Gëzimin për ardhjen në jetë të një foshnjeje e shoqëron edhe “brenga” për të gjetur një emër sa më të veçantë dhe domethënës. Sa më shumë që kalojnë ditët, bëhet edhe më i vështirë vendimi përfundimtar.
Viteve të fundit, në vendin tonë vërehet një prirje e emrave sa më të shkurtër dhe ndërkombëtarë. Por, në bazë të listave në zyrën e ofiqarisë në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë, edhe emrat me domethënie fetare janë mjaft të shpeshtë. Gjithashtu, ka raste të ripërtëritjes së emrave të anëtarëve të familjes, posaçërisht të gjyshërve.
Agjencioni i Statistikave të Kosovës, për herë të fundit ka publikuar një listë të emrave më të shpeshtë në vitin 2013, ku rezulton se emri më i shpeshtë i vajzave ka qenë Alea (154), ndjekur nga emri Tuana (118). Emri më i përhapur për meshkuj ka qenë emri Diar (122), ndërsa në vendin e dytë është emri Amar(117).
Për vitin 2014 dhe gjysmën e parë të vitit 2015, Agjencioni i Statistikave të Kosovës nuk ka dalë ende me një raport të ri zyrtar për emrat më të përhapur. Por, gjatë një vizite që Kosovalive i bëri ofiqarisë në Klinikën e Gjinekologjisë, ofiqarët Musli Veliu dhe Muhamet Ramadani treguan se gjatë vitit 2014 dhe gjashtëmujorit të parë të vitit 2015, dominojnë emrat fetarë muslimanë.
Për djemtë e posalindur, edhe këto dy vite emri i pëlqyer vazhdon të jetë emri Amar. Ky emër rrjedh nga gjuha arabe dhe ka kuptim “jetëgjatë, jeton shumë”.
Emrat të tjerë të gjinisë mashkullore që pëlqehen më shumë nga prindërit, janë kryesisht emrat e shkurtër, si: Ari, Art, Blin, Dion, Diar, Gjin, Lir etj.
Edhe listën e emrave të gjinisë femërore e kryeson një emër fetar musliman. Bëhet fjalë për emrin Ajana. Kuptimi i këtij emri nga gjuha arabe është “dhuratë e Zotit”. Emra të tjerë të shpeshtë për gjininë femërore janë: Alea, Tuana, Buna, Dea, Ema, Hana, Luna, Nina etj.
Në pjesën e parë të këtij viti, janë regjistuar edhe një numër i konsiderueshëm i emrave të ripërtërirë si: Feride, Kimete, Nexhmije, Aziz, Faik, Isuf, Islam etj.
Përpos këtyre emrave të shpeshtë me domethënie fetare, kombëtare e ndërkombëtare, në regjistrat e emrave ka edhe emra më pak të përhapur si: Helena, Hera, Nevila, Liana, Tanë, Mia, Mekdina për gjininë femërore dhe Darsej, Ebu Beker, Troi, Mexhit, Rubin, Thesar, Unik, Angel për atë mashkullore.
Njomza Rama- Gashi, një nënë e cila para dy ditësh ka sjellë në jetë djalin e saj të dytë, tregon për Kosovalive se sa të vështirë e kanë pasur për të marrë një vendim për emrin e djalit.
“ Kemi lexuar libra të ndryshëm të emrave. Kam kërkuar në çerdhen e djalit të madh listën e emrave të fëmijëve që sadopak të më ndihmojnë në përzedhjen e një emri. Si përfundim, vendosëm që emrin t’ia gjejë gjyshi i tij, vjehrri im. Ai propozoi emrin Fron, që do të thotë pushteti i lartë i një mbreti dhe ne u pajtuam”, tregoi Njomza.
Për dallim nga Kosova, ku ligji nuk specifikon asnjë emër si të ndaluar, në disa vende të tjera të botës si edhe në Shqipëri ekziston një ligj që ndalon përdorimin e disa emrave. Disa prej emrave të kësaj liste në Shqipëri janë: Ankim, Bretk, Carina, Dert, Ekran, Gazep, Gallatë, Përshëndetje.
Sipas ligjit Nr.02/L-118 neni 8, pika 8.2., nëse prindërit nuk merren vesh për emrin personal të fëmijës, atëherë emrin e cakton organi i kujdestarisë.
/Medina Mehmeti – “Vajzë dëgjohu”/