Ne bjeshkët e Deçanit gjendet një burim uji, i njohur nga populli me emrin Gushavc. Uji i këtij burimi është i pijshëm, por cilësohet edhe si shërues, ndër të tjera, për lukth, hemorragji të lëkurës dhe njolla në fytyrë.
Ky vend çdo herë e më shumë po vizitohet nga qytetarë jo vetëm të Komunës së Deçanit, por edhe nga qytetarë të anëve të ndryshme të Kosovës.
Vizituesit e këtij burimi e cilësojnë atë si ilaç natyral për një varg sëmundjesh, siç janë tkurrjet e lukthit, hemorragji të lëkurës, njollat në fytyrë, etj. Vizitorët e burimit pohojnë se uji i Gushavcit ju ndihmon shumë në problemet e tyre me shëndet.
Por sa është e vërtetë se ky ujë ka cilësi shëruese? A është studiuar ndonjëherë cilësia e tij? Këtë tani për tani nuk e pohon askush.
Thuhet se studimi i cilësisë së këtij burimi ka mbetur “viktimë” e mospajtimeve ende ekzistuese ndërmjet Komunës së Deçanit dhe Manastirit të Deçanit.
Në Kuvendin Komunal në Deçan thonë se nuk i janë bërë ndonjëherë analiza laboratorike ujit të Gushavcit.
Yllarta Thaqi, zyrtare për marrëdhënie me publikun në KK të Deçanit, e shpjegon mungesën e analizave dhe investimeve në këtë pjesë të çmueshme të vendit.
“Komuna nuk i ka bërë analiza ujit, sepse nuk kemi qasje në atë pjesë të komunës. Ajo pjesë i takon Manastirit të Deçanit dhe komuna nuk mund t’i bëjë analiza ujit e as të bëjë ndonjë investim në atë vend, qoftë për ta rregulluar apo pastruar atë burim , i cili do të ishte në dobi të vizitorëve”, thotë Thaqi.
Për këtë burim ka pasur edhe interesime nga investitorë të huaj. Thaqi rrëfen se në vitin 2006 një institut austriak ka ardhur me qëllime hulumtimi dhe investimi, por edhe kjo përpjekje ka dështuar pasi që Manastiri i Deçanit nuk ka e ka lejuar një gjë të tillë.
Pasojat e mungesës së hulumtimeve janë sigurisht të mëdha. Pa hulumtime profesionale dhe pa mundësi investimi ose promovimi të këtij aseti, uji i Gushavcit dhe cilësia e tij do të mbesin të dëshmuara vetëm nga vizitorët e këtij burimi, fjala e të cilëve mund të mos i bind vizitorët e tjerë të mundshëm.
Për më tepër, me rritjen e numrit të vizitorëve vijnë edhe probleme të tjera. Burimi i ujit duhet të mirëmbahet e të rregullohet. Pamundësia e komunës për mirëmbajtje të burimit mund të ndikojë negativisht në gjendjen e tij dhe cilësinë e ujit.
Mbi të gjitha, kjo është një humbje shumë e madhe për turizmin, jo vetëm në Deçan, por për turizmin në Kosovë, në përgjithësi. Me pasuri të tilla si uji i Gushavcit, bukuritë natyrore të “Alpeve Shqiptare” në Deçan do të ishin edhe më tërheqëse për vizitorët nga vendi, rajoni e bota.
Deçani si një qendër e vogël në perëndim të Kosovës, ngrihet mbi lumin e Lumbardhit dhe kjo shtrirje gjeografike e karakterizon atë si një vend të bukurive natyrore, me shumë mundësi për zhvillim të turizmit.
/Fatbardha Shabanaj – Vajzat Ngrisin Zërin/