Build Skills with our trainings

Sign up now!

Mendësia patriarkale po i lë gratë pa pronë në Kosovë

Qer 7, 2017

Z.B 40 vjeç nga Lipjani, është njëra nga gratë që ka kërkuar trashëgiminë e saj. Ajo kishe dëgjuar nga televizionet që trashëgimia i takon dhe është e drejtë e saj prandaj edhe ka vendosur që ta kërkojë. Por pasi që janë një familje e madhe dhe ka gjashtë vëllezër, asnjëri prej këtyre nuk e kishte mbështetur dhe nuk ia kishte dhënë qoftë edhe një pjesë të vogël nga trashëgimia e lënë nga babai dhe atë trashëgimi e kishin ndarë në pjesë të barabarta vetëm vëllezërit.

“Trashëgiminë e kërkova sepse edhe pse jam grua e dija që më takon një pjesë e saj, por vëllezërit e mi më thanë që ‘tanimë je martuar dhe këtu nuk ke asgjë mund të vish vetëm të na vizitosh dhe nuk e dimë se me çfarë fytyre po kërkon hise kur babai është kujdesur për ty deri në ditën që je martuar’. Përveç që u poshtërova nga vëllezërit e mi kur e kërkova trashëgiminë i gjithë fisi filloi të flas keq për mua, pastaj edhe familja e burrit”, thotë ajo. 

Si pasojë e kësaj, siç thotë, kishte kaluar vite dhe nuk e kishte vizituar më familjen e saj pasi që nuk ishte mirëpritur dhe ishte ofenduar me fjalët më të këqija.

Pas një kohe, pohon ajo, i kishte vdekur edhe burri dhe pasi që nuk kishin fëmijë edhe pjesën që i ka takuar te burri i saj, duke përfshirë këtu edhe shtëpinë ku ka jetuar, vëllezërit e burrit të saj ia kanë marrë dhe e kanë dëbuar nga aty.

Rrjedhimisht, ajo është detyruar që të kthehet tek familja e saj dhe, siç thotë, edhe aty ende përulet dhe ofendohet vetem sepse kërkoi trashëgiminë.

Sipas sociologes, Sibel Halimi, në shumë familje shqiptare anembanë Kosovës (veçanërisht ato që janë të varfëra ose nga zonat rurale), gratë nuk trashëgojnë pronën kur u vdesin baballarët ose burrat, kjo sidomos është e shprehur edhe tek ato familje kur gruaja nuk ka lënë trashëgimtarë, d.m.th. është pa fëmijë. Në shumicën e rasteve, në mungesë të vëllait ose djalit, prona i jepet mashkullit më të afërt të personit të ndjerë.

“Të drejtat e grave mbeten një nga sfidat kryesore për zhvillimin e shoqërisë së Kosovës, në veçanti në lidhje me të drejtën e tyre për ta trashëguar pronën dhe pjesëmarrjen e tyre të barabartë në ekonomi. Ligjet e Kosovës garantojnë të drejtat e barabarta për burrat dhe gratë në Kosovë, por ndikimi i kulturës, traditës, kushtet ekonomike dhe niveli i arsimimit kanë ndikuar kundër arritjes së barazisë të paraparë me ligj”, thotë ajo.

Gjithashtu, ajo thotë se si rezultat i mentalitetit tradicional shumë gra në Kosovë ende nuk e trashëgojnë pronën. Madje, të shpeshta janë rastet kur ato heqin dorë në mënyrë vullnetare nga hisja familjare, duke ua lanë mundësinë që  pasurinë ta gëzojnë anëtarë të tjerë të familjes dhe ndarja e pronës zakonisht bëhet pa e dëgjuar zërin e saj.

Sanije Grajçevci nga Aureola, organizatë joqeveritare që merret me fushatat ndërgjegjësuese për barazinë gjinore, fushata avokimi, lobim dhe rrjetëzim për të bërë të mundur pjesëmarrjen aktive dhe të barabartë të grave në të gjitha nivelet e shoqërisë, thotë se dihet që gratë, sidomos në viset rurale, janë më pak të informuara dhe të ndërgjegjësuara për realizimin e të drejtave të tyre ligjore. Këtë situatë e rëndojnë edhe më shumë botëkuptimet, paragjykimet dhe praktikat patriarkale, që pengojnë realizimin e të drejtave të grave të garantuara me ligj.

“Gratë në Kosovë, në shumicën e rasteve, nuk e gëzojnë të drejtën e trashëgimisë familjare, pasi pasuria e familjes ndahet në mënyrë të barabartë vetëm mes meshkujve të familjes. Edhe në rastet e shkurorëzimit ato shpesh hjekin dorë dhe nga pasuria e përbashkët e krijuar gjatë martesës duke shpresuar që këtë të drejtë ta realizojnë sipas zakoneve sepse nuk janë të informuara sa duhet me anën ligjore”, thotë ajo.

Po ashtu ajo shtoi se e gjithë kjo ndodhë për shkak të vetëdijes së ulët për të kërkuar të drejtën e tyre, por edhe për shkak të mentalitetit patriarkal.

Sipas një hulumtimi të bërë nga Rrjeti i Grupeve të Grave në vitin 2015, vetëm 19% e të gjitha të anketuarave femra kanë pronë të regjistruar në emrin e tyre, krahasuar me 79% të të anketuarve meshkuj.

Në Kosovë janë një mori ligjesh në ndërlidhje me barazinë gjinore dhe sipas tyre pasuria brenda familjes duhet të ndahet në mënyra të barabarta (50%-50%). Sipas Ligjit për Familje, pjesëtimi i pasurisë së përbashkët të bashkëshortëve mund të kërkohet gjatë martesës dhe pas mbarimit të saj me shkurorëzim.

Besarta Breznica

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM