Duke qenë se mjetet automobilistike të trafikut rrugor përbëjnë disa nga shkaktarët më të mëdhenj të ndotjes së ajrit, rinia gjakovare ka sjellë një ide inovative dhe me efekte pozitive në këtë aspekt në Gjakovë. “Jakova Bikes” është projekti më i ri ekologjik në komunën e Gjakovës i cili ofron biçikleta me qira si mjete transporti.
Projekti synon të promovojë transportin ekologjik me biçikleta si transport alternativ përballë mjeteve të tjera motorike si dhe të zhvillojë turizmin e kësaj ane të Kosovës përmes aktiviteteve turistike grupore me turistë vendorë dhe të huaj.
Ky projekt ka filluar në muajin shkurt të vitit 2016 dhe përveç Gjakovës operon edhe në zonat turistike përreth.
Interesimi për shfrytëzimin e biçikletave me qira si mjete transporti është në rritje e sipër.
Endrit Gashi, një nga shfrytëzuesit e shërbimeve të “Jakova Bikes”, shprehet i kënaqur me shërbimet që i janë ofruar.
“Ideja e përdorimit të biçikletave për të eksploruar natyrën apo shëtitjet e ndryshme është shumë pozitive. Përveç që janë të shëndetshme, relaksuese, ekonomike, të mira për ambient, biçikletat që ofrohen janë të kualitetit të lartë dhe gjithmonë në gjendje të mirë teknike si dhe stafi është shumë mikpritës,” tha ai.
Besnik Avdiaj, përfitues i grantit nga Komisioni Evropian për realizimin e këtij projekti dhe njëherësh menaxher thotë se rritja e punësimit, mirëqenies sociale, promovimi i çiklizmit, zhvillimi i turizmit si dhe risia në jetën e lokalitetit të Gjakovës dhe zonave përreth janë disa nga përfitimet që “Jakova Bikes” u ofron klientëve të saj.
Vlen të ceket që ky është projekti i dytë i ngjashëm i organizuar nga të rinjtë gjakovarë, duke sjellë një shembull të mirë të një nisme të tillë ekologjike në komunën e Gjakovës.
/Elda Azemi – Vajzat Ngrisin Zërin/