Rajone të ndryshme të Kosovës vuajnë nga ndotja enorme e ajrit dhe kurdoherë kur bëhet ndonjë matje, rezultatet tregojnë se gjendja e ajrit në Kosovë është alarmante, ngase vlerat e matjes dalin dy-tre fish më të larta sesa që është limiti i lejuar i Bashkimit Evropian.
Ky problem ka provokuar disa të rinj të Kosovës, të cilët këtë vit organizojnë për herë të parë në Prishtinë festivalin “Shkenca për ndryshim”. Ky festival organizohet në kuadër të projektit “Shkenca për
ndryshim në Kosovë” që implementohet nga organizata joqeveritare PIKS (Prosperity Inititative in Kosovo) në bashkëpunim me “Rrjeti i edukatorëve bashkëmoshatarë” – PEN.
Në Kosovë, shkaktarë kryesorë të ndotjes konsiderohen: termocentrali “Kosova A” (TCA) dhe termocentrali “Kosova B” (TCB), Feronikeli dhe Sharrcemi. Me punën që bënë gjatë procesit
të prodhimit të Feronikelit metalik, kompleksi industrial i Feronikelit ndikon në lirimin e sasisë së madhe të pluhurit si dhe gazrave: oksidi i karbonit(CO), dioksidi karbonit (CO2), dioksidi i sulfurit(SO2), oksidet e azotit (NOx), të cilat kanë ndikim në mjedis dhe në shëndetin e njeriut.
Fabrika e Sharrcemit ndikon në ndotjen e ajrit me oxhakun e furrës si rezultat i zbërthimeve fiziko-kimike të lëndës së parë.
Ndërkaq, sipas matjeve të publikuara në raportin përmbledhës për gjendjen e ajrit 2015, ndër të tjera, thuhet: Ndotja e theksuar vërehet nga pluhuri në formë të PM10 dhe PM2.5, ndërsa parametrat tjerë nuk tejkalojnë vlerën maksimale të lejuar (VML).
Dallojnë stacionet e monitorimit në Obiliq me 90 ditë tejkalime të VML brenda vitit, Gjilani me 75, Prishtinë – Instituti Hidrometrologjik i Kosovës (IHMK) me 74, Prishtinë -Rilindja me 66, Drenasi me 61 dhe Hani i Elezit me 45 ditë tejkalime, krahas 35 ditë sa janë të lejuara sipas Udhëzimit administrativ Nr.02/2011 për normat e cilësisë së ajrit.
Gjatë festivalit i cili do të zgjasë dy ditë (22 -23 prill) do të mbahen fjalime, prezantime e punëtori, të cilat do të udhëhiqen nga akterë aktivë në fushën e mbrojtjes së mjedisit me fokus përmirësimin e
kualitetit të ajrit.
Gjithashtu, do të publikohen rezultatet e ndotjes së ajrit në 12 komuna të Kosovës. Parametrat që janë matur nga vullnetarët e iniciativës rinore ‘citizen science’, përmes pajisjeve digjitale dhe jodigjitale,
janë dioksidi i azotit (NO2) dhe partikulat e ndotjes (PM2.5 dhe PM10), që shkaktojnë kancere të ndryshme dhe sëmundje respiratore.
Rron Kelmendi, menaxher i projektit “Shkenca për ndryshim në Kosovë”, duke komentuar rezultatet që do të publikohen gjatë festivalit, ka thënë se në disa lokacione të caktuara vlerat e matjes së ndotjes të ajrit kanë dalë dy-tre fish më të larta sesa që i lejon limiti i Bashkimit Evropian. Sipas tij, rezultatet tregojnë se gjendja e ajrit në Kosovë është alarmante.
Gjithashtu, ai ka treguar për qëllimin e këtij festivali.
“Qëllimi është të krijohet një iniciativë qytetare apo një shoqëri që së bashku i identifikojnë këto problematika dhe nuk kanë frikë apo nuk hezitojnë ta ngrisin zërin kundër ndotësve të ajrit, të tokës apo ambientit”, thotë ai.
Sipas standardeve të BE-së, limiti për dioksidin e azotit (NO2) për periudhën njëvjeçare është 40 µg/m3, kurse për dioksidin e sulfurit (SO2) për periudhën 24-orëshe është 125 µg/m3.
Ndotja e ajrit është një faktor që vazhdimisht ndikon në shëndetin e njerëzve. Cilësia e ajrit është më e dobët në zonat e zhvilluara urbane e veçanërisht në zonat industriale. Disa nga problemet më serioze që
shkaktohen nga ndotja e ajrit janë: Reduktimi i funksionimit normal të organeve të frymëmarrjes; irritimi i syve, hundës, gojës dhe fytit; sëmundja e astmës dhe bronhitisit; vështirësitë në frymëmarrje; dobësimi i organizmit; dhimbjet e kokës dhe marramendja; sëmundjet kardiovaskulare; vdekja e parakohshme, etj.
/Medina Mehmeti -Vajzat Ngrisin Zërin/