Build Skills with our trainings

Sign up now!

Dy grante inkurajuan qëndrimin dhe kthimin e serbëve në Klinë

Jan 3, 2017

Banorët serbë të komunës së Klinës veçojnë dy grante që i inkurajuan bashkëkombasit e tyre të qëndrojnë në vendlindjen e tyre, por njëherësh shërbyen si motivues edhe të kthimit të një numri të tyre nga Serbia.

Zyrtarët në komunën e Klinës thonë se kjo u bë në saje të projektit të vitit 2002, të hartuar nga Qeveria e Kosovës për kthimin e komunitetit serb në shtëpitë e tyre, që është mbështetur nga USAID (United States Agency for International Development), DRC (Danish Refugee Council), RTM (Reggio Terzo Mondo), UNDP (United Nations Development Programme) dhe shumë organizata të tjera..

“Komuniteti serb ka pasur shumë përfitime nga investimet të cilat i kanë bërë këto organizata. Si shembull mund të mirren ndërtimi i shtëpive dhe banesave, ndërtimi i qumështores, fushës së futbollit, asfaltimi i rrugëve, ujësjellësi si dhe rregullimi i energjisë elektrike”, thotë Ranko Kostic, zyrtar për integrim në Drejtorinë për Komunitet dhe Kthim të komunës së Klinës.

Kostic dhe zyrtarja për kthime, Silvija Raskovic, veçojnë dy grante të rëndësishme që i përfitoi komuniteti i këtushëm serb.

Nga granti 50,000 € nga USAID janë siguruar traktorë dhe mjete të tjera bujqësore, ndërkaq nga granti i Bashkimit Evropian, në vlerë rreth 400.000 €, është ndihmuar komunitetin serb për ndërtimin e një kooperative të quajtur “Kooperativa Eva” për përpunimin e mishit dhe rrjedhimisht edhe qëndrimin e tyre në Klinë.

Tatjana Ilic, 51 vjeçare e lindur në Prishtinë, është kthyer në Kosovë, në vitin 2005 së bashku me bashkëshortin dhe djalin. Gjatë kohës sa ishte në Serbi kishte punuar në biznese familijare, në restorant dhe furrë, por edhe pse kishte një punë të mirë familja e saj kishte vendosur të kthehej në fshatin Videjë, prej nga ishte bashkëshorti.

“Këtu jam lindur, rritur dhe kam marrëdhënie shumë të mira me fqinjtë e mi. Kjo është shtëpia ime!”, thotë bashkëshorti i saj, Trajko.

Ata tani jetojnë në një shtëpi të ndërtuar nga projekti për kthimin e komunitetit serb pasi që shtëpia ku  jetonin para luftës ishte shkatërruar krejtësisht.

Marrëdhëniet e mira me fqinj i dëshmon edhe angazhimi i Tatjanës në krijimin e  shoqatës “Eva” e cila është formuar ne vitin 2006 nga disa gra shqiptare, serbe dhe rome nga komuna e Klinës të cilat si synim kanë fuqizimin e gruas.

Krahas angazhimit në shoqatë, Tatjana është edhe udhëheqëse e kooperativës së mishit në Klinë, që u ndërtua përmes grantit të BE-së.

“Ky grant është fituar nga një projekt i quajtur AWARE (Action of Women in Agribusiness for a new Regional Economy). Projekti është hartuar nga RTM (Reggio Terzo Mondo) organizatë italiane e cila vepron në Kosovë që nga vitit 1999 dhe nga ajo kohë angazhohet në bashkëpunimin ndërmjet grupeve të ndryshme etnike që jetojnë në Kosovë, si dhe shoqatës ‘Eva’”, shpjegon Nicola Battistella, koordinator i RTM në Kosovë dhe pëgjegjës i projektit për zhvillim rural të kësaj organizate.

“Kooperativa Eva” ka filluar punën me 20 maj të këtij viti dhe momentalisht ka 6 punëtorë: 2 meshkuj të cilët punojnë si therës dhe 4 femra, dy nga to shqiptare. Kooperativa prodhon mish të freskët, mish të tymosur dhe suxhuk, produkte këto që përfundojnë në markete dhe restorante të ndryshme jo vetëm në komunën e Klinës, por edhe në Prishtinë, Gjakovë, Graçanicë dhe Mitrovicë.

Përveç fabrikës, në projekt janë përfshirë edhe 12 familje, gjashtë shqiptare e gjashtë serbe, të cilave u janë ndërtuar shtalla derrash, që mbulojnë nevojën për mishin që përdoret në kooperativë.

“Mbi të gjitha, jam shumë e lumtur me punën që bëj. Po ashtu jam e lumtur për gratë të cilat janë të punësuara në këtë kooperativë”, thotë Tatjana Ilic.

Adeline Gjergji

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM