Build Skills with our trainings

Sign up now!

Një jetë e zymtë, e paradestinuar, në rrugë

Nën 12, 2016

Një grua të re 25 vjeçare mund ta shihni shpesh kur ndaleni në semaforin te Mensa e Studentëve në Prishtinë, ku me beben e saj në duar përvidhet mes kolonave të gjata të veturave duke kërkuar lëmoshë… Në emër të Zotit… Ajo ka edhe katër fëmijë të tjerë. Fëmija më i madh ka moshën për të shkuar në shkollë, mirëpo ai së bashku me të vëllanë dhe dy motrat, njësoj si e ëma, dalin rrugëve të Prishtinës, të kërkojnë ndonjë cent që të sigurojnë ushqimin për një ditë.

Valmira (emri i vërtetë i njohur për redaksinë) nuk di as të lexojë e as të shkruajë prandaj nuk ka mundësi të kërkojë ndonjë punë afatëgjatë që do t’i sillte fitim. Për këtë arsye, me beben e saj në duar, i kalon ditët duke kërkuar lëmoshë rrugëve.

Fëmijët e saj njësoj si edhe shumë fëmijë të komunitetit RAE, sipas të gjitha gjasave i pret një fat i ngjashëm, duke marrë parasysh se ata nuk shkollohen. Ata që arrijnë të shkojnë në shkollë, shpeshherë e braktisin atë. Më së shpeshti për arsye ekonomike, por nganjëherë dhe për shkak të diskriminimit nga rrethi shkollor dhe detyrimit nga familja për t’u martuar.

Valmira nuk e di nëse në arkivat e shtetit ku jeton ka ndonjë gjurmë të saj. Madje ajo nuk e di se vetë duhet të shkojë të regjistrohet. Në rrethana të tilla do të ishte çudi sikur fëmijët e saj të ishin të regjistruar.

Në moshën 16 vjeçare, Valmirën e kishin martuar. Në moshë të re e kishin martuar edhe nënën e saj, njësoj si nënën e nënës dhe të gjithë paraardhëset e tjera. Fatin e njëjtë e kanë edhe shumë vajza nga komuniteti i romëve, ashkalive dhe egjiptianëve. Ky komunitet vlerësohet se ka kushtet jetësore më të këqija në Kosovë.

Përqindja e të shkolluarve në mesin e komunitetit RAE, mbetet më i ulëta nga të gjithë komunitetet. Valmira e di mirë se fëmijët e saj duhet të shkollohen, mirëpo ajo thotë se nuk mundet t’ua sigurojë kushtet më elementare për jetesë, e sa për shkollimin e tyre as që bëhet fjalë.

Si pasojë e mosshkollimit, pjesëtarët e këtij komuniteti kanë probleme që të inkuadrohen në shoqëri apo të gjejnë punësim të qëndrueshëm, rrjedhimisht jetojnë në skamëri. Kushtet e këqija ekonomike bëhen arsye edhe për fëmijët që kanë filluar shkollën, ta braktisin atë.

Organizata “The Ideas Partnership” (TIP), me iniciatore Elizabeth Gowing, fokus kryesor ka t’ua mësojë shkrim leximin pjesëtarëve të këtij komuniteti. TIP gjithashtu u mëson nxënësve gjuhën shqipe, angleze dhe matematikën. Ata kanë një qendër në Fushë Kosovë dhe një në Janjevë që bashkëpunojnë me shkollat përkatëse që të mund t’i inkuadrojnë fëmijët e komunitetit RAE. Ata kanë të angazhuar përafërsisht 120 vullnetarë që ndihmojnë me mësimdhënien duke ndjekur një program të përpiluar nga mësuesit që janë pjesë e stafit të tyre.

Njëra nga vullnetaret në TIP, Arta Tërstena, bashkë me vullnetarët e tjerë në këtë organizatë, ndihmon me mësimdhënie. Ajo tregon se përkundër faktit se jeton vetëm 3km larg lagjes 28 dhe 29 në Fushë Kosovë, ajo nuk ishte e vetëdijshme për kushtet e këqija në të cilat jetonin pjesëtarët e komunitetit RAE.

Sipas saj, fëmijët e këtij komuniteti, vazhdimisht ankohen se fëmijët e tjerë i ngacmojnë dhe mësuesit i detyrojnë që të ulen në bankat e fundit. Ajo ka vërejtje në sistemin shkollor, mendon që shkolla ngulfatë kreativitetin e nxënësve.

Drejtoresha e shkollës “Selman Riza” në Fushë Kosovë, Remzije Bogujevci nuk i pranon këto kritika. Ajo tha që në këtë shkollë fëmijët nuk kanë probleme dhe mësueset i ulin nxënësit së bashku nëpër grupe që nga ciklet e ulëta që ata të mësohen me njëri tjetrin.

Ata megjithatë janë fëmijë dhe mund të kenë zënka, mirëpo nuk diskriminohen për arsye etnie,” tha Bogujevci.

Arben Sejdaj nga TIP-i pohon se prindërit e fëmijëve nga komunitetit RAE, kohëve të fundit, janë pro arsimimit të fëmijëve të tyre. Ai thotë se prindërit që i largojnë fëmijët nga shkolla, janë të detyruar ta bëjnë këtë nga kushtet e rënda ekonomike, por këtë e bëjnë edhe sepse nuk shohin perspektivë për fëmijët e tyre pas shkollimit. TIP mundohet t’ua ndërrojë mendjen.

Si pasojë e mosndekjes se mësimit, pjesëtarët e këtij komuniteti ballafaqohen me dukurinë e martesave të hershme (në moshë minorene). Organizata TIP ka krijuar Klubin e Vajzave ku atyre u flasin për rëndësinë e shkollimit me qëllim të parandalimit të këtyre martesave.

“Vajzat në moshë të re janë të shtyera nga familjet që të martohen pa dëshirën e tyre, pohon Arta Tërstena,” dhe vë në pah që prindërit, për shkak të kushteve të rënda ekonomike, marrin ndonjëherë pagesa për t’i martuar vajzat e tyre. “Ky fakt i bën vajzat të mendojnë se po shiten”, shton ajo.

Për këtë fenomen nuk ka ndonjë studim ose statistika të sakta, kështu që arsyet e vërteta të këtyre martesave vetëm mund të supozohet. Sipas Sejdaj, arsyet mund të jenë edhe kulturore.

Ai thotë se fenomeni mund të shpjegohet edhe me jetëgjatësinë në këto komunitete, e cila është vetëm 50-55 vjet, mesatare kjo më e ulët se tek komunitetet e tjera. Rrjedhimisht, ata e nisin jetën familjare në moshë më të re.

Bulza Çapriqi

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM