I anashkaluar për shumë vite në projektet e mëdha, Gjilani tani po hap një epokë të re për sa i përket infrastrukturës dhe zhvillimit, pasi përfundimisht është vendosur ndërtimi i autostradës që këtë kryeqendër të Anamoravës do ta lidh me kryeqytetin e Kosovës – Prishtinën e prej andej edhe me kryeqytetin e Shqipërisë – Tiranën dhe kryeqytetin e Maqedonisë – Shkupin, por edhe me Kosovën Lindore dhe prej andej me korridoret e tjera ndërkombëtare.
Në Gjilan tashmë ka filluar ndërtimi i rrugëve hyrëse-dalëse me katër korsi, të cilat këtij qyteti do t’i sigurojnë lidhje më të mirë me autostradën e ardhshme Prishtinë – Gjilan – Konqul, e cilat tashmë ka filluar të quhet Autostrada e Gjilanit.
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, duke folur për zhvillimet e projektit për autostradën që lidh Prishtinën me Gjilanin, ka theksuar se deri më tani është përfunduar drafti preliminar për segmentin e dytë që përfshinë rrugën Gjilan-Dheu i Bardhë-Konqul, ndërsa ka nënvizuar se projekti i detajuar do të përfundojë gjatë muajit maj.
Ai ka thënë se ka filluar të bëhet edhe shpronësimi i pronave për trasenë e kësaj autostrade.
Sipas ministrit Zharku, Autostrada e Gjilanit është përfshirë në grupin e projekteve për financim nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe drafti preliminar i projektit i është dorëzuar për shqyrtim Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nga e cila pritet përgjigje pozitive.
Ministri Zharku ka bëtë të ditur se segmenti i parë i autostradës përfshinë rrugën Prishtinë-Gjilan, ndërsa segmenti i dytë përfshinë rrugën Gjilan-Dheu i Bardhë-Konqul.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në një postim në Facebook, kohë më parë, ka shpalosur projektin ideor të Autostradës së Gjilanit, që sipas tij, është prezantuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe ka bërë të ditur se ndërtimi i saj do të fillojë vitin e ardhshëm.
Haziri ka shkruar se projekti ideor i Autostradës Prishtinë – Gjilan-Konqul, është projekt nacional, i cili e lidh Gjilanin me korridorin e kombit dhe korridoret ndërkombëtare. Ai ka theksuar se ky është një projekt gjigant që pritet të sjell përfitime të mëdha për qytetarët e Gjilanit dhe do të ndikoj në zhvillim të hovshëm ekonomik.
Nga ky projekt, sipas Hazirit, do të përfitojë në zhvillim edhe Malësia e Zhegocit, Bresalci, Përlepnica, meqë sipas projektit ideor, autostrada kalon përmes Bresalcit tek Bunari i Përlepnicës, për të vazhduar drejt Crepit në Kamenicë e deri tek fshati Konqul i Kosovës Lindore.
Arbër Ismajli, shef i kabinetit të kryetarit të komunës, flet për KosovaLivepër rëndësinë e këtij projekti. Sipas tij, kjo është meritë edhe e kryetarit Haziri, sepse që nga ardhja e tij në krye të komunës kanë filluar investimet.
“Projektin e kemi mirëpritur, ngase është diçka që kohë të gjatë i ka munguar Anamoravës. Na gëzon fakti se investimet e qeverisë po kthehen në rajonin tonë. Ka kohë që Gjilani dhe Anamorava nuk ka pasur investime kaq të mëdha qoftë nga donatorët qoftë nga Institucione qendrore. Me ardhjen e kryetarit Haziri investimet në këtë rajon vetëm sa vijnë e shtohen”, tha Ismajli.
Ai është i bindur se kjo autostradë do të ndikojë edhe në rritjen ekonomike.
“Gjilanasit e mirëpresin këtë projekt edhe për shkak se e lidhë Anamoravën me Kosovën Lindore, pastaj rajoni do ketë edhe rritje ekonomike, zhvillim më të madh dhe më e rëndësishmja është që do kemi bashkim! Pra rëndësia e kësaj autostrade është e ngjashme me Rrugën e Kombit, sepse shqiptarët më në fund po bashkohen nga të gjitha anët, sigurisht që dëshira më e madhe e gjithë neve që jetojmë në këtë rajon është që autostrada ta mbajë emrin e heroit kombëtar Agim Ramadani – Katana”, thotë Ismajli.
Edhe qytetarët e Gjilanit ndihen të entuziazmuar me këtë projekt.
Nerminë Ibrahimi thotë se kjo autostradë është shumë e rëndësishme për banorët e Gjilanit.
“Kjo autostradë është shumë e rëndësishme për ne, madje edhe shumë e nevojshme. Jam shumë e lumtur që më në fund edhe Gjilani do të lidhet me autostradë me trojet tjera etnike. Presim me padurim përfundimin e saj sa më shpejt”, nënvizon qytetarja gjilanase, Nerminë Ibrahimi.
/Nita Ismaili – Vajzat ngrisin zërin/