastrointestinal dhe organet renale (veshkët).

Grimcat e merkurit mund të futen edhe në ushqim, ku siç thekson njohësi i ambientit, Veselaj, bashkëvepron me lehtë me ujin dhe nga kjo peshqit janë më të prekur nga helmimi i tij e më pas edhe njerëzit si konsumues.

Është ndotës që lehtë futet në zinxhirtë ushqimor të ekosistemit dhe në këtë mënyrë depërton në organizmin tonë. Sidomos peshqit janë të ndjeshëm nga ndotja me merkur duke qenë se destinacion përfundimtar i merkurit është uji (si metal i lëngët)”, përfundon ai.

Ndryshe, Veselaj thotë se ndotja nga merkuri ka edhe disa pasoja negative në disa lloje të sëmundjeve për të cilat nuk jemi në dijeni.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në një plan afatshkurtër ka menduar për monitorimin e pranisë se disa metaleve të rënda që aktualisht mungon.

“Për të bërë monitorimin e metave të rënda në ajër përfshirë edhe merkurin, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka hartuar udhëzimin administrativ për arsenin, kadmiumin, merkurin dhe nikelin dhe hidrokarburet aromatike dhe policiklike në ajër. Aktualisht nuk ka monitorim të koncentrimit të metaleve të rënda përfshirë edhe merkurin në ajër”, deklaroi Maxhuni nga Divizioni për Komunikim me Publikun.

Specialisti i biokimisë klinike në Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Gramos Begolli rikujton se ndotja nga merkuri shkakton sëmundje të  ndryshme dhe se më  të  rrezikuarit nga kjo ndotje janë fëmijët dhe gratë shtatzëna.

“…Merkuri është një neurotoksinë e fuqishme, e cila çrregullon funksionin e qelizave nervore. Helmimi nga merkuri shkakton ulje të aftësisë për të parë, dëgjuar, folur dhe ecur; ndryshime të sjelljes, depresion, ankth, nervozizëm dhe paaftësi për t’u përqendruar. Përveç kësaj, mund të shkaktojë dëmtime në tru, veshka dhe mushkëri, dhe është veçanërisht e rrezikshme për gratë shtatzëna dhe fëmijët. Fetuset dhe fëmijët e vegjël janë grupi më i rrezikshëm sepse sistemi i tyre nervor është akoma në fazën e zhvillimit dhe ata janë 4 deri në 5 herë më të ndjeshëm ndaj merkurit sesa të rriturit”, ka thënë  Begolli gjatë  një  interviste për KosovaLive.

Sipas tij, shkaktarë kryesor për ndotjen nga merkuri në mjedis janë lëndët djegëse sikurse që është qymyri, industritë dhe hidrocentralet.

Djegia e lëndëve djegëse të ngurta si qymyri, linjiti apo edhe druri në industri dhe familje është një nga burimet më të mëdha të ndotjes së merkurit në Evropë dhe sidomos në Kosovë ku njerëzit vazhdojnë të përdorin si burim të ngrohjes qymyrin. Këto lëndë djegëse përmbajnë sasi te merkuri dhe lirohen në mjedis gjatë djegies. Këto janë burimi kryesor i emetimeve të merkurit në Evropë dhe përfshihen në aktivitete të tilla si prodhimi i energjisë elektrike (termocentralet), çimentos dhe metaleve”, tha ai.

Ndër të tjerash, Begolli përmend peshqit grabitçar si më të rrezikuarit nga helmimi ndaj merkurit.

“…Peshqit më të mëdhenj grabitçar zakonisht përmbajnë përqendrime më të larta të merkurit sepse ata konsumojnë kafshë më të vogla që tashmë kanë konsumuar pak merkur. Prandaj, konsumi i peshqve më të mëdhenj grabitçarë, të tillë si peshku ton (tuna), zakonisht do të çojë në marrje më të lartë të merkurit në krahasim me konsumimin e peshqve më të vegjël që janë më të ulët në zinxhirin ushqimor”, thekson Begolli.

Ndotja e merkurit është fenomen i rrezikshëm dhe i pazgjidhur.

