Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhjen e 65-të me radhë në të cilën ka miratuar strategji dhe dokumente tjera të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.
Strategjia e Sigurisë së Kosovës ka qenë dokumenti i parë që ka marrë miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Ky dokument përcakton drejtimet strategjike të politikave të sigurisë së brendshme dhe të jashtme të vendit tonë përmes të cilave do të sigurohet mbrojtja dhe partneriteti strategjik i sigurisë me miqtë tanë. Dokumenti është në frymën e promovimit të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe siguron mbrojtjen e interesave të vendit tonë dhe bashkëpunimin me partnerët strategjik të Kosovës.
Edhe Platforma Vjetore e Politikës së Inteligjencës dhe sigurisë për vitin 2021 ka marrë miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Dokumenti bazohet në ligjin për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Ky dokument i dërgohet për informim edhe Komisionit për Mbikëqyrje të Agjencionit Kosovar të Inteligjencës në Kuvendin e Kosovës.
Qeveria në takimin e sotëm e ka themeluar Komisionin Organizativ për shënimin e “Epopesë së UÇK-së” në përbërje:
- Z. Anton Çuni, Ministër i Mbrojtjes, Kryesues;
- Z. Bekim Jashari, Kryetar i Komunës së Skenderajt, anëtar;
- Znj. Vlora Dumoshi, Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, anëtare;
- Znj. Meliza Haradinaj-Stublla, Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, anëtare dhe
- Agim Veliu, Ministër i Punëve të Brendshme, anëtar.
- Zyra e Presidentit;
- Kuvendi i Kosovës;
- Komuna e Prishtinës;
- Organizatat e Dala nga Lufta e UÇK-së;
- Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe
- Organizatat e Shoqërisë Civile.
Kabineti qeveritar ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kuvajtit për statusin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në shtetin e Kuvajtit. Republika e Kosovës deri tash ka 15 marrëveshje të këtilla dhe në këtë frymë është vendosur që të nënshkruhet edhe marrëveshje me shtetin e Kuvajtit.
Qeveria ka miratuar edhe Koncept dokumentin për fushën e Policisë Ushtarake, i cili në bazë të analizës së ofruar i hap rrugë rregullimit ligjor të Policisë Ushtarake në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës që do të jetë një vlerë e shtuar për këtë institucion.
Edhe Strategjia e Mbrojtjes së Sigurisë ka marrë miratimin e Qeverisë së Kosovës me të cilën përcakton rregullimin konceptual dhe organizativ të mbrojtjes në Republikën e Kosovës. Strategjia riafirmon synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe bashkëpunimin me faktorët e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.
Qeveria ka miratuar edhe Strategjinë shtetërore të Republikës së Kosovës për menaxhimin e integruar të Kufirit 2020-2025 dhe Planin e veprimit për menaxhimin e integruar të kufirit 2020-2023. Ky dokument është obligim ligjor dhe ka për qëllim të menaxhojë sigurimin, ruajtjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror të vendit.
Qeveria ka miratuar një vendim për ndarje të mjeteve financiare për pagesën shtesë në pagë për institucione dhe sektorë të ndryshëm që kanë pasur angazhim të shtuar në përballje me pandeminë COVID-19 si në vijim:
- Për sektorin e arsimit ndahen mjetet shtesë financiare në vlerë prej 3,000,000 € (tre milionë euro) për pagesën e shtesës së parë për mësimdhënësit dhe personelin teknik/administrativ në sistemin para universitar;
- Për sektorin e sigurisë, përkatësisht zyrtarët policorë, ndahen mjetet shtesë financiare në vlerë prej 700,000 € (shtatëqind mijë euro);
- Për sektorin e emergjencave, përkatësisht Zjarrfikësit, ndahen mjetet shtesë financiare në vlerë totale prej 180,000 € (njëqindetetëdhjetë mijë euro);
- Për sektorin social, ndahen mjetet shtesë financiare në vlerë 78,000 € (shtatëdhjetetetë mijë euro), për pagesën e shtesave në pagë për punëtorët aktiv social në Qendrat për Punë Sociale;
- Për sektorin shëndetësor (në të gjitha nivelet) ndahen mjetet financiare si në vijim:
a). Shuma prej 100,000 € (njëqind mijë euro) për pagesën e shtesave në pagë për profesionistët shëndetësorë që kryejnë shërbime shëndetësore në sektorin publik bazuar në marrëveshjet kontraktuale që kanë me organizatat buxhetore në nivel lokal.
b). Shuma prej 160,000 € (njëqindegjashtëdhjetë mije euro) për pagesën e shtesave në pagë për punëtorët teknik të sektorit privat (pastrimi dhe sigurimi fizik) që kryejnë shërbime të kontraktuara për institucionet publike shëndetësore, për dy muaj shkurt dhe mars 2021;
Kategoritë tjera të sektorit publik që janë të angazhuar në menaxhim të pandemisë dhe janë të ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit nga COVID-19, që nuk janë pjesë e këtij vendimi apo vendimeve paraprake për shtesa të tilla, do të mund të trajtohen me vendime të veçanta të bazuar në vlerësimet profesionale të nivelit të ekspozimit ndaj rrezikut dhe mundësitë buxhetore, duke filluar nga muaji mars 2021 e tutje thuhet në komunikatën për media e Qeverisë së Kosovës.