Arbër Krasniqi, 18 vjeçari nga fshati Drenoc i komunës së Malishevës ka një talent të rrallë.
Ai mund të vizatojë me këmbë portrete të ndryshme. Ky pasion lindi një vit më parë krejt rastësisht.
“Kam qenë në klasën e 11-të, kur për herë të parë kam vizatuar me këmbë. Si zakonisht isha ulur në një karrige për të vizatuar diçka, lëshova fletën e vizatimit në dysheme dhe dola jashtë për pak. Kur u ktheva fillova të luaja me lapsin, duke e kapur me këmbë dhe kështu nisa një portret”, tha ai.
Portretet e realizuara me këmbë nuk dallojnë nga ato të realizuara me dorë.
“Ua tregova prindërve portretin, por nuk u tregova që e kisha realizuar me këmbë dhe ata më thanë se ke pasur realizime edhe më të mira. Kur u tregova se kjo ishte vizatuar me këmbë, ata se besuan deri sa më panë vetë duke pikturuar nga e para”, tregon Arbëri.
Artisti i ri ende nuk e ka vendosur nëse në të ardhmen kjo fushë do të jetë dhe profesioni i tij. Ai posa ka përfunduar maturën dhe është në dilemë mes dy drejtimeve: art apo mjekësi”?!.
“Mjekësia më pëlqen shumë, sidomos lëndët biologji e kimi. Mjekësia më pëlqen, pasi gjithmonë kam pasur dëshirë t’u ndihmojë njerëzve. Por në anën tjetër, edhe arti më pëlqen shumë. Jam në dyshime se me çka dua të merrem në të ardhmen”, tha Arbëri.
I pyetur se a i ka shkuar mendja ndonjëherë që përmes këtij talenti t’u ndihmojë fëmijëve me nevoja të veçanta, ai shprehet se do ta bënte me kënaqësi sapo t’i jepet kjo mundësi.
/Gentiana Morina – Vajzë Dëgjohu/