“…Merkuri pa dyshim paraqet një ndër elementet më të rrezikshme të ndotjes në nivel global por edhe në një shkallë të konsiderueshme edhe në Kosovë. Në Kosovë emetimet e merkurit vinë kryesisht nga Termocentralet, pra nga djegia e thëngjillit, por edhe nga ngrohjet individuale që kanë për bazë djegien e thëngjillit”, tha ai gjatë një interviste për KosovaLive.

Sipas një raporti të 2018-s nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin minierat në mbarë botën janë burime kryesore të merkurit antropogjen në tokë me 37.7%.

Njohësi tjetër i ambientit në Kosovë, Agron Bektashi rikujton se merkuri mund të gjendet kudo, por me theks të veçantë në resurset.

Merkuri paraqet rrezik të madh për ajrin, tokën dhe resurset ujore. Merkuri lehtë absorbohet nga kafshët e më së shumti nga peshqit meqenëse lumenjtë, liqejt dhe detet më së shumti kontaminohen nga merkuri. Në nivel global njeriu më së shumti rrezikohet nga konsumimi i peshkut meqenëse kanë sasi më të madhe të merkurit”, tha Bektashi.

Specialisti i biokimisë klinike, Gramos Begolli thotë se duhet një kujdes i veçantë ndaj pajisjeve të cilat përmbajnë merkur e të cilat ne i përdorim për përditshmëri sikurse që janë pajisjet elektrike.

Njerëzit shpesh hasin në pajisje që përmbajnë merkur, të tilla si bateri, llamba dhe pajisje elektrike. Ne duhet të sigurojmë trajtimin dhe asgjësimin e duhur të këtyre materialeve në mënyrë që të rimarrim në mënyrë të sigurt merkurin që përmbahet në to dhe kështu të parandalojmë hedhjen e tij në mjedis. Ne gjithashtu mund të zvogëlojmë emetimet e merkurit duke shmangur djegien e materialeve të ngurta për ngrohjen e shtëpisë kur opsionet e tjera janë në dispozicion”, shprehet ai.

Begolli apelon tek institucionet shtetërore që të organizojnë aktivitetet për edukimin dhe vetëdijesimin e popullatës ndaj ndotjes së merkurit.

Është e domosdoshme qasja multidiciplinare dhe multisektoriale. Ministria e Ambientit, Ministria e Shëndetësisë, MASHT dhe partnere të tjerë do të duhej të kishin aktivitete të rregullta edukative dhe vetëdijesime me fokus të veçantë për popullatën që jetojnë në territore që janë në afërsi të minierave dhe termocentraleve, por edhe në zonat e mëdha urbane në aspektin e menaxhimit të duhur të mbeturinave”, përfundon Begolli.

Sipas, Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, në një plan afatshkurtër ka menduar për monitorimin e pranisë se disa metaleve të rënda që aktualisht mungon.

“Për të bërë monitorimin e metave të rënda në ajër përfshirë edhe merkurin, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka hartuar udhëzimin administrativ për arsenin, kadmiumin, merkurin dhe nikelin dhe hidrokarburet aromatike dhe policiklike në ajër. Aktualisht nuk ka monitorim të koncentrimit të metaleve të rënda përfshirë edhe merkurin në ajër”, ka thënë Fadil Maxhuni nga divizioni për komunikim me publikun i MEA.

Ndryshe, për ndotjen nga merkuri në Kosovë nuk ka informacion të mjaftueshme dhe as statistika të pranisë së merkurit. Gjatë hulumtimit të kësaj teme KosovaLive ka komunikuar me infektologë,  ekologë, mjekë të përgjithshëm, pulmologë si dhe qendrat e ekologëve të Kosovës, laboratorë privatë… Intervistat u pamundësuan edhe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, meqë kompetentët e atjeshëm kanë refuzuar me arsyetimin se të gjithë punonjësit e institutit janë duke punuar për luftimin e pandemisë Covid-19 dhe se aktualisht nuk janë të gatshëm të flasin për këtë temë.

World Health Organization cilëson merkurin si një nga dhjetë kimikatet kryesore ose grupet e kimikateve me shqetësim të madh për shëndetin publik. Ekspozimi ndaj merkurit mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore dhe është një kërcënim për zhvillimin e fëmijës në mitër dhe në fillim të jetës. Sipas këtij hulumtimi, merkuri mund të ketë efekte toksike në sistemin nervor, tretës dhe imunitar dhe në mushkëri, veshka, lëkurë dhe sy.

Shqipdona Gashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM