Janë bërë 3 vjet që kur Jeton Pllana nga Prishtina, pret produktet e porositura online, në adresën e tij.
“Blerjet online janë mundësi shumë e mirë për shkak se produkti i blerë vie në adresën time dhe nuk lodhem të dal nga shtëpia, ato janë disa herë më të lira dhe kështu e kursej xhepin tim, mundësitë për zgjedhje janë të shumta dhe zbritjet janë të shpeshta e të mëdha,” thotë ai.
Jetoni thotë se nganjëherë nuk ndahet shumë i kënaqur me cilësinë artikujve, por ajo arsyetohet nga çmimi i tyre.
E-bay, Amazon dhe AliExpress janë disa nga dyqanet më të njohura virtuale në botë. Qe një kohë, nga këto dyqane mund të shërbehen edhe qytetarët e Kosovës. Sipas blerësve në këto dyqane, mënyra më e sigurtë është nësë artikujt porositen përmes Shqipërisë, edhe pse tani disa nga këto dyqane e kanë njohur Kosovën si shtet.
Edhe pas rritjes së TVSH-së dhe Tarifës Doganore, Rifat Alaj, shef i Qendrës Tranzite Postare (QTP) tregon se blerjet nuk janë ulur, ato vetëm sa janë shtuar.
“Gjashtë mujori i parë i vitit 2015 ka ndryshime të mëdha pozitive me gjashtë mujorin e parë të 2014, kështu porositë online janë rritur për 34.92% ose 33.400 pako më shumë,” tregon ai.
Zyrtarë të Doganës së Kosovës thonë se arsyeja e rritjes së doganës për këto blerje është mbrojtja e bizneseve në Kosovë, edhe pse kjo nuk çoi peshë te shumë blerës, meqë blerësit që në fillim bëjnë marrëveshje me shitësit që produktin e dërguar ta dërgojnë si dhuratë, e në këtë formë dogana nuk paguhet nga blerësit kosovar, pa marrë parasysh çmimin e artikullit.
/Arizona Musliu – Vajzë Dëgjohu/