Build Skills with our trainings

Sign up now!

“Dhunim” në një formë tjetër

Maj 25, 2017

A.T 20 vjeç nga Lipjani, është njëra nga shumë vajzat në Kosovë që është ngacmuar seksualisht në rrugë. Ajo për herë të parë ishte ngacmuar kur ishte vetëm 17  vjeçare, nga një  50 vjeçar, i cili i kishte ofruar para për shërbime seksuale, në rrugën afër ordinancës stomatologjike në Lipjan.

Këtë nuk i kishte treguar askujt sepse nuk kishte pasur guxim.

Ngacmimi tjetër i kishte ndodhur para pak muajsh, ku ajo ishte duke u kthyer në shtëpi nga fakulteti dhe personi që e kishte ngacmuar i kishte ekspozuar edhe organet e tij gjenitale.

“Muzgu kishte ra edhe unë isha duke ecur qetë për në shtëpinë time, prapa meje i dëgjojsha disa hapa që afroheshin me shpejtësi. Te kthesa e rrugës i dëgjojsha fjalët: ‘kthev pak, kqyr çka kom për ty’. Pasi që isha në rrugën afër shtëpisë time e dija që ishte dikush që unë e njoh. U ktheva dhe e pash që ishte djali i fqinjës që i kisha në lagje, ai ishte më i vogël se unë dhe tashmë ishte duke e prekur organin e tij gjenital”, rrëfen ajo.

Këtë prap nuk kishte guxuar t’i tregojë askujt por pasi që ky ngacmim ishte përsëritur, siç thotë, fillimisht kishte biseduar me prindërit e saj, e ata kishin biseduar me prindërit e abuzuesit.

“Rrjedhimisht abuzuesi tani e ndërron rrugën”, thotë ajo, kur ndodh që këta të dy të takohen përsëri dhe nuk e shikon më as në fytyrë.

Përpos presioneve psikike, më nuk ka guxim të shkojë në shtëpi vetëm, por duhet të dalë ndonjë familjar i saj në stacion për ta shoqëruar deri në shtëpi.

Rastin nuk e kishte paraqitur në polici sepse, sipas saj, nuk ka besuar se rasti do të merret parasysh, por vetëm do të shtohet një lëndë e re.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupeve të Grave, që në vitin 2015 kishte realizuar raportin hulumtues për ngacmimet seksuale, thotë se 64.1% e femrave dhe 32.5% e burrave kosovarë kanë përjetuar forma të ngacmimeve seksuale në jetën e tyre.

“Mosraportimi i ngacmimeve seksuale vjen si rezultat i mungesës së njohurive të qytetarëve se çfarë është ngacmimi seksual, por po ashtu edhe pse qytetarët nuk e dijnë saktë se ku duhet ta drejtojnë ankesën e tyre. Institucionet publike dhe ato private nuk e kanë të specifikuar se ku në ato institucione, mund të raportohet ngacmimi. Po ashtu, ne e kemi vërejtur se mungesa e definicionit të ngacmimit seksual në kodin penal, shpesh e ka bërë të pamundur që qytetarët të marrin ndihmën e duhur nga policia, kur ata e kanë raportuar ngacmimin seksual”, tha Berisha.

Çfarë në fakt nënkuptohet me “ngacmimet seksuale”?

Ky është definicioni i termit sipas Ligjit të Kosovës për Barazi Gjinore, Neni 3: “Çfarëdo forme e sjelljes së padëshiruar verbale, jo verbale, apo fizike me natyrë seksuale, me qëllim apo pasojë prekjen apo shkeljen e dinjitetit të një personi dhe për të krijuar një mjedis  frikësues, armiqësor, degradues, poshtërues apo fyes cilësohen si ngacmime seksuale. Ngacmimi seksual mund të jetë pjesë dhe/ose mund të çojë në forma të tjera të dhunës seksuale, siç janë sulmi seksual apo përdhunimi. Dhuna seksuale mund të përfshijë si dhunën fizike, ashtu edhe atë psikologjike”. 

Aplikacioni “Ec shlirë”, që ka një vit që është krijuar nga Rrjeti i Grupeve të Grave, siç thotë Berisha, po përdoret mjaft dhe aty deri tash për rastet e ngacmimeve seksuale kanë raportuar mbi 360 qytetarë.

Sipas Policisë së Kosovës  gjatë vitit 2016, në polici janë raportuar 51 raste të tilla dhe këto raste janë dërguar në organet e drejtësisë.

Liridona Jemini-Gashi, psikologe, thotë se shkaqet pse ndodhin ngacmimet seksuale lidhen me kulturën dhe vlerat në shoqëri dhe se e ngacmuara mund të ketë shumë probleme pastaj në jetën e saj.

“Viktimat e ngacmimeve seksuale zakonisht përjetojnë efekte të rëndësishme psikologjike të cilat kryesisht konsistojnë në ankth, depresion, dhimbje të kokës, çrregullime të gjumit, humbje ose shtim në peshë, ulje të  vetëvlerësimit dhe mosfunksionimit seksual. Ata gjithashtu përjetojnë kosto të lidhura me punën: nga humbja e punës, ulja e moralit, zvogëlimi i kënaqësisë së punës, dëm të pariparueshëm të marrëdhënieve ndërpersonale në punë etj”, tha Jemini-Gashi.

Jeta Berisha, nga Artpolis thotë se individët në shoqërinë tonë ende nuk mund ta bëjnë dallimin në mes ngacmimeve seksuale dhe flirtit.

Gjithashtu vajzat që ngacmohen zakonisht paragjykohen se ato e kanë nxitur ngacmimin.

“Në Kosovë mendohet se gratë u nxjerrin vetë probleme vetes duke u veshur në mënyra provokative, por secili e ka të drejtën të vishet ashtu se si dëshiron. Unë nuk ndjehem komode kur shoqëria jonë vazhdon t’i mësojë vajzat që të jenë natyrë e butë dhe të jenë pronë e një burri, kjo është njëra prej gabimeve më të mëdha që bëhet në shoqërinë tonë. Nga ky moment vajza vazhdon ta steretipizojë vetën dhe përveç që paragjykohet nga të tjerët ajo e paragjykon edhe vetvetën”, tha Berisha.

Sipas raportit të Rrjetit të Grupeve të Grave, ngacmimi në rrugë duket se është prej formave më të zakonshme të ngacmimit seksual në Kosovë. Ngacmimi seksual vjen kryesisht nga persona të panjohur, por edhe nga të njohur, shokë, kolegë pune, mësimdhënës, shefat në punë si dhe partnerët.

Në rastet kur ka ngacmim seksual, pjesa më e madhe e njerëzve janë të prirur ta injorojnë atë, duke mos raportuar.

Gjithashtu, sipas këtij raportit, disa përfaqësues të institucioneve ende nuk kanë njohuri lidhur me ngacmimin seksual, përkufizimin e tij dhe kornizën ligjore përkatëse. Kjo gjë e pengon aftësinë e tyre për t’iu përgjigjur me efektivitet rasteve të ngacmimit seksual. Ngacmimi seksual ka prirje të keqkuptohet si përdhunim apo sulm seksual, ndërkohë që format “më pak serioze” ose “serioze” të ngacmimit seksual janë ose të panjohura ose konsiderohen si jo shumë të rëndësishme.  

Besarta Breznica

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM