Build Skills with our trainings

Sign up now!

Pyjet dhe mjedisi edhe tutje nën mëshirën e shoqërisë

Qer 1, 2019

Në fillim te muajit maj, në fshatin Pleshinë të komunës së Ferizajt, policia ka arrestuar shtatë persona të cilët janë kapur në flagrancë duke prerë drunj ilegalisht. Vetëm një ditë më vonë, policia i ka shoqëruar edhe 20 persona të tjerë, të cilët janë kapur duke bërë transport të drunjve në mënyrë të paligjshme, pa dokumentacion të vlefshëm.

“Me këtë rast janë konfiskuar 20 mjete të ndryshme transporti dhe një sasi e konsiderueshme e masës drunore për djegie. Apelojmë te qytetarët që mos të furnizohen me dru nga personat të cilët nuk posedojnë dokumentacionin përkatës lidhur me këtë veprimtari”, thuhej në një komunikatë të njësitit policor të komunës së Ferizajt.

Ndërsa në fund të muajit mars këtij viti është raportuar për disa djegie të pyjeve në vende të ndryshme të Kosovës brenda vetëm 24 orëve. Në fshatin Mramor të Prishtinës disa persona i kanë vënë zjarr pyllit duke lënë të djegur afro 0.5 hektarë, si dhe disa të tjerë i kanë vënë zjarrin një pjese të pyllit në fshatin Turjakë të Pejës. Djegie të pyjeve ka pasur edhe në Zveçan, ku janë djegur 1.5 hektarë, në fshatin Ribar i Madh të Lipjanit dhe në fshatin Burnik të Ferizajt.

Sipas te dhënave të Agjencia e Pyjeve të Kosovës, të publikuara në “Regjistrin e Gjelbër 2019” të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, vetëm në vitin 2017 autoritetet lokale kanë ngritur mbi 3,607 fletëparaqitje për kundërvajtje, dhe rreth 1,440 fletëparaqitje penale lidhur me dëmtimin e pyjeve. Po në të njëjtin vit është konfiskuar një sasi deri në 2,101 m³ dru teknik dhe zjarri.

Në një anketë jopretencioze të KosovaLive (86 persona), 83.7% e shohin prerjen ilegale të drunjve si dëmtues kryesor të pyjeve, më pas djegiet nga individët -65.1% , dhe së treti fajësojnë edhe mosmirëmbajtjen nga institucionet – 60.5%.

Gjatë muajit mars, në gjimnazin “Xhevdet Doda” të Prishtinës, ishte mbajtur një aksion për mbrojtjen e mjedisit përmes mbjelljes së 100 fidanëve në dy shkolla: 70 fidanë pishe në oborrin e gjimnazit, dhe 30 të tjerë në oborrin e Gjimnazit të Specializuar Matematikor.

Arbnor Nikaj, nxënës i klasës së dymbëdhjetë në gjimnazin “Xhevdet Doda” është treguar shumë entuziast për iniciativën dhe kontributin që ka dhënë ai vetë.

“Duke e ditur që drunjtë e marrin dioksidin e karbonit dhe na japin oksigjenin, jam ndier shumë mirë që kam dhënë kontribut për ajrin e Prishtinës i cili është shumë i ndotun. Gjithashtu, unë tash kam mësuar se si mbillen fidanët. Kam filluar t’i mbjell disa në shtëpinë time dhe do të vazhdoj të mbjell ende të tjerë”, ka thënë ai.

Fidaneve të mbjella, në këtë rast pishave, u duhen rreth 6-7 vjet për t’u rritur dhe për ta pasur efektin e plotë. 

Blerina Hoxha, spjegon arsyet që e nxitën që të organizojë këtë aksion në gjimnazin “Xhevdet Doda”, ku punon si profesoreshë e ekologjisë dhe shëndetit publik.

“Qëllimi i ynë është që ne të mundohemi të krijojmë sa ma shume hapësirë gjelbëruese brenda oborrit të shkollës, në mënyrë që të zvogëlohet niveli i ndotjes, të kemi hapësirë më të mirë dhe më të shëndetshme, si dhe për ta zvogëluar nivelin e zhurmës që shkaktohet nga treni dhe komunikacioni i dendur”, tregon Hoxha.

Iniciativa ishte përkrahur nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës, në bashkëpunim me Asociacionin Privat të Pyjeve në Kosovë dhe fondacionin holandez CNVP, i cili i përkrah aktivitetet për mjedisin. Mjetet e punës, nga ana tjetër, sipas Hoxhës ishin siguruar me të holla vetanake të mbledha nga nxënësit.

Bazuar në të dhënat e regjistrimit e fundit të realizuar në vitin 2012, 481,000 ha apo 45% e sipërfaqes së Kosovës është e mbuluar me pyje, që e bën Kosovën mjaft të pasur me pyje dhe resurse pyjore. Nga kjo sipërfaqe, në pronësi shtetërore janë rreth 295,200 ha (62%), ndërsa sipërfaqe të pyjeve në pronësi private janë 180,800 ha apo 38%.

Me Strategjinë për Zhvillimin e Pylltarisë 2010-2020, është synuar që të vihen në menaxhim rreth 30,000 ha sipërfaqe pyjore, dhe deri tash Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zvhillimit Rural e ka plotësuar planin me më shumë se 50%, ose rreth 17,488 ha.

Prerjet e parregullta vazhdojnë të jenë kërcënim për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e pyjeve. Për këtë arsye në maj të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka aprovuar Projektligjin për Pyjet, i cili ka për qëllim krijimin e bazës ligjore dhe tokave pyjore si resurse të ripërtëritshme me interes të përgjithshëm. 

Daut Maloku, kryetar i Partisë së të Gjelbërve të Kosovës thotë se institucionet qeverisëse nuk e zbatojnë ligjin dhe normat mjedisore.

“Institucionet mjedisore duhet të ringriten rrënjësisht nga e para, me buxhet të duhur, kuadro profesionale, resurse njerëzore që mund ta mbikëqyrin e monitorojnë zbatimin e ligjit 24 orë, si në komunikacion, nga se ngjashëm zhvillohet dinamika”, ka thënë Maloku.

Për rëndësinë e pyjeve për ajrin e pastër dhe shëndetin janë të vetëdijshëm edhe qytetarët e thjeshtë. Në anketën e KosovaLive 92% e të anketuarve kanë treguar interesim për të marrë pjesë në ndonjë iniciativë apo aktivitet për mbjelljen e fidanëve dhe shtimin e gjelbërimit. 

Organizata joqeveritare “Let’s Do It Kosova”, gjatë Javës së Tokës  (19-27 prill) kishte mbjell fidanë në disa komuna të Kosovës, si në Skenderaj, Deçan, Fushë Kosovë, Gjilan, e numri më i madh i fidaneve ishtë mbjellë në Prishtinë te “Fusha e Pajtimit” dhe Kampusi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Komunat në të cilat janë zhvilluar aktivitetet janë përcaktuar sipas vullnetit dhe interesimit të vetë komunave dhe në bazë edhe të nevojave për mbjellje në lokacione të caktuara. Poashtu i është kushtuar rëndësi edhe kthimit në hapësira të gjelbra të hapësirave që janë pastruar më parë”, tregon Dorentinë Aliu, koordinatore lokale në “Let’s Do It”.

Aliu tregoi se në të gjitha komunat ka qenë një interesim i madh i vullnetarëve.

“Çdo aktivitet në të mirë të mjedisit prek sadopak në ndërgjegjen e qytetarëve dhe të institucioneve përgjegjëse andaj iniciativa të tilla ‘Let’s Do It’ do të zhvillojë edhe më tutje me qëllim të përmirësimit të gjendjes së mjedisit në vendin tonë”, ka shtuar ajo.

Në dhjetor 2018 kjo organizatë kishte realizuar aksione pastrimi në një ndër komunat më të papastra, atë të Kastriotit (Obiliqit). Pyllëzimi në këtë komunë ka qenë gjithnjë aktual për shkak të ndotjes së madhe nga termocentralet Kosova A dhe B, dhe komuna, edhe në këtë rast aktual, kishte premtuar se ato zona të pastruara së shpejti do të gjelbroheshin. Për më Dtepër zyrtarë komunalë kishin pohuar se tashmë ishin konktraktuar kompanitë që do të merreshin me pyllëzim. 

Fitore Hashani, drejtoreshë për Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Kastriotit thotë se tani me Ligjin për këtë komunë është rregulluar buxheti dhe i është dhënë prioritet mjedisit dhe mbrojtjes së tij. 

“Gjatë aksionit janë pastruar rreth 32 deponi nga 39 të identifikuara me deponi inerte dhe jemi përfitues të grantit prej 100 mijë euro (nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor). Këto zona të pastruara janë shndërruar në gjelbërim, një nga to në park të qytetit si dhe disa në mbjellje të drunjve. Edhe të tjera priten të realizohen në parqe këtë vit, me buxhet komunal dhe nga MMPH e disa dhe me KEK”, ka thënë Hashani.

Sipas saj, komuna e Obiliqit nga viti 2014 deri sot ka mbjellë rreth 6 mijë drunj dhe planifikon që të vazhdojë me këtë ritëm edhe në vitet e ardhshme.

I riu Jeton Morina, banor i kësaj qyteze në afërsi të kryeqendrës, shprehet skeptik dhe konstaton me ironi.

“Po më duket që këta po sillen të gjithë rreth një druri, e po iu duket si park, pastaj po thonë ‘e kena pyllëzu’ ”, shprehet Morina.

RINA KRYEZIU me Violeta Blakçori, Albulena Hajrizi dhe Zamira Rexhapaj

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM