Build Skills with our trainings

Sign up now!

Jeta e kosovarëve në ajër të ndotur

Qer 5, 2019

Jeton Morina,  rreth të 40-tave, qytetar i Obiliqit, një nga qytetet më të ndotura në Kosovë, si pasojë e lirimit të tymit dhe gazrave nga Termocetralet Kosova A dhe B, thotë se vetëm mbjellja e drunjëve nuk është e mjaftueshme për ta zvogëluar rezikun për shëndetin e banorëve, dhe jo vetëm në këtë komunë.

“Djali im 7 vjeçar, ka probleme me bronkit, probleme me kollë . Shkaku i këtij ajri mua mu desht të operohem në të dy sytë, operim që kushtoi 6,000 euro. Edhe babanë e kam të sëmurë, e nëna ime ka probleme me tension”, thotë Morina.

Ai është i vetëdijshëm se udhëheqësit e komunës nuk mund të zgjidhin shumë probleme me të cilat ballafaqohen qytetarët, të zvogëlojnë ndotjen e tokës bujqësore dhe ajrit. Për këtë arsye, si zgjidhje të vetme e sheh largimin, jo vetëm nga Komuna e Obliqit, por edhe nga Kosova.

Në bisedë me vendasit, Morina ka ardhur në përfundim se vetëm brenda javës rreth 140 banorë e kanë braiktisur komunën e Obiliqit pikërisht për shkak të ndotjes. Këtë nuk e përjashton edhe ai. Thotë se qe një kohë të gjatë planifikon të shpërngulet në Kanadë.

“Ne si komunitet jemi shumë të lumtur dhe kemi një raport shumë të mirë me njëri-tjetrin, por ne e kemi ‘kancer’ termocentralin”, shton Morina.

Ibish Mjekiqi, zëvendës drejtor i Komunës së Obliqit, cili deri në muajin maj ishte në krye të Drejtorisë së Shëndetësisë në këtë komunë, thotë se brenda vitit të kaluar kanë pasur rreth 98,000 vizita mjekësore, përkundër psh. vitit 2014 kur ishin 84,000 vizita.

“Ky numër është rritur jo pse është rritur numri i pacientëve, por qytetarët kanë filluar të vetëdijësohen për rëndësinë e kontrollave shëndetësore. Edhe cilësia e shërbimeve shëndetësore është rritur”, shton Mjekiqi.

Sipas informatave që disponon komuna, në bazë të këtyre vizitave, numri i rasteve të prekura drejtpërdrejt në organet e frymëmarrjes, në komunën e Obiliqit, është 30% më i madh se sa në komunat tjera.

“Ajri, uji dhe toka janë në gjendje jo të mirë në krahasim me komunat e tjera. Problemet me organet respiratore, kanceri, problemet në të pamur dhe dëgjim, sëmundjet e lëkurës janë disa nga problemet shëndetësore me të cilat ballafaqohen banorët e kësaj komune”, thotë Mjekiqi.

Ndotja e ajrit

Naim Hashani, banor i Obiliqit konsideron se Qendra e Mjekësisë nuk ka kushte dhe kapacitete të mjaftueshme për trajtimin kualitativ për të gjithë ata që kërkojnë ndihmë. Ai thotë se premtime ka, por realizimet janë të pakta.

Hashani, rreth të 60-tave, çdo ditë udhëton nga Obiliqi në Prishtinë, ku punon. Ai thotë se rregullisht bëjnë kontrolla mjekësore, por rezultatet e analizave kanë treguar se shëndeti, çdo vit i dobësohet.

“Kam probleme të shumta shëndetësore si në frymëmarrje, me zemër dhe ushqimet janë të ndotura. Fatkeqësisht, banorët që jetojnë në këtë komunë janë adaptuar me këtë ajër. Nuk e vërejnë se sa është i dëmshëm, në krahasim me persona të cilët jetojnë në ndonjë qytet tjetër”, thotë Hashani.

Ai është vetëdijshëm se zgjidhje mund të jetë shpërngulja, mirëpo thotë se nuk i ka mundësitë financiare.

Burbuqe Shurdha, pulmologe në Qendrën Klinike Uuniversitare të Kosovës (QKUK), tregon se zakonisht gjeneratat më të rrezikuara nga ndotja e ajrit janë fëmijët, gratë shtatëzëna, dhe të moshuarit. Ata më shpesh përballen me probleme kardiologjike, me mushkëritë, sëmundjet kronike si diabet ose hipertension deri te sëmundjet malinje.

Por, një nga problemet me të cilat ballafaqohen pulmologët është mungesa e kapaciteteve sepse fluksi i pacientëve të cilët vijnë për kontroll dhe tretmane është në rritje e sipër.

“Së pari. Reparti i Pulmologjisë nuk i plotëson kapacitetet të cilat janë esenciale për pacientët. Barnat bazike mungojnë. Pacientët shpesh duhet t’i blejnë vet barnat. Ka ndodhur që për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe barnave, nuk kemi mundur t’u japim tretman pacientëve” thotë Shurdha duke shtuar se ka pasur raste kur ndihmë brenda ditës kanë kërkuar deri në 50 pacientë.

Stina e dimrit ëshë më problematike sepse frekuencat e ndotjes së ajrit kapin maksimumin.

“Termoelektranet e Kosovës (A dhe B) janë një ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë, prandaj janë ata të cilët duhet të rikonstruktohen dhe rinovohen, e jo të ndërtohet një termocentral i ri. Përpos renovimit duhet të vendosen filtrat të cilët filtrojnë tymin që del nga termoelektranat”, shton Shurdha.

Ajo thotë se është e domosdoshme që vazhdimisht të rinovohen dhe ndërtohen zonat e gjelbërta, ndërsa shkollat duhet të kenë si lëndë edukative mjedisin. Me rëndësi, thotë ajo është dalja e inspektorëve në terren për të evidentuar rastet dhe vendet ku duhet të ketë urgjent gjelbërim.

Në Raportin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re, specifikohen standardet mjedisore dhe teknike të cilat duhet të përmbush termocentrali i ri.

Kështu, parashihet se Termocentrali i ri të jetë me “teknologji superkritike” (me të cilin mund të prodhojnë më shumë energji) dhe efiçiencë prej më shumë se 40%. Një numër i ekspertëve thotë se do të përdoret më pak linjit se sa që konsumohet nga Termocentralet Kosova A dhe B.

Gjithashtu, parashihet se termocentrali në çdo 1 MW/h do të prodhojë 948.1 kg CO2 në atmosferë.

Për ekologen Hanife Bajraktari-Dajaku, një prej ndotësve më të mëdhenj të mjedisit janë gazrat si psh. hideokarburet, oksidet e azotit dhe monoksidi i karbonit të cilat i lirojnë veturat, në mjedis. Si pasojë, thotë Bajraktari-Dajaku, bimët mund dhe do të kenë mutacione të gjeneve.

Banorët e Komunës së Drenasit tash shumë vite ankohen për nivelin e lartë të ndotjes së tokës dhe ajrit. Për këtë akuzojnë fabrikën për prodhimin e nikelit “Feronikeli”. Para tetë viteve inspektorët kishin ndëshkuar këtë kompani me 40 mijë euro për mosvendosjen e mjeteve për mbrojtjen e hapësirës nga ndotësit. Udhëheqësit e “Feronikeli-t” janë detyruar të vendosin filtrat për mbrojtjen e atmosferës nga gazrat që lirohen nga fabrika.

Haki Bekolli, inspektor i ambientit në këtë komunë, në një prononcim për KosovaLive, thotë se sipas të dhënave nga monitorimi i pastërtisë së ajrit del se në periudhat e ndyshme ka tejkalime të emisioneve në ajër, shkaku edhe i gurorëve dhe gazrave nga veturat.

Një nga problemet me të cilën ballafaqohen qytetarët e Drenasit është edhe aroma e keqe e mbeturinave ose papërgjegjësia e qytetarëve të cilët shpesh djegin mbeturinat.

OJQ-ja CEDE (Center for Education and Development of Environment) tash tetë vjet, merret me hulumtimin dhe aktivitetet afatgjate për mbrojtjen e mjedisit në 38 komuna të Kosovës, me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve dhe nxënësve. Një nga aktivitetet e fundit të realizuar ka qenë ai me nxënësit e 30 shkollave në komunën e Drenasit kur u shpërndanë 30 komposterë për selektimin e mbeturinave.

Edhe Instituti GAP në Strategjinë e cilësisë së ajrit 2013-2022 mes tjerash i ka identifikuar Termocentralet (Kosova A dhe Kosova B), mihjet sipërfaqësore të linjitit, dhe “Ferronikelin” në Drenas, si burimet kryesore të ndotjes të ajrit në Kosovë.

Në Kosovë, industria e rëndë dhe ajo lehtë nuk janë të pranishme në numër si para luftes. Në ndonjë komunë ajo nuk ekziston as në formën e mëparshëm, por qytetarët prap ankohen për ndotjen e ajrit.

Kështu, për shembull, banorët e komunës së Gjakovës ankohen për një trafik mjaft të dendur sepse një numër i madh i makinave qarkullojnë brenda ditës nëpër qytet.

Sipas “Analizës së Gjendjes Ekzistuese Mjedisore” të komunës së Gjakovës, një nga problemet është edhe mungesa e vendeve të mjaftueshme për parkim dhe gazrat, të cilat lirohen nga makina të vjetra që ndikojnë në ndotjen e madhe të ajrit dhe ndikojnë në shëndetin e popullatës.

Në këtë analizë konstatohet se në territorin e komunës së Gjakovës nuk ka pika monitoruese të cilësisë së ajrit, me ç’rast edhe qytetarët do të mund të kishin informatat e sakta për nivelin e ndotjes të ajrit dhe do të mund të ndërmerrnin vetë masat “mbrojtjëse”, si për shembull të vendosin se a do të dalin në qytet ose a do t’i hapin dritaret.

Në një anketë jopretencioze të KosovaLive, me mostrën prej 91 personave, gjysma e tyre (48.4 për qind) kanë deklaruar se ndotësit më i madh në Kosovë është Termocentrali në Obiliq (Kosova A dhe KosovaB), 29,7 % mendojnë se janë gazrat nga veturat e vjetra, ndërsa 16.5% mendojnë se ndotja më e madhe vjend nga djegia e thëngjillit.

Pothuajse gjysma e respondentëve, (46.4%) thonë se kanë pasur probleme shëndetësore për shkak të ajrit të ndotur, ndërsa vetëm 16.6% e tyre thonë se janë përfshirë në aktivitete të cilat kanë ndihmuar në pastrimin e ajrit, si është mbjellja e pemëve ose mbledhja e mbeturinave.

Renea Begolli me Veronë Pollomi, Erëmirë Zogu dhe Linda Krasniqi

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM