Build Skills with our trainings

Sign up now!

Të eliminohen barrierat tregtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Sht 30, 2015

Bizneset kosovare dhe serbe po sfidohen nga barriera të ndryshme tregtare, por mbizotëron bindja se me një bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet dy vendeve ato do të mund të eliminoheshin. Aktualisht qarkullimi tregtar shtrihet vetëm në një drejtim, ngase rreth 90% ka të bëjë me importin në një anë. Ekonomia duhet të jetë mekanizëm kyç drejt ardhmërisë së dy vendeve dhe më gjerë.

Kështu është thënë në tryezën “EKONOMIA- rruga e paqes dhe e mirëqenies”, të organizuar nga Agjencia e lajmeve KosovaLive dhe Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS), në kuadër të projektit “Kosovo Serbia LIVE” dhe mbështetur nga Komisioni Evropian (KE).

Drejtori i KosovLive, Kelmend Hapçiu, ka thënë se në kuadër të projektit që janë duke e zhvilluar për disa muaj me NUNS-in, janë të parapara disa aktivitete, tryeza të rrumbullakëta si: Tryeza për integrimet evropiane, për kulturën, ajo për pajtimin dhe për ekonominë, duke pasur parasysh raportin e Beogradit dhe Prishtinës në këtë kontekst.

Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për hulumtime strategjike dhe sociale (STRASS) dhe moderator i tryezës ka thënë se problemi i dialogut dhe i trajtimit të relacioneve jo vetëm ekonomike Kosovë-Serbi është çështje e përditshme.

Ai ka theksuar se në të kaluarën relacionet Kosovë-Serbi kanë qenë të ndërtuara duke pasur një bashkëpunim, koordinim dhe qarkullim ndërmjet dy vendeve, ndërsa në 10 vitet e fundit, qarkullimi i përgjithshëm ka kaluar mbi 2.6 miliardë euro, por fatkeqësisht vetëm në një drejtim.

“Relacionet ekonomike Kosovë-Serbi janë vetëm në një rrafsh të mallrave, nuk ka forma tjera të bashkëpunimit, për shkak të ndryshimit rrënjësor të realitetit në të dy vendet dhe problemeve, të cilat e kanë përcjellë krijimin e botëkuptimeve për këtë realitet dhe krijimit të relacioneve të reja”, ka thënë Rexhepi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se është koha që të mësojnë nga vendet evropiane që përmes bashkëpunimit ekonomik të arrihet stabiliteti politik, social, zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i perceptimit të krijuar dhe krijimi i një imazhi të ri në rajon.

Ai ka thënë se i presin sfida të shumta, por duhet të avancohet sa më tepër dialogu, partneriteti dhe komunikimi.

“Në këtë drejtim duhet të kemi institucionalizim të ndërmarrësisë, nga i cili do të eliminohen barrierat e të bërit biznes, do të krijohen mundësi të reja për të avancuar formën e bashkëpunimit, do të minimizohet shkalla e informalitetit dhe ekonomisë së kriminalizuar, e cila është shndërruar në një sëmundje kancerogjene te të bërit biznes në rajon. Në këtë mënyrë do ta promovojmë rajonin si të paqes, të perspektivës dhe investimeve dhe nga kjo formë e komunikimit dhe bashkëpunimit ekonomik të kemi efektet e duhura”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka theksuar se më tepër ekziston një ekonomi e njëanshme, porse debate të tilla janë hap i rëndësishëm për përmirësimi të imazhit dhe një mundësi që të anashkalohet forma më klasike e të bërit biznes siç është tregtia – shit dhe blejë.

“Kompanitë nga Serbia që kanë bërë qarkullim në qindra miliona euro të bëjnë investime dhe përmes prodhimit të krijohet një mundësi e re e krijimit të vendeve të reja të punës për të gjithë. Duhet të mendohet në forma më të avancuar të bashkëpunimit ekonomik”, ka thënë Gërxhaliu.

Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Cadez, ka thënë se bashkëpunimi ekonomik Kosovë – Serbi ka filluar në qershor të vitit 2010, ku edhe kanë mbajtur rreth 30 takime teknike me Odën Ekonomike të Kosovës.

Sipas tij, sa i përket stabilizimit të marrëdhënieve të dy vendeve, fotografitë e së kaluarës nuk mund të ndërrohen, por ato mund të zëvendësohen me fotografi të reja pozitive. Ai ka shtuar se detyrë e atyre që janë në shërbim të komunitetit të biznesit është që problemet, sfidat dhe brengat t’i adresojnë në mënyrë që jeta e biznesit të lehtësohet dhe të arrihet suksesi i kompanive të të dy vendeve.

“Aspekti tjetër është lehtësimi i tregtisë dhe investimeve, duke eliminuar barrierat tregtare, të krijohen projekte të përbashkëta investuese dhe pjesëmarrje të përbashkëta në platformën ndërkombëtare, pjesëmarrje të përbashkët në tregjet ndërkombëtare, si dhe projekte bashkëpunimi ndërkombëtar. Deri më tani kemi arritur që akreditojmë laboratorët, arbitrazhin, marrëdhëniet rreth licencimit të plasmanit të barnave dhe çështje tjera të rëndësishme”, ka thënë Cadez.

Sipas tij, ekziston interes shumë i madh që një pjesë e prodhimit të hapët edhe në Kosovë që do të tejkaloheshin shkëmbimet tregtare klasike – shitblerja, por do të fillojnë edhe me projekte investuese, prodhimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ilir Ibrahimi, zëvendës-president i bordit në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), ka thënë se përkrahin një ekonomi të lirë të tregut, posaçërisht një marrëdhënie ekonomike në mes Serbisë dhe Kosovës.

“Këto marrëdhënie nuk kanë qenë të kënaqshme për bizneset e Kosovës e cila është një sifdë që pritet të tejkalohet jo vetëm nga odat ekonomike por nga qarqe më të larta shtetërore. Jemi kundër tarifave tregtare të cilat vendosen, ku dihet që bizneset kosovare vazhdojnë të hasin në barriera të ndryshme sidomos me Serbinë dhe me Bosnjën. Këto barriera duhet të tejkalohen  sepse bizneset do të gjejnë më lehtë konsumatorët në të dy vendet dhe më gjerë”, ka thënë ai.

Në këtë tryezë u theksua se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shumë i nevojshëm për zhvillimin ekonomik të dy vendeve, ndërsa u kërkua të adresohen dhe të zgjidhen barrierat dhe sfidat e bashkëpunimit ekonomik në qarqe më të larta shtetërore.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM