Build Skills with our trainings

Sign up now!

Mungesa e pronës po i lë gratë pa biznese

Maj 8, 2017

Blerina Xhaqku, 28 vjeçe nga Kamenica, nënë e dy fëmijëve, është njëra nga shumë gratë që ka dashur të ketë biznesin e saj. Burri i saj, Fatmiri, ka biznesin e tij, merret me rregullimin e kopshteve me lule dhe pllaka. Ajo nuk e ka mundësinë që të përcjellë hapat e burrit të saj, sepse familja e saj, siç thotë, nuk e kanë ndarë trashëgiminë në mënyrë të barabartë me vëllezërit. Rrjedhimisht i është pamundësuar ta realizojë dëshirën dhe idenë e saj.

“Gjithmonë kam dashur të kem biznesin tim, të jem një grua ndërmarrëse dhe e pavarur. Por, në ndarjen e trashëgimisë brenda familjes nuk më është dhënë asnjë pjesë. Pa pasur një garanci për ta lënë në hipotekë, për shembull, nuk kam pasur mundësi për kredi dhe ta hapi biznesin tim. Si pasojë e kësaj, dëshira më është shuar dhe tani kujdesem për dy fëmijë”, tha Xhaqku.

Sipas rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore që janë bërë në vitin 2016 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ekzistojnë dallime të mëdha gjinore në tregun e punës. Pothuajse një në pesë (19.6 %) femra në moshë pune janë aktive në tregun e punës, krahasuar me rreth tri të pestat (62.4 %) e meshkujve në moshë pune. Në mesin e personave në fuqinë punëtore, papunësia është më e lartë për femrat sesa për meshkujt – 34.3 % respektivisht 26.9 %.

Syzane Aliu, drejtoresha e firmës “Magic Ice” e cila gjendet në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, thotë se kohëve të fundit në biznesin e saj i ka ndihmuar edhe Komisioni Evropian, USAID-i dhe Ministria e Bujqësisë.

“Magice Ice” ka filluar punën në vitin 2004, me përpunimin e qumështit dhe ka qenë prodhues i 30 lloj të akulloreve. Në vitin 2007 ka filluar edhe me prodhimin e bylmetit (kos, djathë i bardhë, kaçkavall, riccota, ajkë etj), të cilin e plasoi zakonisht në tregun e Kosovës.

Investimi në biznesin e saj ishte kapitali vetanak, edhe pse shpesh, siç thotë, ndërmarrësia është konsideruar dhe po konsiderohet si “territor i meshkujve”. Por Aliu beson se në të ardhmen ky paragjykim do të ndryshojë gradualisht.

Ajo shpreh keqardhje se në shoqërinë tonë pyetja e parë kur lind dikush është: a është djalë a vajzë?

“Pra, vajzat shihen si pjesë e dobët që nga dita që marrin frymë. Mirëpo secila/secili prej ne duhet të fillojë me veten dhe ne para fëmijëve tanë duhet gjithmonë të kemi moto ‘barazia gjinore në mes vëllezërve dhe motrave’. Duke filluar nga përmirësimi i vetes vetëm kështu mund t’i shtyjmë gratë e tjera të angazhohen më shumë në biznese”, thotë Syzana Aliu.

Diamant Binaku, trajner në Qendrën për Trajnime dhe Studime Gjinore me seli në Prishtinë, mendon se gratë në Kosovë e kanë të vështirë fillimin e ndonjë biznesi për arsye se pjesa më e madhe e tyre nuk posedojnë mjete materiale dhe as mbështetje të nevojshme.

“Arsyet janë të shumta, por ajo më kryesorja është mungesa e pronës në emrin e tyre, të cilën pronë do të mund ta linin si hipotekë apo kolateral për të marrë një kredi të nevojshme për të hapur biznes. Gjithashtu, gratë kanë mungesë të mjeteve materiale, mungesë të mbështetjes financiare qoftë nga bankat apo institucionet e tjera financiare. Përderisa bankat apo institucionet e tjera financiare në Kosovë nuk lëshojnë kredi në shumën e nevojshme për fillimin e një biznesi pa pasur një garanci si hipotekë në pasuri të paluajtshme, gratë nuk po munden të hapin bizniset e tyre”, tha Binaku.

Edhe në publikimin në web faqen e Rrjetit të Grupeve të Grave në Prishtinë konstatohet se gratë zakonisht nuk kanë qasje në asete, përfshirë këtu edhe pronën, që menaxhohet nga burrat brenda familjeve të tyre. Gjithashtu qasja e pamjaftueshme në punësim, pronë dhe financa të familjes, i vendos gratë në një pozitë të pasigurt.

Besarta Breznica

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM