Në Burgun e Sigurisë së Lartë, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi së bashku me u.d. drejtorin e Burgut të Sigurisë së Lartë, Burim Buleshkaj, pritën në takim shefin e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars- Gunnar Wigemark.
Në takim u bisedua lidhur me punët dhe bashkëpunimin në mes të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX.
Gjatë takimit, Thaçi e njoftoi Wigemark rreth sigurisë, sfidave dhe të arriturave të SHKK-së. Po ashtu, e njoftoi edhe mbi menaxhimin e masave kundër pandemisë COVID-19, ku si rezultat i menaxhimit të deritanishëm, aktualisht asnjë i burgosur nuk është i prekur nga pandemia.
Thaçi dhe shefi i EULEX-it, Wigemark shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm në arritjen e misionit dhe mandatit të të dyja institucioneve, thuhet në komunikatën për media e SHKK-së.