Trajner për jetën dhe rininë është një nga profesionet më të reja në Kosovë, profesion të cilin tash e kanë 12 djem e vajza, pasi ata arritën të certifikohen nga 20 vajza e djem të Kosovës sa kishin kaluar me sukses fazën e aplikimit dhe të trajnimit gjashtëditor në muajin gusht të vitit 2014.
Ky trajnim ishte organizuar nga kompania “Leadership in Kosovo” që vepron në Kosovë, në bashkëpunim me “Youth Coaching Academy” që vepron në Mbretërinë e Bashkuar. Trajnimi ishte ofruar pa pagesë për të rinjtë e Kosovës duke iu falënderuar njerëzve të vullnetit të mirë që e financuan ngjarjen.
Pasi kishin ndjekur ligjëratat e një prej trajnerëve më të shquar në botë për lidership dhe për jetën dhe rininë, Harry Singha, 20 të rinjtë filluan rrugëtimin në fazën tjetër të trajnimit, e cila ishte testimi gjashtëmujor, fazë në të cilën ata kishin për detyrë të krijonin raporte, të zbulonin më shumë në fushën e tyre, si dhe të fillonin punën praktike si trajnerë të jetës dhe rinisë.
Gjithsesi, edhe gjatë fazës së testimit, pjesëmarrësit e trajnimit kishin mundësinë të konsultoheshin dhe të merrnin këshilla nga trajneri Harry Singha, si dhe nga trajnerja dhe liderja e kopanisë “Leadership in Kosovo”, Gwyneth Letherbarrow.
Më 17 mars 2015, ata të cilët kishin kaluar me sukses fazën gjashtëmujore të testimit, u diplomuan nga akademia angleze “Youtch Coaching Academy”. Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë edhe figura tjera të rëndësishme si tanimë ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ian Cliff, ministri i Arsimit në Kosovë, Arsim Bajrami dhe ambasadori i Austrisë, Johann Brieger.
Njëra nga të diplomuarat, Erita Kollçaku, kur u pyet nga KosovaLive se çfarë ndikimi ka pasur trajnimi mbi jetën dhe rininë tek ajo, tha se gjërat që ka mësuar gjatë trajnimit kanë një vlerë shumë të madhe.
“Fakti që jam një trajnere për jetë dhe të rinj ka një ndikim shumë pozitiv në jetën time. Gjërat që kam mësuar gjatë trajnimit kanë një vlerë shumë të madhe. Kam mësuar si të përballem me situata të ndryshme, si ta transformoj një ditë të thjeshtë në një ditë produktive. Thënë shkurt, trajnimi ka ndikuar shumë në mënyrën e të menduarit për gjëra të ndryshme dhe në marrjen e vendimeve të ndryshme. Gjithashtu ky trajnim më ka ndihmuar shumë edhe në menaxhimin e emocioneve”, thotë Kollçaku.
Tashmë është bërë një vit që 12 të diplomuarit në këtë profesion kanë filluar të punojnë në mënyrë aktive duke organizuar trajnime, punëtori, si dhe seanca individuale të trajnimit me klientë të shumtë.
E pyetur se cilat janë planet e ekipit të trajnerëve, Kollçaku, e cila njëherësh është edhe lidere e ekipit, tha se po angazhohen dhe do të angazhohen që me punën e tyre të ndikojmë pozitivisht në jetën e të rinjve të tjerë duke u treguar atyre një stil jetese të mbushur me pozitivistet.
“Ky profesion për ne është një përgjegjësi mjaft e madhe dhe një rol i rëndësishëm pasi që duke qenë trajnerë ne mundohemi të ndikojmë pozitivisht në jetën e të rinjve të tjerë duke u treguar atyre një stil jetese të mbushur me pozitivitet dhe një mënyrë ndryshe të të menduarit në situata te ndryshme. Ne besojmë që është mjaft e nevojshme përkrahja e të rinjve në atë që ata zgjedhin të bëjnë me jetën e tyre dhe kjo është pikërisht ajo qe mundohemi të bëjmë.
Ne planifikojmë të shpërndajmë sa më shumë shërbimet tona me të rinjtë e Kosovës në përpjekje për t’i frymëzuar ata që të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të shfrytëzojnë kreativitetin unik që çdonjëri nga ne e ka”, theksoi Kollçaku.
Ky grup i 12 trajnerëve, duke qenë të menaxhuar dhe përkrahur nga kompania “Leadership in Kosovo”, kanë sjellë një frymë të re dhe pozitive në shoqërinë tonë, por edhe më gjerë pasi që janë trajnerët e parë dhe të vetmit për jetën dhe rininë në tërë Ballkanin.
/Elda Azemi – Vajzat ngrisin zërin/