Për herë të parë në Kosovë sot do të mbahet Olimpiada e kimisë ku do të marrin pjesë nxënësit e klasave të 9-ta dhe të 10-ta. Kjo olimpiadë organizohet nga Shoqata e Kimistëve të Kosovës.
Olimpiada do të mbahet në orën 10:00 në kolegjin “Mehmet Akif” në Lipjan. Në këtë olimpiadë do të marrin pjesë 82 nxënës, të cilët janë përzgjedhur paraprakisht në garat komunale.
Islam Zuzaku, koordinator i Olimpiadës Kombëtare të Kosovës në Kimi, tregoi për KosovaLive se në këtë olimpiadë nuk përfaqësohen të gjitha komunat, por vetëm 12 sosh që iu kanë përgjigjur thirrjes së organizatorit dhe i kanë mbajtur garat seleksionuese.
“Muaj më parë është riaktivizuar Shoqata e Kimistëve të Kosovës dhe aktiviteti i saj i parë është organizimi i Olimpiadës së parë të Kosovës në Kimi për klasat e 9-ta dhe të 10-ta. Kemi marrë lejen në Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe kemi njoftuar të gjitha drejtoritë komunale të Arsimit”, tha Zuzaku.
Ai tregoi se mbështetjen më të madhe për organizimin e kësaj olimpiade e kanë nga Kolegji “Mehmet Akif” dhe drejtoritë komunale pjesëmarrëse.
Olimpiada ndërkombëtare e kimisë këtë vit mbahet në Gjeorgji dhe Kosova këtë herë do të marrë pjesë vetëm si vëzhgues.
“Ne jemi pranuar të marrim pjesë si vëzhgues në Olimpiadën Ndërkombëtare të Kimisë që mbahet sivjet në Tbilisi të Gjeorgjisë. Mbështetje kemi shumë pak deri tash”, thotë Zuzaku.
/Nita Ismaili – Vajzat ngrisin zërin/