E shtyrë në moshë, Smiljka Bajcetic jeton e vetmuar që nga viti 1996 në fshatin Pleshinë të Ferizaj.
Pëditshmëria e Smiljkës është pothuajse gjithmonë e njëjtë që nga vdekja e nënës së saj, më të cilën jetonte më parë: zgjohet në mëngjes, bën disa punë të shtëpisë që i lejon mosha dhe përgatit ushqim për vete. Pastaj del dhe përkujdeset për oborrin, punë të cilën ajo thotë se përpara e bënte me shumë dëshirë, ndërsa tani mosha i pamundëson këtë.
“Ishte plot me lule e pemë të ndryshme. Por tani oborri më është shndërruar në një hapësirë që ka vetëm bari shumë të rritur,” thotë ajo duke treguar se më parë kalonte shumicën e kohës duke u kujdesur për oborrin.
Fqinjtë i kanë ndihmuar e vazhdojnë t’i ndihmojnë. Smiljka thotë se pa ndihmën e tyre në këtë moshë ajo nuk do të mund të jetonte gjatë, pasi ata i blejnë ushqimin, kujdesen për të dhe i kryejnë punët më të rënda të cilat ajo vetë nuk mund t’i përfundojë.
Ajo madje nuk ka mundësi t’i pres edhe ata pak mysafirë që e vizitojnë pa ndihmën e fqinjëve, pasi ata duhet që të hapin e të mbyllin derën e oborrit të saj.
85 vjeçarja serbe, Smiljka, edhe pse shumicën e kohës është në vetmi refuzon të kthehet në Beograd tek të afërmit pasi kjo është shtëpia ku është rritur.
“Këtu është shtëpia ime, këtu i kam të gjitha kujtimet dhe nuk kam asnjë arsye që të mos jetoj këtu”, thotë ajo.
Në komunën e Ferizajt prej popullsisë së përgjithshëme vetëm 0.01% janë serbë, ndërkohë që nuk është raportuar për incidente ndëretnike.
Sipas fqinjëve, zyrtarë të komunës dhe policia vijnë herë pas here për ta vizituar Smiljkën se si është dhe a ka probleme me të tjerët.
Fqinjtë tregojnë se asnjëherë nuk kanë pasur probleme mes vete dhe se e ndihmojnë me aq sa kanë kohë dhe mundësi.
Të gjithë fqinjtë e saj janë shqiptar, me të cilët ajo thotë se ka raporte shumë të mira.
“Shqiptarët gjithmonë më kanë respektuar e më kanë ndihmuar”, tregon ajo duke qenë gjithmonë mirënjohëse atyre.
Respektin ndaj Smiljka-s fqinjtë e shprehin edhe duke thënë se nësë do të kishte më shumë serbë si ajo atëherë as lufta nuk do të kishte ndodhur.
Burhan Hoxha, pronar i një marketi afër shtëpisë së saj, tregon se nuk kanë pasur probleme dhe se më parë vetë Smiljka vinte të blinte ushqim kurse tani këtë punë për të e bëjnë fqinjtë.
“Nuk kemi pasur asnjëherë probleme as para e as pas luftës, ne nuk e ngucim e as ajo asnjëherë nuk na ka provokuar”, thotë Hoxha.
Serbët e Kosovës përbëjnë rreth 6% të popullsisë së përgjithshme të vendit, apo afërsisht 114.000. nga numri i përgjithshëm i popullsisë.
Smilka Bajcetic, aktualisht ndihmë të vetme ekonomike e ka nga motra, kurse më parë i kanë ndihmuar edhe disa organizata të huaja.
Ajo ka edhe një vëlla i cili jeton në Beograd dhe e viziton ndonjëherë.
“Motra vjen njëherë në muaj dhe rrinë më gjatë me mua kurse vëllau vjen më rrallë”, shton ajo.
Xhenete Hasani