Build Skills with our trainings

Sign up now!

Qendra Studentore e Prishtinës tash e 8 vjet pa staf mjekësor

Dhj 3, 2015

Në Qendrën Studentore të Universitetit të Prishtinës aktualisht banojnë rreth 4.000 studentë, por aty nuk ka staf mjekësor tash e tetë vite, i cili do të përkujdesej për shëndetin jo vetëm të këtyre studentëve por edhe të studentëve të tjerë të Universitetit publik “Hasan Prishtina”.

Studentët përveç shpenzimeve tjera që kanë gjatë studimeve, u duhet të shpenzojnë edhe në rastet kur ata kanë nevojë për ndihmë mjekësore.

Këtë fakt e pranon përKosovaLive edhe drejtori i Qendrës Studentore të Universitetit të Prishtinës, Fatmir Sfishta. Por ai, obligimin për sigurimin e stafit mjekësor i adreson Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Ai thotë se zyrtarët e Komunës së Prishtinës kanë tërhequr stafin mjekësor nga kjo qendër tashmë tetë vjet më parë pa dhënë asnjë arsye dhe me gjithë kërkesat e kësaj qendre aty nuk është kthyer më stafi mjekësor.

“Stafi mjekësor aso kohe financohej nga Drejtorati për Shëndetësi i Komunës së Prishtinës, ndërkaq pjesën tjetër logjistike e financonim ne. Deri tani kemi bërë së paku 10 kërkesa në Kuvendin Komunal të Prishtinës që Qendra Studentore të ketë stafin e vet mjekësor, por nuk kemi marrë ndonjë përgjigje shpresëdhënëse që tregon se një gjë e tillë do të ndodhë së shpejti”, pohon Sfishta.

Ai tutje thotë se ekziston infrastruktura e nevojshme dhe se janë në gjendje ta bëjnë atë funksionale kurdo që Komuna e Prishtinës vendos ta rikthej aty stafin mjekësor.

Drejtori i Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia, këtë problem nuk e shesh hi mungesë të vullnetit të zyrtarëve komunal, por si një problem të pazgjidhur ndërministror.

Ai ka shpjeguar për KosovaLive se në vitin 2008 kur është mbyllur Qendra e Mjekësisë Familjare (QMF) në Qendrën Studentore arsyeja ka qenë se kjo nuk përkon me konceptin e mjekësisë familjare, e cila nuk merret me ofrimin e shërbimeve ekskluzive për grupmosha të caktuara.

“Gjatë vitit 2014 me iniciativë të drejtorit të Qendrës Studentore kam pasur disa takime me qëllim rihapjen e kësaj qendre. Në të njëjtën kohë kemi pasur takime edhe me zyrtarë të Ministrisë së Rinisë, Kulturës dhe Sportit (MRKS), për të njëjtën çështje”, pohon Vitia.

Ai shpjegon se në këto takime është sqaruar se objekti në fjalë nuk është pronë e Komunës së Prishtinës dhe rrjedhimisht investimet nuk mund ti bëjë Komuna e Prishtinës.

Vitia tutje shton se Komuna e Prishtinës ka një kuotë të caktuar të punëtorëve shëndetësorë, e cila është caktuar nga niveli qendror dhe duke qenë se sistemi shëndetësor në Prishtinë në kushtet aktuale përballet me mungesë të punëtorëve shëndetësorë, është e pamundur të ofrohen këto shërbime shtesë pa rritje të kësaj kuote.

“Ky problem është rritur akoma me shkurtimin e buxhetit për shëndetësi në Prishtinë si pasojë e regjistrimit të fundit të popullsisë, ku Komuna e Prishtinës figuron me më pak se 200 mijë banorë. Përkundër këtij shkurtimi buxhetor, në vitin 2014 ka pasur rritje të ndjeshme të vizitave dhe shërbimeve shëndetësore në Prishtinë”, nënvizon Vitia.

Ai tutje shton se Komuna e Prishtinës është shumë e gatshme të marrë në menaxhim shërbimet shëndetësore që do të ofroheshin në Qendrën Studentore nëse këto probleme sqarohen dhe zgjidhen nga ministritë respektive në nivelin qendror.

Studentja Marigona Hashimi thotë se jo rrallë u ka ndodhur që studentët të kërkojnë ndihmë mjekësore në QKUK pasi Qendra Studentore nuk ka mjek tash e sa vite.

Konvikti

“Qendra Studentore duhet të ketë stafin e vet mjekësor pasi ne i kemi mjaft shpenzimet për studim dhe kjo e rëndon edhe më tepër buxhetin tonë jo shumë të mirë, siç e kanë shumica e banorëve të vendit tonë. Përveç barnave që duhet blerë jo rrallë ka ndodhur që studentët të paguajnë taksi për të shkuar deri në QKUK për të kërkuar ndihmë mjekësore”, thotë Hashimi duke shpresuar që të mos i përcjell një gjendje  e tillë edhe gjeneratat tjera.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM