Build Skills with our trainings

Sign up now!

Një trashëgimi kulturore si një peng lufte

Nën 24, 2015

Tringa Kelmendi – Prishtinë-Beograd/ – Muzeu i Kosovës që nga themelimi, përgjatë gërmimeve arkeologjike dhe gjetjeve të rastit ka grumbulluar materiale arkeologjike që tregojnë momente nga epoka dhe sfera të ndryshme që nga parahistoria.

Në vitin 1993, me iniciativën e Dragoslav Srejović, drejtor i Galerisë SANU në Beograd në bashkëpunim me Gjokë Palushaj, është marrë vendimi për prezantimin e disa prej materialeve në formë ekspozite dhe katalogu. Ekspozita do të prezantohej së pari në Beograd, e më pas do të rikthehej në Muzeun e Kosovës si ekspozitë e përhershme. Vetëm pak para fillimit të luftës në Kosovë, në shkurt të vitin 1999, një pjesë e thesarit arkeologjik të Kosovës, me pasuri etnografike dhe arkeologjike u ekspozuan në Beograd dhe që nga ajo kohë objektet kanë mbetur atje. Të gjitha eksponatet e ekspozuara në Beograd janë origjinale, përveç monedhave të arit dhe medaljonit të perandorit Prob.

Sipas arkeologut Kemajl Luci, i cili në atë kohë ka qenë arkeolog-kustos, i Muzeut të Kosovës i gjithë materiali i dërguar në Beograd i ka reverset e firmosura nga të dyja palët, për pranim dhe dorëzim të materialit, prandaj, e gjitha kjo vonesë është e paarsyetueshme dhe shkelje ligjore. Koleksionet etnologjike mbahen në Muzeun Etnografik, ndërsa materiali arkeologjik është strehuar në hapësirat e Muzeut Kombëtar në Beograd.

Janë gjithsej 110 objekte nga periudha e neolitit dhe eneolitit, 271 objekte nga periudha e metaleve-koha e bronzit dhe e hekurit, 133 objekte nga periudha antike, 98 objekte nga periudha mesjetare, si dhe 31 monedha nga periudha Romake. Totali i këtyre objekteve arkeologjike është 643. Publikimi i katalogut për këtë ekspozitë ka qenë i bujshëm dhe ka shpalosur mjaft mirë trashëgiminë kulturore dhe historike.

Gjatë vitit 1998 Muzeu i Kosovës, në atë kohë Muzeu i Prishtinës, pat organizuar ekspozitën “Stolitë dhe qëndisja me ari”. Kjo ekspozitë u prezantua në Novi Sad, Suboticë, Kikindë, Vrshac dhe Beograd. Të gjitha objektet e kësaj ekspozite tani gjenden në Muzeun Etnologjik në Beograd.

Sipas regjistrimit të eksponateve të bërë në vitin 1990, në Muzeun e Kosovës janë evidentuar 7.290 eksponate. Ndërsa pas përfundimit të luftës, gjatë muajit qërshor 1999, 13 arka me material etnologjik janë bartur nga Muzeu i Kosovës-Prishtinë, në Muzeun Etnologjik – Beograd. Regjistrimi i materialit etnologjik, i bërë në vitin 2000, jep të dhëna të tjera, duke vënë në pah mungesën e 2.480 eksponateve tjera.

Kjo histori nuk ka të bëjë vetëm me procesin teknik të rikthimit, por ka të bëje edhe me zotërimin e së kaluarës, gjë me të cilën mirret arkeologjia. Është thënë vazhdimit e Beogradi i mban këto artefakte për mbrojtjes fizike por edhe për mbrojtjen e identitetit kulturor serb, gjë që është e kërcënuar në Kosovë. Kosova nuk ka histori dhe trashëgimi kulturore, ajo i përket Serbisë.

Në vitin 1998 u botua edhe publikimi dyvëllimësh me titullin “Thesari arkeologjik i Kosovës dhe Metohisë prej neolitit deri në mesjetën e hershme”.

Vëllimi i parë përmban pjesën e teksteve të autorëve të ndryshëm, mbi parahistorinë dhe epokën e metaleve, antikitetin me helenizmin dhe epokën romake, si dhe mbi epokën e mesjetës së hershme, për të cilat kanë shkruar specialistë të po këtyre epokave arkeologjike. Ndërkaq, vëllimi i dytë, që përbën katalogun e këtij publikimi, sjellë tekste të shkurtra të vend-gjetjeve arkeologjike dhe fotografi të eksponateve.

Hyjnesha në fron është statujë balte e mbretëreshës Dardane nga koha e Neolitit. Ajo është një simbol i rëndësishëm dhe njëkohësisht i vetmi artefakt që është kthyer në Kosovë.  “Hyjnesha në fron” u kthye në vitin 2002, me ndërmjetësimin e ish-kryeadministratorit të Kosovës, Michael Steiner. Ndërsa pjesa tjetër vazhdon të mbetet që nga 1999 në Beograd.

Irina Subotić, nënkryetare dhe anëtare e bordit në Europa Nostra, Federatën e Evropës për Trashëgimi Kulturore, dhe presidente e degës në Serbi, thotë që këto artefakte i takojnë Kosovës pa asnjë mëdyshje, si dëshmi është edhe marrëveshja e shkruar dhe ato duhet të kthehen sa më parë në Muzeun e Kosovës.

Gjatë bombardimeve të NATO-s, galeria SANU mbyllet, dhe vendoset që artefaktet të vendosen në një vend të sigurtë, në Muzeun Kombëtar të Serbisë, në mënyrë që të mbrohen nga bombardimet e mundshme.

Rikthimi i thesarit arkeologjik duhet të jetë pjesë e agjendës së bisedimeve mes Kosovës dhe  Serbisë, por kjo nuk do të mund të rregullohet derisa nuk do të rregullohen edhe problemet me manastiret në Kosovë, thotë Subotić. Ajo mendon që pjesa e trashëgimisë kulturore do të vihet në agjendën e bisedimeve në Bruksel, në momentin që të mos ketë më mosmarrveshje për pjesën njerëzore, sepse të zhdukurit dhe marrëveshjet mbi funksionimin e shtetit, janë akoma primare.

Përveç artefakteve, një humbje e madhe është edhe i dokumentacionit të trashëgimisë kulturore, për të cilën çështje pak flitet. Në bazë të një vendimi nga pushtetiti serb në vitin 1996 janë marrë dokumentacioni nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe ato dokumentacione përbëjnë një pasuri të jashtëzakoshme studimore dhe faktike rreth trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Alban Bakija, drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore thotë se kompetencat e Institucioneve qëndrore nuk janë të përcaktuara me ligjin e Kosovës për trashëgimi kulturore dhe të gjitha përgjegjësitë mund t’i delegojë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ai shton se rikthimi i thesarit është në përgjithësi të të gjitha institucioneve të Kosovës dhe se rikthimi i tyre mbetet në bisedimet politike midis Kosovës dhe Serbisë.

Rikthimi i gjithë pasurisë së trashëgimisë kulturore nuk mund të vendoset nga organizatet kultorore e as nga shoqëria civile, prandaj procesi ka ngecur dhe 17 vjet që nga përfundimi i luftës kjo çështje mbetet e pazgjidhur.

Subotić thotë se Europa Nostra si federatë e Evropës për Trashëgimi Kulturore nuk ka ndërmarrë asgjë për këtë çështje, për shkak se ky është një problem lokal, mes Prishtinës dhe Beogradit, por vetëm nëse vazhdohet me këtë ritëm dhe bisedimet konkrete të mos japin rezultat, atëherë kjo problem duhet të vendoset në përmasa evropiane.

Hajrullah Çeku nga EC Ma Ndryshe thotë se organizatat e shoqërisë civile kanë mandat të caktuar dhe brenda tij kanë qenë mjaft të zëshme në raport me institucionet dhe bashkësinë ndërkombëtare në kërkesën për të gjetur mënyra për kthimin e artifakteve.

Në planin e Ahtisaari-t, thuhet qartë që Republika e Serbisë duhet t’i kthejë artefaktet arkeologjike dhe Etnologjike. Aneksi i V, neni numër 6 thotë se brenda 120 ditëve nga hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshjeje, do t’i kthejë artefaktet arkeologjike dhe etnologjike të cilat janë marrë hua nga muzetë e Kosovës për ekspozim të përkohshëm në Beograd gjatë viteve 1998-1999. Mirëpo realiteti dëshmon të kundërtën.

“Mbajtja e koleksionit arkeologjik dhe etnologjik në Serbi është veprim i kundërligjshëm dhe bie ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare që e rregullon trashëgiminë kulturore. Si anëtare e UNESCO, Serbia thjeshtë nuk ka të drejtë t’i mbajë artifaktet që i takojnë një shteti tjetër, pasi që anëtarësia në UNESCO nënkupton edhe zotim për t’iu përmbajtur konventave të organizatës për trashëgiminë kulturore. Në momentin e anëtarësimit në UNESCO, Kosova duhet të thirret në konventat e UNESCO-s dhe të kërkojë nga shtetit tjetër anëtar, Serbia kthimin e tyre”, thotë Çeku.

Ai shton se institucionet e Kosovës nuk kanë ndjekur një linjë konsistente veprimi për të kthyer koleksionin në vendin e vet dhe duket sikur institucionet e Kosovës kanë frikë të kërkojnë diçka prej Serbisë, përfshirë edhe atëherë kur bëhet fjalë për pasurinë kulturore të këtij vendi.

Tomislav Nikolić në pallatin e Serbisë pat deklaruar që qëllimi kryesor i Kosovës është falsifikimi i historisë dhe krijimi i një shteti të ri, një identitet kombëtar dhe kulturor që nënkupton zhdukjen totale të çdo gjëje që dëshmon për praninë serbe në Kosovë. Deklaratë kjo që përfaqëson një shumicë të madhe të mendimit në Serbi, në lidhje me pasurinë tonë të trashëgimisë kulturore të mbetur atje.

Kosova Antike, me autore Edi Shukriu, dëshmon për pasurinë arekologjike dhe thesarin mijavjeçar të trashëguar, i cili mundëson një pasqyrë të qartë të jetë gjatë periudhave të ndryshme parahistorike dhe gjithashtu edhe shpalosjen e relacioneve kulturore me hapësirat fqinje.

Nenad Tasić, profesor në Departamentin e Arkeologjisë në Universitetin e Beogradit thotë që janë pikërisht faktorët politikë dhe politika jo stabile që ndikojnë në ngecjen e këtij procesi. Që nga viti 1998 e deri më tani në Beograd ka pasur 7 ministër të ndryshëm të kulturës, gjë që ndikon në mosfunksionimin dhe mospërmushjen e projekteve.

“Duhet të bëhet më e mira për ta mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe këtu nuk ka rëndësi vendi se ku ato mbahen a në cilin shtet janë, rëndësi ka vetëm mbrojtja e tyre”, thotë Tasić.

Plani i tij është propozimi i një projekti të përbashkët për një qendër për arkeologji digjitale, e cila do ta pasqyronte gjendjen e arkeologjisë dhe do të ishte më lehtë e arritshme nga publiku. “Në këtë mënyrë ne do të kemi artefaktet virtuale, ndërsa Prishtina do t’i rikthente ato në tokën e vet, sepse mbi të gjitha kjo është një trashëgimi kulturore e përbashkët”, thotë ai.

Staša Babić, shefe e Departamentit të Arkeologjisë, në Fakultetin Filozofik, në Universitetin e Beogradit thotë se kjo është një situatë që tregon fuqishëm që politika është e përfshirë në arkeologji dhe arkeologjia në politike.

“Ne nuk mund të jemi neutral në punën tonë, sepse ne krijojmë një të kaluar përmes të gjeturave tona, artefakteve, dhe atë ua ofrojmë komuniteti tonë… Vlera e artefakteve që po mbahen në Beograd nuk është e madhe, por i jep vlerë historisë së vonshme parahistorike,” thekson Babić.

Marjana Toma, zëvendës drejtore ekzekutive e Qendrës së Ligjit Humanitar në Beograd thote që vështirësia tek rikthimi i artefakteve qëndron edhe në pranimin e këtij fakti nga shtresa e gjërë e popullsisë. Perceptimi i luftës së Kosovës ka komponente raciste dhe urrejte të madhe ndaj Kosovës. Ajo shton se është e çuditshme sesi nuk ka ndjeshmëri dhe ndjenjë dhembshurie kur bëhet fjalë për Kosovën dhe masakrat e ndodhura. E ndjeshmëria është akoma më e vogël për këto çeshtje, sepse shumica e mendojnë Kosovën pjesë të vjedhurit të territorit të Serbisë dhe kulturë e grabitur.

Është e rëndësishme të thuhet që megjithë pranimin se artefaktet duhet të kthehen në Kosovë, ekziston një tendencë që lufton drejt zvogëlimit të rëndësisë së tyre. Është shumë e rëndësishme që këto artefakte të kthehen, për shkak se janë disa kryevepra, artefakte me vlerë e të rëndësishme dhe mbi të gjitha janë pjesë e kulturës së Kosovës. Ato janë një shpjegim i gjithë kulturës, nga sfondi historik dhe vlera e tyre është e pazëvendësueshme. Ndër objekte të huazuara dhe grabitura ka vepra arti të çdo fushe, nga natyra deri tek arti, nga zejtaria, etnologjia, objekte fetare, shpirtërore si dhe arkaike. Duke pasur parasysh tempon e zhvillimeve duhet të kërkohet në nivel ndërkombëtar kthimi i artefakteve arkeologjike dhe etnologjike.

Kjo storje është realizuar në kuadër të projektit Kosovo Serbia: LIVE të cilin e financon Bashkimi Evropian në kuadër të Mbështetjes Shoqërisë Civile 2013. Përmbajtja e kësaj storjeje dhe qëndrimet e paraqitura në të janë përgjegjësi ekskluzive e autorit dhe nuk pasqyrojnë pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM