Muajin e kaluar në komunën e Klinës u përurua centrali i parë i energjisë solare në Kosovë. Aktualisht centrali ka kapacitet prej 102 kW energji elektrike, mirëpo kjo pritet të trefishohet në vitet e ardhshme.
Projekti është bartur nga Led Light Technology Kosovo LCC, përfaqësues lokal i kompanisë sllovene Rudis e cila i siguroi panelet solare nga prodhuesi Gorenje në Slloveni. Instalimi i një uzine të tillë diellore paraqet hapin më të rëndësishëm që Kosova ka marrur në aspektin e energjisë së ripërtritshme.
Ngrohja globale, shkrirja e akullnajave dhe tharja e lumenjëve janë përditësuar si tema të shekullit 21. Kjo ka qenë një indikator i fuqishëm që shumë vende të fillojnë me zhvillimin e praktikave miqësore për ambientin. Prodhimi i energjisë së ripërtëritshme ka nisur të gjejë praktikë edhe në Kosovë. Në korrik të 2012-ës, Kosova zyrtarisht iu bashkua “Programit për Energji të Ripërtëritshme në Ballkan – BREP” duke e pranuar si obligim ndërkombëtar që deri në vitin 2020, 25% e energjisë e prodhuar në Kosovë të jetë nga burime të ripërtëritshme.
Në fillim të vitit u nënshkrua një marrëveshje me Bankën Botërore për implementimin e projektit “Kosovo Energy Efficiency and Renewable Energy Project”. Ky projekt 31 milionë dollarësh është në vazhdën e implementimit dhe qëllimi i tij është ta reduktojë përdorimin e energjisë së harxhueshme në ndërtesa publike me fokus në universitete dhe spitale.
“Marrëveshja është bërë në kushte shumë të favorshme, sidomos duke e konsideruar buxhetin e limituar të vendit. Ajo adreson njërën nga pesë prioritetet e Qeverisë së Kosovës,”thotë Avdullah Hoti, ministër i financave dhe nënshkrues i marrëveshjes.
Përkundër sfidave të mëdha, viti 2015 ishte mjaft produktiv duke konsideruar se Kosova bëri këto dy hapa të rëndësishëm në drejtimin e përmbushjes së obligimit të saj ndërkombëtar për energji të gjelbërt.
Në mbarë Ballkanin, energjia e përfituar nga termocentralet arrin në 67% ndërsa ajo nga hidrocentralet në 33%. Në Kosovë, këto statistika janë edhe më drastike sepse 97% e energjisë vjen nga burime te pa-ripërtëritshmetë energjisë. Gjatë viteve të fundit burimi më i rëndësishëm i energjisë ka qenë thëngjilli me kontribut prej 56%, i pasuar nga nafta (e importuar) me 30% dhe biomasa me 11%. Bazuar në këto statistika të nxjerra nga raportet e Projektit Energjetik të Kosovës, vetëm 3% e energjisë në vend vjen nga hidrocentralet.
Kjo është një përqindje mjaft e vogël duke marrë parasysh se Kosova ka një gjeografi mjaft të përshtatshme për prodhimin e hidro-energjisë. Aktualisht ekzistojnë vetëm katër hidrocentrale funksionale; ai i Lumbardhit, Dikancit, Radavcit dhe Burimit. Që të gjitha kanë filluar punën qysh herët, mirëpo në 1999 u ndalën së punuari për të filluar sërish në vitet e mëvonshme të pasluftës.
Nga ana tjetër, ngrohja gjeotermale, e bazuar plotësisht në nxehtësinë e tokës, dhe ngrohja solare shihen si dy metoda potenciale për të sigururar ngrohjen në Kosovë për të cilën shpenzohet një pjesë e madhe e energjisë. Përdorimi i këtyre dy metodave efiqiente dhe pa ndotje duhet të hulumtohet dhe inkurajohet meqë Kosova ka rreth 300 ditë me diell në vit.
/Gresë Koca – “Vajzë Dëgjohu”/