Prej muajit të kaluar dhjetë të rinjë me Sindromin Down kanë punë të rregullt në kafiterinë “X 21“në Prishtinë. Për hapjen e kësaj kafiterie ku shërbehet vetëm çaj dhe kafe kanë ndihmuar disa organizata vendore dhe ndërkombëtare në mesin e të cilave edhe “Down Syndrome Kosova”, “Ujë Rugova“, USAID, organizata gjermane HELP, etj.
Sipas Sebahate Beqiri, drejtoresha ekzekutive e shoqatës “Down Syndrome Kosova”, qëllimi i kësaj kafiterie është që këta të rinjë të përgatiten për punësim në institucione tjera, qoftë ato publike apo private.
“Kjo kafiteri mundëson punësimin e personave me Sindromin Down dhe mbështet aktivitetet tjera të shoqatës”, thotë Beqiri.
Ky është një ndër projektet e pakëta, por një hap i rëndësishëm për integrimin e personave me Sindromin Down në shoqërinë kosovare. Kjo kafiteri prej të hënës deri të premten është e hapur për të gjithë qytetarët të cilët në mënyrë indirekte, duke pirë çaj apo kafe dhe duke komunikuar me njëri-tjetrin, në një ambient të zhveshur nga paragjykime çfarëdo qofshin ato, u ndihmojnë atyre.
Edhe pse kafiteria zakonisht është e mbushur me njerëz moshash të ndryshme, ende mungon një përkrahje më e gjerë për këta persona.
Kështu mendon edhe Labinota Rrahmani, e cila ka një rast me Sindrom Down në familjen e gjerë. Këta të rinj, thotë ajo nuk kanë shumë mbështetje nga shoqëria dhe shumica e qytetarëve të moshës së kushëririt të saj hezitojnë të shoqërohen me të.
“Personat me këtë sindrom të përmbushin me lumturi me çdo arritje që ata bëjnë, andaj nuk i kuptoj të tjerët që nuk i pranojnë në rrethin e tyre”, thotë Rrahmani.
Sipas saj, integrimi i personave me Sindrom Down në shoqëri lehtësohet nga aktivitetet e ndryshme të cilat mbahen nga shoqata “Down Syndrome Kosova”.
Beqiri nga “Down Syndrome Kosova” tregon edhe për mungesën e angazhimeve instiucionale për punësimin dhe shkollimin e këtyre personave. Sipas të dhënave të kësaj shoqatë, vetëm 10% nga numri i përgjithshëm e fëmijëve me Sindrom Down janë të integruar në sistemin shkollor.
Kjo është një ndër arsyet pse shoqata bashkë me organizatën joqeveritare OJQ “Klubi Dëshira“ para disa kohe ka filluar një projekt për paketimin e mjaltit për tregun kosovar i cili ka mundësuar punësimin e 40 personave të goditur me këtë sindrom. Kjo OJQ është një qendër ditore për rehabilitimin e personave me probleme të ndryshme me qëllim të ndihmës së tyre për integrim në shoqëri.
Sipas statistikave të “Down Syndrome Kosova”, në Kosovë me Sindromin Down janë të prekur rreth 900 persona, prej të cilëve, jashtë projekteve të shoqatës, vetëm 4 janë të punësuar në kompani private dhe asnjë në institucionet publike.
Një prej tyre është punësuar në byfenë e kompanisë “Ujë Rugova” në Pejë. Korporata Rugova në bashkëpunim me agjencinë e marketingut “Republika”nga Prishtina, ka realizuar kampanjën “1 Like, 10 cent”, të dedikuar personave të prekur nga Sindromi Down, e cila në përfundim ka arritur një vlerë totale prej 10,000 Euro të cilat i’u janë dorëzuar shoqatës.
Sipas përgjegjëses për marketing të kësaj kompanie, Rina Kapiti, kjo fushatë ka pasur qëllim sensibilizimin e qytetarëve lidhur me këtë pjesë të shoqërisë sonë.
“Korporata Rugova qysh në fillim të vitit 2014 është deklaruar se përgjatë gjithë vitit 2014 do të përkrahë dhe ndihmojë financiarisht shoqatën ‘Down Syndrome Kosova’”, thotë Kapiti.
Aktiviteti tjetër i Ujë Rugove ishte lansimi në treg i 1,000,000 shisheve 0.5l me etiketë të ridizajnuar nga fëmijët e shoqatës “Down Syndrome Kosova”, ku për çdo shishe të shitur Korporata Rugove dhuroi një cent për këtë shoqatë. Ky aktivitet u promovua nga fotografi Arton Humolli bashkë me një grup të artistëve në Kosovë, nëpër media dhe bilborde.
Shoqata “Down Syndrome Kosova” po ashtu punon edhe kartolina punëdore me dizajne të ndryshme. Kartolinat e punuara nga personat me Sindromin Down, shiten nëpër pika të ndryshme e në rast festash edhe në shesh, me ç’rast kjo shoqatë përfiton mjete materiale me të cilat paguhen obligimet e qendrës.
Xheneta Hasani