Build Skills with our trainings

Sign up now!

Të zhvendosur dhe të lënë në harresë

Nën 26, 2015

Derisa Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vucic është i vendosur ta shndërrojë Beogradin në Dubain e Ballkanit, si me shumë kryeqytete tjera, arteriet kryesore në drejtim të periferisë janë të rrethuara me rrugë të vogla ku mundohen të rrojnë njerëzit e shtyrë në skajet e shoqërisë. Duke e lënë pas pjesën e vjetër të Beogradit, përtej urës masive së Pancevos, në bregun verior të Danubit, rruga çon në Krnjaca, një prej pjesëve më të izoluara të Beogradit, që sot pasqyron trashëgimitë e luftërave në ish-Jugosllavi.

“As armikut nuk ia dëshiroj të jetojë në këso kushte”, thotë Zivan Zivkovic.

Qendra kolektive në Krnjaca në periferi të Beogradit u themelua si reagim urgjent për të strehuar serbë që i ikën konflikteve të armatosura të rajonit në vitet 1990-ta.

Zivkovic është person i zhvendosur nga Kosova që jeton në qendrën e vetme kolektive që ka mbetur në Beograd. Duke evokuar imazhet e kampeve të koncentrimit, rreshtat e barakave të vrazhda strehojnë personat e zhvendosur dhe refugjatët e konflikteve të armatosura të ish-Jugosllavisë. Me status të pasigurt dhe pa mundësi për t’u kthyer në shtëpi, këta njerëz janë krejtësisht të lënë në harresë.

Duke e Lënë Pas Vendlindjen

Deri sa trupat paqeruajtëse të Natos hynin në Kosovë në qershor të vitit 1999 dhe forcat serbe tërhiqeshin ngadalë, numra të mëdhenj të serbëve të Kosovës ikën kah veriu. Ata frikësoheshin nga hakmarrja e mundshme prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shqiptarëve që po ktheheshin në shtëpitë e çliruara të tyre, pas spastrimit etnik nga forcat serbe.

Sipas statistikave nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), rreth 200,000 serbë të Kosovës brenda natës u bënë Persona të Zhvendosur Brenda Vendit (PZHB) në Serbi. (Pasi që OKB-ja ende nuk e ka njohur Kosovën, personat e zhvendosur në Serbi ende quhen PZHB – sikur personat e zhvendosur brenda Kosovës – në vend se refugjatë ndërkombëtarë që e kanë kaluar një kufi shtetëror të njohur unanimisht).

Sot, 16 vite pas luftës, pak prej atyre që u zhvendosën janë kthyer, pavarësisht punës së shumë OJQ-ve dhe investimit të madh financiar nga komuniteti ndërkombëtar dhe qeveria e Kosovës. Të shkurajuar prej ndjenjave të pasigurisë, paqëndrueshmërisë politike dhe mungesës së ndihmës adekuate për të siguruar qëndrueshmërinë e kthimit të tyre, vlerësohet se vetëm 11,194 serbë u kthyen në Kosovë; më pak se gjashtë përqind të atyre që ikën.

Zivan Zivkovic dhe bashkëshortja e tij ikën prej shtëpisë së tyre në fshatin Mushtisht, afër Suharekës, në qershor të vitit 1999. Tani ata e ndajnë bashkë një dhomë shumë të vogël në qendrën kolektive në Krnjaca.

“Gjithçka ishte shumë mirë deri me 1991. Dhe pastaj, politika na shkatërroi neve e juve [shqiptarëve]”, thotë Zivkovic, i ulur në një tavolinë të vogël në dhomën e tij të vogël në qendrën kolektive, që mezi e strehon atë dhe bashkëshorten e tij.

Zivkovic e la Mushtishtin e tij të dashur, fshat në Komunën e Suharekës, me 16 qershor, 1999. “Mushtishti është vendi më i bukur në Kosovë”, kujton Zivkovici me mall. “Lugina me shtëpi nën Malet e Sharrit. Shumë është bukur”. Deri sa flet, sytë i mbushen me lot kur kujton shtëpinë e tij të humbur.

“I ndërtova tri shtëpi për tre djemtë e mi. Vajza është fëmija i katërt, por siç është tradita te ne në Kosovë, vajzat nuk trashëgojnë prona”.

Lidhja emocionale me tokën e tij e ndali prej shitjes së pronës, pavarësisht faktit që ka jetuar në Serbi në 16 vitet e fundit. “E desha shumë atë vend, dhe gjithë kombësitë që jetojnë aty”, thotë ai. “Kalonim shumë kohë me fqinjët shqiptar. Janë shumë njerëz mikpritës. Shkonim në shtëpitë e tyre për të festuar Bajramin dhe ata vinin te ne për të festuar Krishtlindjet”, kujton ai. “Dhe ishim gjithmonë përkrah njëri tjetrit në martesa e varrime”.

Zivkovic i ka vizituar pronat e tij shumë herë prej fundit të luftës, pasi që agjenci të ndryshme kanë organizuar shumë udhëtime në vende të ndryshme të Kosovës për personat e zhvendosur. Në këto udhëtime PZHB-të shkojnë edhe në Prizren dhe në Suharekën fqinje, por jo në fshatin Mushtisht. Zivkovic thotë se shokët e tij shqiptar vinin e merrnin në Suharekë dhe e çonin për ta vizituar shtëpinë e tij. Hera e fundit që ai e vizitoi fshatin e vet ishte para tri viteve; pastaj pësoi sulm në zemër dhe gjendja e ndërlikuar shëndetësore e tij nuk e lejon të udhëtojë më me autobus.

Brenda qendrës kolektive dy djemtë e Zivkovic jetojnë me familjet e tyre në dhomat ngjitur me atë të tij. Djali i tretë u vra në një aksident trafiku në 1992. Nusja e vejë e tij gjithashtu strehohet në qendrën kolektive, me fëmijët e saj.

Barakat e Krnjacas strehojnë 175 serbë; 90 refugjatë serbë nga Bosnja e Hercegovina dhe Kroacia dhe 85 serbë të zhvendosur nga Kosova. Mbi të gjithë bie barra e ndërrimit të roleve të të fortëve, pasi që forcat serbe u tërhoqën prej lokacioneve që i okupuan në territoret ish-jugosllave.

Të mbështetura prej Komisariatit të Refugjatëve dhe Migrimit, departament qeveritar serb, qendrat kolektive sigurojnë strehim, ngrohje dhe ushqim pa pagesë. Por Krnjaca është me gjasë qendra më e mjerueshme nga të gjitha, pasi që u themelua si kamp urgjent gjatë 90-ave kur mijëra serbë ikën prej konflikteve të armatosura në vendet e tyre të origjinës.

Kushtet në qendrën kolektive të Krnjaca mendohet të jenë ndër më të këqijat prej qendrave që strehojnë PZHB të konfliktit në Kosovë.

Zivkovic është i diplomuar i Fakultetit të Inxhinierisë së Transportit dhe Trafikut në Universitetin e Beogradit, dhe ishte drejtor i transportit në IGK Balkan, Industria Kimike dhe e Gomës në Suharekë para luftës. Tani të hyrat e vetme të tij janë pensioni që e merr çdo muaj me postë, që mjafton vetëm për ushqim – ai më shumë e blen ushqimin vet sepse ushqimet pa pagesë janë “shumë të këqija”. “Në krahasim me qendrat tjera kolektive, ato ishin parajsë, e këtu është si ferr”, thotë ai. “Falë Zotit që kemi ngrohje, përndryshe s’kemi asgjë”.

Olivera Vucic nga Komisariati tha se aktualisht nuk ka mjaft fonde ndërkombëtare për të siguruar zgjidhje të qëndrueshme për PZHB-të në qendra kolektive. Prap se prap prej 700 qendrave kolektive që ishin në Serbi në 1996, sot ai numër ka rënë në 10, që aktualisht strehojnë 722 njerëz. Janë gjithashtu tetë qendra kolektive në Kosovë, të cilat strehojnë 353 PZHB, ku përfshihen serbët, romët dhe disa shqiptarë.

Në Kërkim të Zgjidhjeve

Narasimha Rao, kryetar i misionit të UNHCR në Kosovë, tha për Kosovo 2.0 se synimi përfundimtar është të gjehet “zgjidhje e qëndrueshme” për të gjithë PZHB-të, në bazë të veprimeve më të përshtatshme për çdo individ që është i ndikuar prej zhvendosjes. “Më të prekurit janë ata në qendra kolektive; ata që nuk kanë prona dhe mbesin si PZHB në regjistrimet zyrtare të qeverisë” tha ai. “Ata janë në gjendje të pasigurt: Nuk i përkasin Serbisë, nuk i përkasin Kosovës”.

Rao shpjegoi se si “zgjidhja e qëndrueshme” ndonjëherë mund të gjehet në vendin e zhvendosjes, kur PZHB-të mund të integrohen dhe t’i gëzojnë të drejtat e çdo qytetari. Zgjidhja tjetër është e drejta për t’u kthyer në vendin e origjinës.

Sipas UNHCR, 97,000 personat e zhvendosur nga Kosova – pak më pak se gjysma e popullsisë së përgjithshme të PZHB -ve ende kanë nevojë për “zgjidhje të qëndrueshme” në Serbi, në mënyrë që të integrohen plotësisht. Për njerëz në qendra kolektive, kjo zgjidhje përfshin gjetjen e strehimit të përshtatshëm si dhe punësimin, për të lejuar integrimin socio-ekonomik të tyre.

Personat e zhvendosur brenda vendit i kanë të drejtat dhe liritë e njëjta sipas ligjeve ndërkombëtare, siç i kanë edhe qytetarët tjerë. Por prap se prap, shumë kohë pas përfundimit të luftës, shumë nuk i gëzojnë këto të drejta, duke mbetur shumë të cenuar në Serbi e Kosovë. Varfëria në vendet që janë në zhvillim e sipër dhe ku niveli i papunësisë është i lartë në tërë popullsinë, ka kontribuar në margjinalizimin e PZHB-ve, si dhe në qasjen e tyre në punësim, e kështu ka ndikuar edhe në integrimin e tyre të plotë. Sipas raportit të vitit 2012 “Qëndrimet e Qytetarëve për Diskriminimin në Serbi” nga Programi i Zhvillimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, PZHBtë në Serbi janë në mesin e grupeve më të diskriminuara, së bashku me romët, gratë, pleqtë, dhe personat me aftësi të kufizuara.

Barakat në Krnjaca strehojnë 175 serbë, duke përfshirë 85 njerëz që janë zhvendosur nga Kosova.

PZHBtë në Kosovë dhe Serbi kanë të drejta të mirëqenies sociale, si qytetarët tjerë në këto vende. Megjithatë, një analizë e vitit 2014 ngaPraxis tregoi se PZHBtë që jetojnë në disa qendra kolektive të caktuara në Serbi nuk e kanë të mundur të ushtrojnë këtë të drejtë; disa qendra të mirëqenies sociale mendojnë se niveli minimal i sigurisë sociale arrihet për këtë kategori të qytetarëve pasi që atyre u ipet strehim dhe ushqim.

“Nuk mund të themi që PZHBtë janë krejtësisht të përjashtuar nga shoqëria, por kështu e ndjejmë në disa mjedise të caktuara”tha për Kosovo 2.0, Sinisa Volarevic, koordinator i programit të Qendrës për Migrim të OJQ-së së Beogradit, Grupa 484. “Në disa vende njerëzit pranohen më pak. Pastaj është fakti që PZHBtë integrohen më ngadalë në shoqëri të varfëra”.

Shpërbëria e ish-Jugosllavisë theksoi edhe më shumë dallimet në identitet në mes të komuniteteve dhe vendeve. Shpeshherë personat e zhvendosur nga Kosova janë ndjerë të përjashtuar dhe të trajtuar si qytetarë të rradhës së dytë në Serbi, vetëm për shkak që janë nga Kosova; sipas një sondazhi të drejtuar nga Grupa 484, rreth 20 përqind të PZHBve që përjetuan diskriminim mendojnë që trajtimi ishte si rezultat i të qenit nga Kosova.

Është përvojë që rezonon me Zivkovic. “Në fillim ishte vështirë. Na quanin ‘shiptari’, edhe pse jemi serbë”, thotë Zivkovic, duke iu refeferuar fjalës së njohur përulëse që serbët e përdorin për shqiptarë. “Dehej ndokush, the thoshte ‘ku je shiptari ta qifsha at’ nanë?’ Nuk ka rëndësi nëse thotë shiptari ose serb, por nuk më pëlqen kur dikush ma shanë nënën ose babanë. Nuk e pranoj këtë”.

Në anën tjetër, të gjithë njerëzit e intervistuar për këtë artikull theksojnë se Serbia është dëshmuar si shtëpi mikpritëse për mijëra PZHB që kanë arritur të integrohen mirë në shoqëri. Kjo është veçanërisht e vërtetë për gjeneratat më të reja, pasi që nuk e kanë të njejtën ndjenjë nostalgjike për shtëpinë e tyre në Kosovë, siç e kanë anëtarët më të vjetër të familjes.

Pengesat në Rrugën e Kthimit

Si pjesë e rezolutës 1244 të Këshilli të Sigurimit të OKB-së, dhe prej vitit 2008 nën Kushtetutën e Kosovës, njerëzit kanë të drejtë të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Menjëherë pas luftës, organizatat ndërkombëtare kryesisht ishin të fokusuara në mbështetjen e refugjatëve shqiptar që ishin kthyer në Kosovë, dhe në rindërtimin e vendit të shkatërruar.

Në 2003 filluan projekte më konkrete për riatdhesimin e minoriteteve. Megjithatë, në trazirat e marsit të 2004-ës shqiptarët dogjën qindra shtëpi që u përkisnin serbëve, si dhe rreth 30 kisha e manastire ortodokse, duke shkaktuar për shumë njerëz pasiguri e frikë për të jetuar përkrah popullsisë me shumicë shqiptare. Vlerësohet se 4,000 serbë u zhvendosën prej shtëpive të tyre si rezultat i trazirave.

Niveli i ulët i kthimit të PZHBve në Kosovë tregon se ende ka shumë pengesa dhe shqetësime për ata që mund të duan të kthehen. “Ne po mundohemi ta nxisim kthimin e njerëzve jo domosdoshmërisht në vendet e origjinës, por kudo që mund të ndihen të sigurtë”, tha Rao. Shumica e serbëve që janë kthyer preferojnë ta nisin përsëri jetën e tyre në Kosovë në qytete ose fshatra me shumicë serbe, në vend se të kthehen në vendin e origjinës.

“Do të kthehesha po të kisha mundësi, po të kisha liri të lëvizjes, dhe po të kishte më shumë serbë aty”, tha Jevto Zivanovic, burrë tjetër nga Mushtishti që sot jeton në qendrën kolektive të Krnjaca. “Vazhdimisht shoh sulme dhe bombardime në televizion”.

Në realitet, liria e lëvizjes dhe problemet me siguri janë përmirësuar në mënyrë drastike gjatë viteve të fundit në Kosovë, por perceptimi i pasigurisë mbetet për shumë njerëz. Është perceptim që përforcohet me qëllim nga mediat mainstream në Serbi, që kanë tendencë ta ushqejnë nocionin që serbët e Kosovës kërcënohen prej shqiptarëve të Kosovës, duke publikuar shumë storje, që me këmbëngulësi qëndrojnë të një-anshme, të çekuilibruara dhe bëhen pa verifikim të fakteve.

Jevto Zivanovic, që u zhvendos prej fshatit Mushtisht afër Suharekës, ka rezervime në lidhje me kthimin në Kosovë.

Sipas një raporti të fundit të përpiluar prej Institutit Shqiptar të Mediave të quajtur “Raportimi i Fqinjëve në Mediat e Ballkanit”, mediat serbe – dhe veçanërisht mediat popullore sensacionale – i paraqesin shqiptarët më keq se etnitë tjera në rajon. Po ai raport thotë se mediat kosovare mund t’i përforcojnë disa stereotipe të vazhdueshme drejt Serbisë, si besimi që ka vetëm urrejtje drejt shqiptarëve prej anës serbe.

Pasi që elita politike serbe dhe përfaqësuesit serb në Kosovë vazhdimisht i ushqejnë mediat me retorikë partizane të nevojës për t’i mbrojtur serbët në Kosovën me shumica shqiptare, nuk është vështirë të kuptojmë se Zivanovic dhe shumë si ai që kurrë nuk janë kthyer në Kosovë prej luftës, lehtë mund të jenë të keqinformuar për situatën reale.

Një prej pengesave praktike me të cilat përballen të kthyerit është problemi i të drejtave së pronësisë të personave të zhvendosur. Në shumë raste, pronat që duket se janë braktisur prej serbëve janë uzurpuar prej tjerëve në mungesë të tyre. “Po të mund t’i merrnin përsëri pronat e tyre, çdo gjë do të kthehej në normalitet”, theksoi Vucic për Komisariatin në Beograd.

Përgjegjësia e marrjes dhe regjistrimit të kërkesave në lidhje me prona të kontestuara, si rezultat i i konfliktit të armatosur, mbetet te Agjencia e Pronave të Kosovës (APK); rastet pastaj duhet të zgjidhen nëpërmjet Komisionit të Kthimit të Pronave të Kosovës. Sipas statistikave të fundit të APK, vetëm në 2015 agjencia ka zbatuar 784 dëbime, ndërsa 946 dëbime pritet të bëhen.

Por aftësia praktike e APK-së për të zgjidhur çështjet e kthimit të pronave te pronarët origjinal të tyre është e kufizuar. Në shumë raste, pronarët e pronave ngurrojnë të kthehen në shtëpitë e tyre, edhe pasi që u janë kthyer, dhe kështu uzurpuesit e paligjshëm – zakonisht shqiptarët vendas – e ‘riuzurpojnë’ objektin e zbrazët.

APK, që punon përkrah policisë, ka mandat për t’i dëbuar uzurpuesit e paligjshëm dy herë, por ankesat e mëtejme dërgohen te Policia e Kosovës për zgjidhje në gjykata. Në ato raste, ankesat bëhen bashkë me qindra raste të ngjashme, në sistemin e stërmbushur të drejtësisë; sipas APK-së, prej gjithsej 389 rasteve të nisura nga prokuroria deri më sot, 193 raste janë ende në pritje.

Rao i UNHCR tha se Ministri i Komuniteteve dhe Kthimit në Kosovë ka përkrahur nevojën e themelimit të gjykatës speciale që do të merrej specifikisht me raste të pronave. Kosovo 2.0 kontaktoi Ministrinë për hollësi të mëtejme dhe për të diskutuar strategjitë e saja mbi çështjet me të cilat përballen personat e kthyer, por ata nuk iu përgjigjën disa kërkesave për intervistë.

Një pjesë e qendrës kolektive në Krnjaca tani strehon refugjatë që po ikin prej konfliktit në Lindje të Mesme.

Në Beograd, problemet praktike në lidhje me kthim duket se janë shumë larg  prej shumë personave të zhvendosur nga Kosova që kanë mbetur të ngecur në Qendrën Kolektive në Krnjaca. Me valën e re të refugjatëve prej Lindjes së Mesme që tani e okupon pjesën tjetër të kampit, si dhe fokusin e autoriteteve serbe dhe  komunitetit ndërkombëtar, banorët e parë të Krnjacas tani ndihen edhe më të harruar e margjinalizuar se kurrë më parë.

/Dafina Halili – Kosovo 2.0/ – Prishtinë-Beograd

/Kjo storje është realizuar në kuadër të projektit Kosovo Serbia: LIVE të cilin e financon Bashkimi Evropian në kuadër të Mbështetjes Shoqërisë Civile 2013. Përmbajtja e kësaj storjeje dhe qëndrimet e paraqitura në të janë përgjegjësi ekskluzive e autorit dhe nuk pasqyrojnë pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian./

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM