Build Skills with our trainings

Sign up now!

Trafikantët përfituan rreth 20 milionë euro

Sht 9, 2015

Pjesa I

Trafikantët përfituan rreth 20 milionë euro

Rreth 20 milionë euro vlerësohet se i kanë përfituar trafikantët gjatë valës së madhe të emigrimit të kosovarëve drejt BE-së, përkatësisht gjatë periudhës shtator 2014 – mars 2015. Në eksodin e kosovarëve drejt BE-së thuhet se kanë qenë të përfshirë 200 trafikantë, shtetas të Kosovës, të Serbisë dhe të Maqedonisë 

Lavdim Hamidi/Prishtinë/Suboticë

Valën e madhe të emigrimit të kosovarëve drejt Bashkimit Evropian (BE), në fund të vitit që lamë pas dhe në fillim të këtij viti, besohet se e kanë organizuar rreth 200 trafikantë, të cilët kanë qenë të vendosur kryesisht në Paliq të Suboticës.

Burime nga institucionet e sigurisë, të cilët kanë siguruar informacione për një kohë të gjatë në lidhje me eksodin e kosovarëve drejt BE-së, bëjnë të ditur se në mesin e trafikantëve ka pasur shtetas të Kosovës, të Serbisë, por edhe të Maqedonisë, të cilët për një periudhë disamujore kanë arritur t’i çojnë ilegalisht në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian rreth 80 mijë kosovarë.

Sipas këtyre burimeve, trafikantët vlerësohet se i kanë përfituar rreth 20 milionë euro brenda një periudhe të shkurtët kohore, përkatësisht përreth 7 muaj, nga shatori 2014 deri në fund të marsit 2015, kur mijëra kosovarë ia kishin mësyrë Bashkimit Evropian, duke e kaluar ilegalisht kufirin serbo-hungarez.

Fitimet e mëdha dhe korruptimi i autoriteteve

“Një djalë nga rajoni i Dukagjinit-Kosovë ishte nisur për të dalë vetë në BE. Kur ka arritur në Suboticë e ka parë se sa shumë para mund të fitohet nga ky biznes dhe ka vendosur të ndalet në Paliq. Për disa muaj na ka thënë se i ka fituar mbi 200 mijë euro para të pastra dhe është kthyer në Kosovë”, bën të ditur një nga trafikantët, i cili ka pranuar të flasë në kushte anonimiteti, duke shtuar se edhe shumë të tjerë kanë përfituar para të majme gjatë asaj periudhe.

“Ka qenë biznes i hatashëm. Shumë para janë fituar gjatë valës së madhe të emigrimit të kosovarëve”, shprehet ai, derisa e kujton atë periudhë, kur, siç thotë ai, “merrnin para me grusht”.

Sipas tij, gjatë periudhës kur nga Kosova për në Serbi niseshin autobusët plot me qytetarë që donin të emigronin në BE, ka pasur përfitime të jashtëzakonshme për t’u marrë me trafikim, ndërsa rreziqet nuk kanë qenë shumë të mëdha, pasi që, siç thotë ai, për një periudhë të gjatë nuk janë penguar as nga autoritetet policore në Suboticë.

“Policia realisht nuk na ka penguar, përderisa inspektorëve në Suboticë u janë dhënë korrupsion nga 8000 euro për çdo dy javë, apo 15 mijë euro në muaj, për të lejuar të funksionojnë vilat e famshme në Paliq, ku vendoseshin kosovarët”, bën të ditur ky burim.

Vilat më të njohura ku vendoseshin kosovarët në Paliq kanë qenë: “Vila Lira”, “Vila Verona”, “Vila Nikolas”… Pasi vendoseshin në këto vila, të cilat menaxhoheshin nga trafikantët, kosovarët gjatë orëve të mëngjesit niseshin të organizuar në këmbë për ta kaluar kufirin.

Për të ecur më pak se një orë në këmbë përgjatë këtij kufiri, emigrantët kosovarë ua paguanin trafikantëve hiç më pak se 250 euro për person.

Rreth 80 mijë kosovarë kërkuan azil vetëm për 7 muaj

Ndonëse ende nuk jepet ndonjë shifër e saktë nga institucionet vendore se sa kosovarë kanë emigruar ilegalisht në BE gjatë fundit të vitit që lamë pas dhe çerekut të parë të këtij viti, bazuar në statistikat e EUROSTAT-it, vetëm në tre muajt e parë të këtij viti 48900 kosovarë kanë kërkuar azil për herë të parë në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, prej të cilëve 21 mijë veta kishin kërkuar azil vetëm në Gjermani.

Kosovarët gjatë kësaj periudhe përbënin numrin më të madh të azilkërkuesve në BE, duke i lënë shumë mbrapa edhe azilkërkuesit nga Siria, të cilët në çerekun e parë të këtij viti kishin bërë 29100 kërkesa për azil.
Po ashtu, sipas EUROSTAT-it, kosovarët përbëjnë shtetasit me kërkesat më të mëdha për azil në Francë dhe Luksemburg gjatë periudhës janar-mars 2015.
Përderisa, gjatë vitit 2014, numri i kosovarëve që kishin kërkuar azil në BE kishte arritur në 38 mijë, me ç’rast vetëm gjatë periudhës shtator-dhjetor të vitit të kaluar azil kishin kërkuar 30 mijë kosovarë.

Statistikat e EUROSTAT-it nxjerrin të dhëna alarmante në lidhje me azilkërkuesit kosovarë, sipas të cilave, rreth 30 për qind e azilkërkuesve kosovarë kanë qenë të moshave 0-13 vjeç, 44,5 për qind – të moshave 18-34 vjeç dhe 19,1 për qind – të moshave 35-64 vjeç.

23 mijë kërkesa për azil vetëm në Gjermani

Zyrtarë për informim në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës kanë sqaruar gjatë periudhës janar-qershor 2015, vetëm në Gjermani janë shqyrtuar rreth 23 mijë kërkesa për azil nga kosovarët.

Behar Haziraj nga kjo Ministri thotë se nga këto kërkesa, në 6 raste kosovarëve u është njohur statusi i refugjatit, në 54 raste të tjera është konstatuar një mbrojtje shtesë, përkatësisht ndalesë depërtimi. “Këtu kryesisht bëhet fjalë për persona të cilët vuajnë nga sëmundje që paraqesin rrezik për jetën dhe nuk mund të trajtohen në formë adekuate në Kosovë”, pohojnë zyrtarët e MPB-së.

Kërkesa të shumta për azil nga kosovarët në BE ka pasur edhe gjatë vitit 2013, duke arritur numrin e përgjithshëm në mbi 20 mijë veta.

 Aksionet e Policisë kundër trafikantëve

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka bërë të ditur se Policia ka realizuar disa plane konkrete në luftën kundër kontrabandimit me emigrantë ku, siç thotë ai, ka arritur rezultate pozitive në identifikimin, arrestimin dhe parandalimin e rasteve të tilla.

Sipas tij, gjatë vitit 2014 deri më 20 korrik të këtij viti janë rreth 100 raste të hapura, ku, sipas tij, në secilin rast ka pasur së paku një të arrestuar për kontrabandim me emigrantë. “Ka pasur raste kur kanë qenë të arrestuar 3-4 veta gjatë një aksioni të policisë nën dyshimin për kontrabandim me emigrantë”, shprehet Kelani.

Në anën tjetër, zyrtarë të Policisë së Serbisë kanë thënë se gjatë periudhës 1 shtator 2014 e deri më 28 shkurt të këtij viti, janë ngritur 489 kallëzime penale për kalimin ilegal të kufirit shtetëror dhe trafikimin e njerëzve.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Policisë Kufitare të Serbisë, ndaj 9 personave që janë ngritur kallëzime penale e kanë pasur vendqëndrimin në Kosovë.
Gjatë të njëjtës periudhë-kohore, shtator 2014 – shkurt 2015, sektori për kontroll të brendshëm i Policisë së Serbisë ka ngritur 5 kallëzime penale kundër 5 zyrtarëve policorë për veprën penale “marrje e mitos nga qytetarët”, të cilët në mënyrë ilegale kanë tentuar ta kalojnë ilegalisht kufirin.

Shumë të akuzuar, pak të dënuar nga gjykatat

Besnik Ramosaj, drejtor i Departamentit të Statistikave në Këshillin Gjyqësor të  Kosovës, bën të ditur se gjatë vitit 2014, 226 persona janë akuzuar për veprën penale “kontrabandim me emigrantë”.

Prej të cilëve, sipas tij, 40 veta janë dënuar me burgim në Gjykatat Themelore të Kosovës, 4 veta janë dënuar me gjobë, 3 janë dënuar me kusht, etj.
Gjatë vitit të kaluar gjykatat kosovare për kontrabandim me emigrantë kanë arritur t’i zgjidhin 25 lëndë, përderisa 93 lëndë janë ende të pazgjidhura.

Ndërsa gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, sipas Ramosajt, 217 persona janë akuzuar për kontrabandim me emigrantë.
Prej të cilëve 8 veta janë dënuar me burgim, 5 persona janë dënuar me gjobë.
Gjatë gjysmës së parë të këtij viti, Gjykatat Themelore i kanë zgjidhur vetëm 18 lëndë për kontrabandim me emigrantë, me ç’rast ndaj 21 personave ka përfunduar procedura. Ndërsa 104 lëndë janë ende të pazgjidhura dhe numri i personave ndaj të cilëve nuk ka përfunduar ende procedura gjyqësore arrin në 196.

20 milionë euro besohet se i kanë përfituar trafikantët gjatë valës së madhe të emigrimit të kosovarëve drejt BE-së.

48 900 kosovarë kanë kërkuar për herë të parë azil gjatë tremujorit të parë të këtij viti në BE, bën të ditur EUROSTAT.

38 000 kosovarë kërkuan azil gjatë vitit 2014 në BE, me ç’rast vetëm gjatë periudhës shtator-dhjetor 2014 azil kërkuan 30 000 veta.

20 000 kosovarë kërkuan azil në BE gjatë vitit 2013.

107 000 kosovarë kërkuan azil në vende të ndryshme të BE-së prej vitit 2013 e deri në tremujorin e parë të vitit 2015.

30 % e azilkërkuesve kosovarë kanë qenë të moshave 0 – 13 vjeç.

44,5 % të azilkërkuesve kosovarë në BE, të moshave 18 – 34 vjeç.

226 persona janë akuzuar gjatë vitit 2014 për veprën penale kontrabandim me emigrantë.

217 persona janë akuzuar në Kosovë për kontrabandim me emigrantë gjatë periudhës janar – qershor 2015.

Kosovarët përfaqësojnë shtetasit me kërkesat më të mëdha për azil në Francë dhe Luksemburg.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Policisë Kufitare të Serbisë, ndaj 9 personave  që janë ngritur kallëzime penale gjatë periudhës shtator 2014 – shkurt 2015 e kanë pasur vendqëndrimin në Kosovë.

“Një djalë nga rajoni i Dukagjinit-Kosovë ishte nisur për të dalë vetë në BE. Kur ka arritur në Suboticë e ka parë se sa shumë para mund të fitohet nga ky biznes dhe ka vendosur të ndalet në Paliq. Për disa muaj na ka thënë se i ka fituar mbi 200 mijë euro para të pastra dhe është kthyer në Kosovë”, bën të ditur një nga trafikantët, i cili ka pranuar të flasë në kushte anonimiteti.

Pjesa II

Emigrimi vazhdon

Emigrimi i kosovarëve drejt BE-së nuk ka të ndalur. Trafikantët po u marrin atyre nga 1500 euro për person, për t’i dërguar me vetura nga Subotica në Austri. Përpos kosovarëve, këtë rrugë po e ndjekin edhe shtetas të Shqipërisë që kanë ndalesa në BE dhe shtetasit turq

Lavdim Hamidi/ Prishtinë/Suboticë

Ndonëse zyrtarë të Qeverisë së Kosovës pohojnë se emigrimi i kosovarëve drejt BE-së tashmë është një “histori”, pasi që, siç thonë ata, aktualisht nuk ka qytetarë që po ia mësyjnë ilegalisht BE-së nëpërmjet territorit të Serbisë.

Megjithatë, në Suboticë e thonë të kundërtën. Sipas tyre, emigrimi i kosovarëve është duke vazhduar, ndonëse normalisht me raste më të rralla.

Ata nuk po ua mësyjnë në këmbë kufirit Serbi-Hungari, por po i paguajnë nga 1500 euro për person trafikantët për t’i dërguar me automjete deri në Austri.

“Afërsisht katër vetura në muaj nisen nga Subotica për në Austri. Çmimi që paguhet për një person është 1500 euro, apo 6000 euro për katër persona në veturë”, bën të ditur trafikanti, i cili ka folur në kushte anonimiteti.
Sipas këtij të fundit, përpos kosovarëve, ilegalisht në BE nga Serbia po vazhdojnë të dalin edhe shtetasit e Shqipërisë, të cilët kanë ndalesa të ndryshme në Bashkimin Evropian dhe që nuk mund t’i shfrytëzojnë pasaportat e tyre dhe shtetasit turq, shtet i cili ende nuk e ka të nënshkruar marrëveshjen për liberalizim të vizave me BE-në.

Vilat punojnë natën

Edhe Tibor Bognar, sekretar i Bashkësisë Lokale në Paliç të Suboticës, ka dyshime se emigrimi i kosovarëve drejt BE-së është duke vazhduar, por tashmë në numër dukshëm më të vogël. Sipas tij, disa nga vilat në këtë qytet, tashmë po funksionojnë vetëm natën, përderisa gjatë ditës qëndrojnë të mbyllura.

Mijëra kosovarë, përpos që kanë shkuar në Serbi me autobusë që mbajnë linja të rregullta Prishtinë-Beograd, kanë shkuar në Suboticë edhe nëpërmjet Luginës së Preshevës, përkatësisht Bujanocit.
Belgzim Kamberi nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Luginë të Preshevës, thotë se dinamika e eksodit të kosovarëve drejt BE-së, të bindë se ai ishte mirë i koordinuar. Sipas tij, i ashtuquajtur “eksod” i qytetarëve nga Kosova është toleruar realisht nga autoritetet serbe, por edhe nga autoritetet hungareze, e madje edhe evropiane (Frontex). “Vetëm naivët mund të mendojnë se dhjetëra mijëra qytetarë të Kosovës kanë mundur të lëvizin kaq lehtë “ilegalisht” nëpër Serbi, e cila në shumë raste ka dëshmuar se mund të ndalojë hyrjen e individëve të “padëshiruar” nga Kosova në territorin e Serbisë, kur ajo nuk e dëshiron”, shprehet Kamberi, duke shtuar se produkt i gjendjes së keqe shoqërore dhe ekonomike në Kosovë, eksodi shpërfaqi sërish jo vetëm se rrjeti i kontrabandistëve është mirë i organizuar dhe një “biznes” i frytshëm, por edhe që është i lidhur me strukturat institucionale të vendeve respektive. “Mbase në raste të shumta ka mundur të vërehet se ishin po të njëjtët rrjete që dyshohen se kontrabandojnë me dekada mallra ta ndryshëm të paligjshëm”, shprehet Kamberi.
Ai ka shtuar se nëpërmjet eksodit është reflektuar përsëri jo vetëm kriminaliteti brenda strukturave policore, por edhe mungesa e vullnetit politik për ta çrrënjosur atë dhe prirjet e politikës dominuese për ta instrumentalizuar kriminalitetin në shërbim të eksodit të kosovarëve, i cili për arsye të ndryshme edhe i konvenonte politikave qeverisëse të Serbisë dhe Kosovës. “Ende sot, pothuajse askush nuk arriti të kuptojë se si dhe përse u hapën realisht kufijtë midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe midis Serbisë dhe Hungarisë…”.

10 500 kosovarë u kthyen nga BE-ja

Nga rreth 50 mijë kosovarë që kërkuan azil në BE vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, numri i atyre që është kthyer në vend është shumë më i ulët.

Behar Haziraj nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës thekson se gjatë periudhës janar – qershor 2015, nga të gjitha shtetet e BE-së janë ripranuar gjithsej 10 500 kosovarë.

Prej të cilëve, nga Gjermania janë kthyer 7 262 kosovarë, 972 nga Austria, 568 nga Zvicra, 484 nga Suedia, 348 nga Hungaria, 266 nga Franca, 133 nga Belgjika, etj.

/Ky artikull hulumtues është realizuar në kuadër të projektit Kosova-Serbia LIVE, të implementuar nga KosovaLive dhe NUNS, me mbështetje nga Komisioni Evropian/

Numri i kosovarëve të kthyer

7262 nga Gjermania

972 nga Austria

568 nga Zvicra

484 nga Suedia
348 nga Hungaria
266 nga Franca
133 nga Belgjika

Javë më parë autoritetet hungareze kanë filluar ndërtimin e murit përgjatë kufirit me Serbinë, për ta ndalur rrjedhjen e imigrantëve që synojnë të hyjnë në vendet e Bashkimit Evropian. Më se 100 mijë imigrantë kanë hyrë deri tash këtë vit në Hungari, duke kaluar nëpër vendet e Ballkanit. Muri me tela gjemborë do të ketë lartësi prej 4 metrash dhe gjatësi prej 175 kilometrash.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM