Build Skills with our trainings

Sign up now!

Bërja e biznesit në Kosovë përplot sfida

Qer 30, 2019

Diola Dosti Baftiu nga Ferizaj këtë vit ka nxjerrë në treg kremën e saj të parë bio për fytyrë, me emrin “Dbotanicals”.

Ky produkt është i pari në Kosovë në fushën e farmacisë që mund të blehet edhe jashtë Kosovës. Shitja e produktit të saj ka disa muaj që ka nisur të bëhet në tërë botën. Por, ajo thotë se për ta arritur një gjë të tillë nuk ka qenë aspak e lehtë për të.

Investimet që ajo ka bërë deri në nxjerrjen e produktit të saj në treg kanë qenë pa ndihmën e askujt dhe vetëm nga të ardhurat vetanake të saj.

“Në Kosovë nuk është lehtë të bëhet biznes. Personalisht mbështetje nuk kam patur. Madje, në disa tentativa të miat për projekte nëpër ministri, qoftë në Ministrinë e Bujqësisë apo edhe në atë të Arsimit, për sa i përket ushqimit organik dhe edukatës së të ushqyerit, nuk kam marrë përgjigje pozitive. Dhe kjo më ka bërë që të heq dorë nga kërkimi i suportit nga ana e qeverisë. Jam munduar t’i bëj gjërat vetë”, shprehet Dosti Baftiu.

Ajo thotë se ndonjëherë të rrezikosh të bën të “biesh me kokë”, por megjithatë ka vendosur të rrezikojë.

“Në fund të fundit, pa rrezikuar nuk e dimë nëse do fitojmë apo jo. Me zonën e komfortit nuk i kam mirë punët. Gjithmonë provoj, them ‘të dalë ku të dalë, unë do ta bëj dhe pikë!’ Dhe në rastet ku kam dështuar, kam mësuar”, thotë Dosti Baftiu.

Çka është edhe më e dobishme, me këtë biznes , ajo ka mundësuar që prodhimin e kremës “Dbotanicals”, të jenë kontribues edhe 50 familje në tërë Kosovën, të cilat merren me grumbullimin dhe kultivimin e bimëve organike.

Të njëjtën përvojë të mungesës së mbështetjes financiare nga institucionet kosovare i ka edhe prodhuesi vendor i asparagusit, Alkend Tahirsylaj. Ai që nga viti 2012 merret me kultivimin e asparagusit që shitet në tregun vendor, ndërsa në sasi të vogla në shtetet e rajonit, si në Shqipëri dhe Mal të Zi. Kontaktet me blerësit dhe financimin e biznesit të tij e ka bërë vetë.

“Deri tek kontakti me blerësit jashtë Kosovës kemi arritur vetë nëpërmjet platformave të ndryshme në internet. Për sasitë që i kemi eksportuar këtë vit nuk kemi pasur ndonjë vështirësi, kjo edhe duke e pasur parasysh që këto vende nuk kanë prodhim të asparagusit. Pjesën më të madhe të investimit e kemi bërë me mjete vetanake, por fillimisht e kemi pasur edhe një grant nga USAID që na kanë siguruar rrënjët e asparagusit. Ndërsa, vitin e kaluar e kemi përfituar edhe një grant të vogël nga Helpi gjerman”, thotë Tahirsylaj.

Ai thotë se në Kosovë është e vështirë të bëhet biznes për shkak të konkurrencës jo të mirëfilltë si dhe bizneseve të tjera partnere me të cilët ka bërë kontrata dhe nuk i respektojnë ato.

“Jo, në Kosovë nuk është e sigurt të bërit biznes. Aq më pak biznes bujqësor, ku çdo gjë varet edhe nga kushtet klimatike e mbështetje prej shtetit nuk ka”, tregon Tahirsylaj.

Kultivimin e asparagusit e ka filluar në sipërfaqe prej 0.5 hektarë, dhe ka vazhduar ta rrisë sipërfaqen tokësore çdo vit. Ai tani mbjellë 2.5 hektarë me asparagus.

Ekspertë të çështjes së ekonomisë vlerësojnë se vështirësitë për të bërë biznes jashtë Kosovës nga bizneset kosovare, pa pasur edhe bashkëinvestitorë nga jashtë, është pothuajse e pamundur, kryesisht për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme financiare që ata i kanë në dispozicion.  

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Ymer Havolli thotë se sfidat dhe problemet që bizneset kosovare hasin për të bërë biznes jashtë vendit janë të shumta. Edhe ai thotë se mungesa e mjeteve financiare ia pamundësojnë ndërmarrësve kosovarë që ta arrijnë nivelin europian për shitjen e produkteve të tyre pa patur bashkëinvestitorë. 

Por, sipas tij, probleme nuk ka vetëm për bizneset kosovare. Problem është edhe jointeresimi i investitorëve të huaj për të investuar në tregun e Kosovës.

“Është çështja e rrethinës së papërshtatshme për biznese. Stabiliteti politik nuk është në rregull. Askush nuk vjen të investojë në një vend jo stabil. Shtetet e Europës, Ballkanin e konsiderojnë me rrezikshmëri të lartë për investime. Askush nuk investon në një shtet kur shifrat e korrupsionit dhe nepotizmit në institucione janë kaq të mëdha. Shkaqet janë këto: jostabiliteti politik, mungesa e një strategjie të duhur për tërheqjen e investitorëve të huaj, mosfunksionimi i ligjeve etj.”, thotë Havolli.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, për investimet e huaja direkte sipas shteteve, në vitin 2018 kanë qenë mbi 212 milionë euro. Kurse, në tre mujorin e parë  të këtij viti në Kosovë ka pasur 62, 3 milionë euro investime të huaja direkte sipas shteteve. 

Ekspertët e çështjeve të ekonomisë kanë kritikuar shpeshherë qeverinë e Kosovës se vendet rajonale ofrojnë kushte më të mira për investitorë, por Kosova vazhdon të mbetet në vendin e fundit në rajon sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja direkte.

Sipas të dhënave të ministrisë së Integrimeve Evropiane numri i përgjithshëm i kompanive të huaja që operojnë në Kosovë arrin në rreth 4210. Investimet në sistemin bankar paraqesin vlerën më të madhe financiare me kapital të huaj, ku Shqipëria zë vendin e parë për nga numri i bizneseve të regjistruara.

Kompanive të huaja sipas sektorëve të ekonomisë më shumë investojnë në tregti 1674 (40%), prodhim 624 (15%), konstruksion 502 (12%) , turizëm dhe hoteleri 310 (7%), transport 158 (4%) etj.

Qeveria Haradinaj në kohën e fundit është munduar që nëpërmjet krijimit të infrastrukturës ligjore, dhe themelimit të zonave të veçanta ekonomike, përfshirë edhe Zonën e Veçantë Ekonomike Amerikane në Komunën e Gjakovës t’i tërheqë investimet e huaja. Mirëpo, fakt është se numri bizneseve jo vetëm të huaja por edhe vendore po bie.   

Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve Kosovare (ARBK) gjatë katërmujorit të parë të këtij viti u regjistruan 3 mijë e 294 biznese, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ku ishin të regjistruara 3 mijë e 556 biznese. Kjo është një rënie për 262 biznese.

Në anën tjetër nuk ka ndryshime sa i përket numrit të bizneseve të jashtme të regjistruara: figurojnë vetëm16 biznese të jashtme, aq sa ishin vjet. Në ndërkohë nuk është regjistruar asnjë biznes tjetër i ri.   

Ndonëse Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) e konsideron lajm të mirë numrin prej mbi 3,000 biznesesh të regjistruara këtë vit, sipas tyre vetëm 30 për qind e bizneseve të regjistruara janë funksionale në vitin e parë.

Krijimi i vendeve të reja të punës dhe krijimi i një strategjie për tërheqjen e investitorëve të huaj listohen nga ekspertë të çështjeve ekonomike si dy prioritetet më të rëndësishme në aspektin ekonomik për vitin 2019.

Kosova si një vend me papunësi të lartë me mbi 30 për qind, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe me rreth 3 miliardë euro import në vit, kërkon sipas ekspertëve, që institucionet të marrin masa konkrete në përmirësimin e këtyre dy aspekteve ekonomike.

“Bilansi i Kosovës është negativ. Qeveria duhet ta bëjë një strategji, e cila i tërheq investitorët e huaj. Duhet të merren hapa konkretë për hapje të vendeve të reja të punës, të zvogëlohet varfëria dhe të ndalet eksodi i ikjes së të rinjve nga Kosova, drejt shteteve europiane”, shprehet Ymer Havolli.

Njohës të mirë të çështjeve ekonomike paralajmërojnë se për investimet e huaja është parakusht edhe stabiliteti makroekonomik, normat e parashikueshme tatimore, qasja në financa si dhe zbatimi i mirë i kontratave.

Kosova e ka Ligjin për Investime Strategjike që ka për qëllim mbrojtjen e investitorëve potencialë dhe ka nënshkruar memorandume me shumë shtete të Bashkimi Europian të cilat u japin garanci investitorëve në Kosovë.

Qëllimi kryesor i këtij ligji është eliminimi i barrierave, procedurave burokratike – penguese të deritashme – procedurave të stërgjatura e deri te rritja e transparencës për realizimin e investimeve të huaja në Republikën e Kosovës, por edhe i mundëson Qeverisë që të negociojë drejtpërdrejtë me investitorët e huaj, por edhe ata vendorë.

Por, njohës të çështjeve ekonomike thonë se ekziston rreziku për implementimin e këtij ligji, pasi që qeveria merr shumë kompetenca, duke mos iu nënshtruar asnjë kontrolli të jashtëm. 

VJOSA ÇERKINI me Florie Berisha, Bleona Çitaku dhe Saranda Çerkini Jahiri 

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM