Build Skills with our trainings

Sign up now!

Prodhuesit e qumështit: Shteti nuk po na mbështet, kompanitë private po na zhvasin

Gus 25, 2015

Milazim Jonuzi, fermer nga komuna e Vushtrisë, ka një fermë, ku mban 44 krerë lopë, prej të cilave siguron sasi të mëdha të qumështit. Me qumështin e prodhuar në fermën e tij furnizohet qumështorja “Vita”dhe disa të tjera. Por mungesa e granteve dhe subvencioneve nga Ministria e Bujqësisë, çmimet shumë të larta të naftës, rrymës, kamatat e larta të kredive bankare, mosrespektimi i kontratave nga qumështoret, janë disa nga problemet, të cilat po i shkatërrojnë biznesin.

”Ka 12 vite dhe jemi lodhë me mosmbështetje nga shteti, probleme me qumështoret. Nëse krejt këto probleme vazhdojnë unë do të kaloj në majmëri dhe prodhim të mishit. Unë kam tri herë që kam apliku për grante në ministri, por ata as që më kanë kthyer ndonjë përgjigje, as që nuk i plotësoj kushtet as kurgjo hiç. Unë kam qenë në shtete të tjera si në Francë, Slloveni, edhe e kam pa se atje dallojnë shumë çmimet për bujq e blegtorë. Në Francë litra e naftës kushton 1.30 euro, ndërsa çmimi për fermerë kushton rreth 47 cent. Pastaj në Kosovë edhe kushtet e kredive bankare janë shumë të paarsyeshme, kamatat janë shumë të larta”, tregon për Kosovalive fermeri ngaVushtria.

Në anën tjetër nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural thonë se për këtë vit janë dy programe për mbështetje të fermerëve dhe se për këto programe janë ndarë 43 milionë euro të cilat do të shpërndahen tek fermerët.

“23 milionë janë në subvencione dhe 20 milionë në grante. Një pjesë e subvencioneve janë dhënë dhe tash pritet pas kontrolleve në terren të jepen edhe tjerat. Po ashtu do të bëhet edhe realizimi i granteve”, thotë për Kosovalive Shkelzen Dragaj, këshilltar politik në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Dragaj thotë se janë dhjetëra mijëra fermerë që brenda vitit mbështeten në forma të ndryshme dhe se këtë vit presin që 20 milionë euro të shkojnë tek rreth 400 ferma.

“Granti më i vogël është 10 mijë euro dhe më i larti në 200 mijë euro. Këto do të jepen për prodhim, përpunim, diversifikim dhe ujitje. Ka për gati të gjitha sektorët, mishi, pemët, qumështi, rrushi, bletaria, bimët mjekuese, serra e shumë të tjera. Pritet vetëm këtë vit me këto investime të hapen rreth 2600 vende pune”, thotë Shkelzen Dragaj.

Ndër shqetësimet e tjera fermeri thekson edhe problemin me qumështoret, të cilat nuk i respektojnë kontratat që lidhin me fermerët.

“Me qumështoret kemi shumë telashe, shpesh ato nuk e respektojnë kontratën. Ka pasë rast që brenda kontratës katër muaj “Vita” nuk ma ka marrë qumështin. Prap jemi të detyruar bashkëpunojmë se nuk kemi ku me shku? E kontrollova sot qumështin e yndyra doli 4.15, ku me këtë sasi duhet të paguhet 29 cent, por qumështorja e ulë përqindjen në 3.5,  veç mos me pagu çmimin real. Se ai privat e ka edhe unë privat, e këtu nuk ka rregulla”, thotë Milazimi.

Fermeri së bashku me gruan dhe dy djemtë e tij tash e 12 vite punojnë në këtë fermë. Përveç blegtorisë Milazimi merret edhe me bujqësi, ai mbjell grurë dhe misër në arat e tij. Në anën tjetër bashkëshortja e fermerit Rukije Jonuzi, përkundër të gjitha vështirësive e problemeve, vazhdon ta dojë punën që bën.

“Edhe pse shpesh disa parregullsi e probleme ta humbin vullnetin me vazhdu me punu, por unë prap e dua punën që e bëj. Pjesa më e mirë e punës sime është mjelja e lopëve, kur e sheh qumështin, e din që ia ka vlejtë, e din çka merr”, thotë Rukija.

Rukija përgatit edhe disa lloje të djathrave, të cilat nuk janë në treg, por i bën me porosi individuale.

/Gentianë Morina “Vajzë dëgjohu”/

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM