Build Skills with our trainings

Sign up now!

Keqpërdorimi i mediave gjatë raportimit të rasteve të ndjeshme

Shk 26, 2021

Synimi i mediave për të qenë të parët dhe më senzacionalë shpeshherë çon në shkeljen e kodit të etikës. Nuk janë të rralla rastet kur mediat e ndryshme zbulojnë identitetin e viktimave, nxisin, përhapin gjuhën e urrejtjes dhe i cenojnë të drejtat themelore të fëmijëve e të miturve.

Vrasja e të miturit A.Z. në Prishtinë para dy vjetve është një nga rastet kur mediat në vend kanë zbuluar identitetin e viktimës përmes fotografive të nxjerra nga Facebook-u.

Duke u bazuar në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës, mediat në asnjë mënyrë nuk duhet të identifikojnë fëmijët nën moshën 18 vjeçare të cilët janë të përfshirë në ngjarje.

Musa Sabedini, ligjërues në Kolegjin UBT, në Degën e Medias, ka thënë se ky rast ka treguar se gazetaria kosovare ka defekte serioze, pasi nuk respektohet aspak kodi etik.

Rasti i A.Z. e dëshmon qartë se media kosovare ka defekte serioze sepse nuk respektohen minimumet e mundshme të kodit etik. Nuk mund të jemi gazetarë pa ndjenja derisa raportojmë për vrasjet, dhunimet, plagosjet, trazirat, trafikimin, korrupsionin, prostitucionin, por emocionet dhe paragjykimet gjatë raportimit, janë e keqja më e madhe e gazetarisë”, tha Sabedini.

Në anën tjetër, anëtari i Këshillit i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), Lavdim Hamidi, thotë se shumica e mediave në Kosovë e respektojnë kodin e mbrojtjes së fëmijëve dhe të të miturve.

“Shumica e mediave në Kosovë e respektojnë kodin e mbrojtjes së fëmijëve dhe të miturve. Megjithatë, në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës ka pasur raste kur nuk është respektuar një kod i tillë, me ç’rast edhe është konstatuar shkelja, por bëhet fjalë për raste të rralla”, tha Hamidi për KosovaLive.

A.Z., 16-vjeçar, u gjet i vrarë në afërsi të shkollës “Model”, në Prishtinë. Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë tre të mitur.

Një tjetër rast që tronditi opinionin publik, ishte raportimi se një vajzë nga Drenasi ishte abuzuar seksualisht në moshën 16 vjeçare nga profesori i saj. Pas denoncimit në polici nga viktima, hetuesi policor kishte abuzuar seksualisht me të dhe në janar të këtij viti, e kishte detyruar të kryente abort të padëshiruar në një klinikë private në Prishtinë. Raportimi i këtij rasti nga mediat  në vend u përcoll me shumë kritika.

Pas arrestimit të personave në këtë ngjarje, në media filluan të publikoheshin disa biseda të nxjerra nga telefoni i së dëmtuarës. Për këtë kishte reaguar gazetarja Jeta Xharra.

Xharra alarmoi opinionin se po përgatitej një fushatë për njollosjen e vajzës nga Drenasi, dhe se për këtë ishin duke ndihmuar edhe mediat. Ajo kishte theksuar se kjo mënyrë e raportimit do t’i frikësojë të mbijetuarat e dhunës t’i raportojnë rastet e tyre në organet kompetente, nga droja se do të linçohen publikisht.

“Po dëgjoj që është duke u përgatitur një fushatë për ta njollosur vajzën që e ka raportuar hetuesin e famshëm në Policinë e Drenasit dhe arsimtarin që e ka dhunuar. Krejt ata gazetarë e media që mendojnë se po bëjnë ndonjë gazetari “hulumtuese”, duke rënë pre e mesazheve që qëllimisht është duke i rrjedhur Inspektorati i Policisë (kinse duke e hetuar policin e këndej duke këqyrur të marrin mesazhe prej telefonit të konfiskuar të asaj vajzës), mos mendoni që s’keni përgjegjësi nëse e traumatizoni një viktimë ashtu-kështu të trishtuar! Nëse ju media i grahni kësaj fushate, dijeni që më askush s’do të guxojë ta raportojë dhunimin, por do të durojë të jetë viktimë e dhunës nga frika që do ta etiketojnë si ‘kurvë’!”, kishte shkruar Xharra në profilin e saj në Facebook.

Kaltrina Kelmendi, ligjëruese në Fakultetin Filozofik, në Degën e Psikologjisë, thotë se arsyeja pse kemi të raportuara kaq pak raste të dhunës është për faktin se mbizotëron diskursi i fajësimit të viktimës.

“Rasti i vajzës së Drenasit për përdhunim, rasti i gruas rome, por edhe rastet e tjera, mendoj se i kontribuojnë riviktimizimit të rasteve për shkak të mënyrës se si raportohet për to dhe prej mënyrës se si flitet për këto raste, në media sociale dhe përtej tyre. Mund të themi se në shumicën e diskutimeve mbizotëron diskursi i fajësimit të viktimës për atë se çka ka përjetuar individi, prandaj edhe nuk do të duhej të jetë e çuditshme për ne pse kemi kaq pak raste të raportuara”, tha Kelmendi për KosovaLive.

Sipas një publikimi të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN), thuhet se gjatë raportimit të krimit apo rasteve gjyqësore, ku shpesh përfshihen në histori fëmijët si viktima, të lënduar apo në role të tjera, identifikimi i tyre në media, i familjeve të tyre apo vendit ku banojnë haset vazhdimisht në të përditshmet shqiptare apo televizionet.

Në publikimin e BIRN Albania të Manualit mbi “Raportimin e Ngjarjeve Kriminale dhe Çështjeve Gjyqësore në Media”, janë paraqitur tri raste të raportuara nga mediat, me ç’rast këto lajme përmbanin të dhëna të ndjeshme lidhur me viktimat.

“Në tetor të vitit 2012, një grua nga Saranda, akuzoi partnerin e saj se kishte abuzuar seksualisht me vajzën e saj tetëvjeçare. Vajza u identifikua lehtësisht nga media, për shkak të identifikimit të nënës së saj si dhe zonës ku familja jetonte. Një rast tjetër që shkaktoi shumë debate publike ishte publikimi i një dokumenti zyrtar që përmbante deponimin e një të akuzuari për dhunë seksuale ndaj një minoreni në mars të vitit 2013. Informacioni i publikuar përmbante detaje të rënda të dhunës dhe abuzimit seksual ndaj një djali 10-vjeçar. Pastaj, në nëntor të vitit 2016, një kronikë televizive në një prej televizioneve me format informativ, bëri të mundur publikimin e të dhënave identifikuese për një të mitur në Dibër, e cila dyshohet se ishte abuzuar nga babai në nëntor 2015”, thuhet në manual.

Keqpërdorimet në raportimin e rasteve të ndjeshme, shkak drejtuesit e papërvojë 

Analisti Agron Halitaj thotë për KosovaLive se ende vërehet një tendencë e ruajtjes së frymës profesionale të të bërit gazetari në Kosovë, edhe pse çdoherë ky profesion po rrezikohet nga drejtuesit e papërvojë të mediave.

“Kur flitet për punën e mediave, së pari duhen shmangur përgjithësimet. Kjo vlen edhe për rastin konkret kur flitet për nivelin e respektimit të kodit etik nga ana e tyre. Te disa media, e që mjerisht janë të pakta në numër, ende vërehet një tendencë e ruajtjes së frymës profesionale e të bërit gazetari. Ato edhe i respektojnë normat e të shkruarit gjatë një raporti apo të përgatitjes së një kronike në televizion, ku si subjekt i kanë viktimat e natyrave të ndryshme. E keqja qëndron te shumica tjetër e mediave, e veçmas te pjesa dërrmuese e gazetave online dhe e portaleve. Shumë sosh drejtohen nga njerëz të papërvojë në gazetari, disa drejtohen nga gazetarë që kanë devijuar në profesion dhe janë bërë bisnesmenë, e disa udhëhiqen nga njerëz që nuk e njohin fare këtë profesion. Në të tilla media, ka edhe shkelje drastike të etikës mediale, cenim të privatësisë dhe denigrim të personaliteteve. Raportimet pa kritere e pa etikë, lënë pasoja të mëdha tek ata që bëhen subjekt i lajmit. Në vendet e zhvilluara, mediat që bëjnë shkelje të rënda të etikës nuk kanë jetë të gjatë, pasi u duhet të paguajnë shuma të mëdha parash si dëmshpërblime”, thotë Haliti.

Sipas një përmbledhjeje nga të gjeturat e Treguesit të nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve, Mediat online vazhdojnë të vërshojnë skenën mediale, ndërsa numri i përgjithshëm i tyre mbetet i panjohur. Shumë sosh nuk i kanë të paraqitura informacionet se kush janë pronarët dhe kush punon në redaksitë e tyre, madje as emrat e gazetarëve nëpër artikuj. Duke qenë se mediat online janë në numër më të madh, shkeljet më të shumta bëhen nga këto të fundit, tregon Hamidi per KosovaLive.

Janë dhjetëra raste të tilla brenda vitit që KMSHK-ja merr vendim për shkelje të etikës gjatë raportimit nga mediat. Në çdo rast të raportimit joprofesional, kur ankesat e bazuara deponohen në KMSHK, ky i fundit i konstaton shkeljet. Për shkak të numrit më të madh të mediave online (portaleve), shkeljet më të shumta bëhen nga këto të fundit dhe më pak ka raste nga gazetat, pasi në Kosovë janë vetëm katër gazeta ditore dhe dhjetëra portale”, tha ai.

Prirjet e gjuhës së urrejtjes në mediat vendore

Përveç shkeljes së kodit për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve, raportimi i mediave në Kosovë është ndeshur edhe me kodin për Nxitjen dhe Gjuhën e Urrejtjes. Si pasojë e raportimit joprofesional, një grua e komunitetit rom u linçua e u sulmua nga disa të rinj në Lipjan dhe në
Ferizaj. Gjithçka filloi me raportimin në disa media online se si një burrë i veshur si grua, është shfaqur nëpër rrugët e qyteteve kosovare dhe po grabit fëmijët. Lajmi u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe gruaja rome përfundoi e poshtëruar në rrugë.

Më vonë, Policia e Kosovës deklaroi se gruaja rome nuk dyshohet të ketë kryer asnjë vepër penale, por edhe përkundër kësaj, asnjë nga portalet që publikuan këtë lajm të paverifikuar nuk i kërkuan falje publikut për gabimin e tyre. Pas këtij sulmi kishte reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ). Sipas tyre, pa asnjë arsye dhe pa asnjë faj gruaja iu nënshtrua një degradimi dhe një linçimi publik me ç’rast, në Lipjan iu rrezikua jeta nga një grup huliganësh që përveç se e fyenin në baza racore, e gjuanin edhe me gurë.

“Liria e lëvizjes është e garantuar me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe këto liri mund t’i kufizojë vetëm ligji e që në rastin konkret ishte e kundërta; ligji nuk e mori në mbrojtje një qytetare të pafajshme që u rrezikua nga një grup huliganësh”, thuhet në deklaratë.

Sipas profesorit Musa Sabedini, ky është rasti konkret ku janë shfaqur paragjykime, ka pasur gjuhë të urrejtjes dhe është treguar joprofesionalizëm i skajshëm.

“Kur u sulmua gruaja rome, askush ose pak media shtruan problemin kryesor. Pse dhe si erdhi deri te sulmi i saj, kush ishin nxitësit dhe kujt i shkoi për shtati kjo skenë tejet e pahijshme? Pra ishin portalet joprofesionale që lansuan lajmin se ajo po tregohet e rrezikshme dhe se gjoja po kidnapon fëmijë”, tha ai.

Çka duhet të bëjë media në parandalimin e linçimeve?

Sipas Kaltrina Kelmendit, mediat mund të bëjnë shumë jo vetëm në fushën e parandalimit ndaj rivikimizimit, por mund të ndikojnë edhe në mënyrën se si mendojmë ne për këto dukuri apo edhe çfarë qëndrime kemi për to bazuar në mënyrën se si ata e japin dhe se si e kornizojnë lajmin.
Ajo thotë se mënyra tjetër e vetëdijësimit ka të bëjë me gjuhën që përdoret për të prezantuar këto dukuri.

“Do të duhej që mediat t’i përdorin evidencat, jo të flasin me hamendje, të mos përdorin etiketimin si “viktimë”, por “i/e mbijetuara” apo person që ka përjetuar dhunë seksuale, të kërkojnë sugjerime prej personit për gjuhën që duhet përdorur, të përdorin gjuhën që e thekson se përgjegjësia e një akti bie mbi ushtruesin e atij akti, gjuhën që e thekson rëndësinë dhe ndjesinë e një akti abuzimi, që thekson se dhuna seksuale nuk ka të bëjë me marrëdhënien
seksuale, por ka të bëjë me dhunën, të mos bëjnë prezantimin e individit në mënyrë stereotipike viktimizuese, por në mënyrën se si kjo përvojë i ka kontribuuar rritjes se tyre personale, të theksojnë rëndësinë e asaj që secili ka të drejtë të ndjehet i/e sigurt dhe të ketë qasje në përkrahje të ndryshme dhe institucionale, të theksojnë se abuzimi dhe format e tjera të dhunës të bëra në formën ‘online’ janë po aq serioze edhe të rënda sikurse të tjerat, pasojat fizike, psikologjike, sociale dhe financiare që mund të kenë përjetimet e ndryshme abuzuese dhe se përvoja abuzuese nuk e definon identitetin e individit”, u shpreh ajo.

Majlinda Ibrahimi

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM