Pas përfundimit të shkollës fillore, pyetje kryesore për nxënësit dhe prindërit e tyre është cilën shkollë ta zgjedhin për të vazhduar. Shumica e nxënësve zgjedhin gjimnazet, të tjerët shkollën profesionale.
Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në komunën e Prishtinës në gjimnaze prej 8,401 nxënësve ka më shumë vajza 5,524 ndërsa në shkollat profesionale ka gjithsej 5,813 nxënës, prej tyre 2,451 femra.
Në shkollën e mesme profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, ku nxënësit mund të aftësohen në drejtimet makineri, automekanik, dizajn, instalues uji, saldator, metal punues, transport, tekstil, trafik, rrobaqepësi, dizajn, dirigjim kompjuterik i makinave, ka një numër shumë të vogël të vajzave krahasuar me djemtë – nga 852 nxënës prej tyre, vetëm 235 vajza.
Zakonisht për drejtimet automekanik, instalues uji, saldator dhe metalpunues interesohen vetëm djemtë, ndërsa në drejtimin rrobaqepësi ka kryesisht vajza.
Arsyeja pse ekziston “ndarja” e profesioneve sipas “gjinisë”, mësimdhënësja e dizajnit në këtë shkollë, Marigona Sahiti thotë se kështu i orientojnë në familje si fëmijë.
“Qysh (si) fëmijë djemtë shkojnë tek makinat dhe vajzat tek kukullat me fustana. Në Kosovë është krijuar një mentalitet i tillë që disa drejtime janë vetëm për djemtë ose vetëm për vajzat”, tha Sahiti.
Sipas saj nxënësit që mbërrijnë të përfundojnë shkollën profesionale kanë shumë përfitime.
“Mësojnë gjërat që do i mësojnë edhe në fakultet: skicim, prerje, dizajn”, thotë ajo.
Edhe Hatixhe Paҫarizi, mësimdhënëse e lëndës “njohuri automjetesh”, tha se nxënësit këtu trajnohen për punë praktike dhe dalin të aftë për punë, madje shumica edhe punojnë.
“Këta nxënës përfitojnë shumë nga shkollimi profesional. Gjejnë më lehtë punë. Pothajse secili është në punë”.
Nga ana tjetër, Paҫarizi nuk përjashton mundësinë se ka edhe nxënës që vijnë në këtë shkollë për shkak të suksesit të dobët.
“Disa vijnë sepse kanë biznese familjare, dëshirojnë të shkojnë në universitet dhe të licensojnë bizniset familjare”, tha ajo.
Arjeta Ramosaj dhe Djellza Gashi kanë përfunduar shkollën e mesme profesionale për matematikë dhe ekonomi, “Tafil Kasumaj” në Deҫan, ku këtë vit shkollor ka 502 nxënës, prej tyre 315 djem dhe 187 vajza.
Ato thonë se u është plotësuar dëshira për të ndjekur studimet në lëminë e njëjtë.
“Kam zgjedhur shkollën e mesme teknike për shkak se kam menduar që do të më ndihmojë të përgatitem për drejtimin që kam dashur të zgjedh në fakultet – matematikën. Drejtimet që kanë qenë atje më janë përshtatur edhe profesorët kanë punuar shumë me ne”, tha Arjeta.
Gashi po ashtu ndjek studimet për ekonomi.
“Kam qenë në drejtimin ekonomik sepse gjithmonë më ka tërhequr ekonomia. Më pëlqen puna që e zhvillojnë bankat, procedurat e ekonomisë… Një menaxhim i mirë ekonomik ndihmon shtetin tonë të jetë i suksesshëm”, tha Djellza Gashi.
MASHT-i realizon disa aktivitete për orientimin në karrierë të vajzave. Një aktivitet i tillë është “Dita e Vajzave” që organizohet nga viti 2010, nëpër komuna të Kosovës, me qëllim që vajzat të vetëdijësohen të mos tregojnë mungesë interesimi për profesionet e ashtuquajtura tipike për meshkuj.
Fatime Jasiqi, zyrtarja për barazi gjinore në MASHT thotë se ҫdo ditë shohin vajzat të cilat punojnë në kafiteri të ndryshme, por nuk janë të shkolluara në atë drejtim sepse hezitojnë regjistrimin, në drejtimin e hotelierisë.
Edhe pse shkollat profesionale ofrojnë më shumë mundësi për tregun e punës shumica e vajzave prapë zgjedhin gjimnazin natyror ose shoqëror.
Fatime Jasiqi thotë se gjatë trajnimit “Dita e Vajzave”, ato kanë numëruar arsye pse zgjedhin gjimnazin, dhe si arsye kryesore kanë përmendur që pas studimeve do ta gjejnë një punë në sektorin publik ku do të kënë kontratën e punës, rrogën e rregullt dhe më shumë kohë të lirë.
Xheneta Hasani