Build Skills with our trainings

Sign up now!

Martesat e hershme ende përvidhen brenda disa komuniteteve kosovare

Gus 23, 2017

Palja, një grua afër të 50-tave, e ulur në një pjesë të tregut duke shitur rroba bashkë me burrin e saj në Fushë Kosovë, e pyetur se a mendon që martesat e hershme janë prezente te komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas, përgjigjet duke qeshur: ʺunë jam shembull i mirëʺ.

Është martuar shumë e re dhe ka pesë vajza e tre djem, të gjithë të martuar.

“Unë jam martuar shumë e re, kam pesë vajza e tre djem. Të gjithë janë martuar. Tash kemi 35 nipër e mbesa. Na duhet të rrimë në oborr kur vijnë”, tregon Palja.

Avdiu, bashkëshorti i Pales shton se të gjithë atyre nuk ua dinë as emrat.

“Na martohemi herët, për ata jemi bo familje e madhe. Nuk jau di emrat nipave e mbesave veç ju them hej ti e ata kthehen. Nuk është punë me ju mbajt mend emrat, bile nuset janë me barrë e familja ka me u zgjeru hala ma shumë, s’kam hesap me mësu emra”, thotë ai.

Edhe Mehmeti, 9-vjeçar nga Fushë Kosova rrëfen se ka dy motra të cilat janë martuar në moshë të re dhe nuk kanë vazhduar shkollimin.

“Motra e madhe u martua në Gjermani në moshën 17 vjeçare dhe sot ka dy djem të vegjël. Edhe motra e dytë që është martuar në moshën 18 vjeçare e ka një djalë”, rrëfen Muhameti, duke shtuar se raste të tilla njeh mjaft.

Jeton Jashari, përfaqësues i komunitetit rom në Fushë Kosovë dhe asistent i zevëndësministrit për Komunitete dhe Kthim, thotë se vajzat e komunitetit rom e vijojnë mësimin zakonisht vetëm shkollën fillore dhe kur mbërrijnë pjekurinë e ndërpresin shkollën për shkaqe të mundësisë së ngacmimeve seksuale në shkolla ose prindërit frikësohen mos po u ndodhë diçka e keqe.

“Pasi komuniteti rom i përkasin fesë islame është edhe një arsye se vajzat martohen shumë të reja, mirëpo prapë se prapë numri po zvogëlohet. Nuk është aq alarmant sa ose siç mendojnë njerëzit se i gjithë komuniteti rom martohen në moshën 12 ose 13-vjeçare”, thotë Jashari.

Romët sipas tij, meqë i përkasin fesë islame, i përmbahen librit të shenjtë ku thuhet se është më mirë për t’u martuar më herët për t’u ikur amoraliteteve ose sëmundjeve ngjitëse.

Sipas raportit të fundit nga Rrjeti i Organizatave të Grave Rome Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RROGRAEK), 96.8 e këtyre komuniteteve i takojnë besimit islam.

Ekziston ligji që e ndalon martesën e të miturve dhe sipas Jasharit organizatat e ndryshme dhe institucionet duhet të merren pastaj me këtë problem dhe të ndjekin procedura policore dhe gjyqësore.

ʺUnë jam martuar në moshën 26 vjeçare ndërsa e shoqja ishte 24 vjeçare. Para dy vitesh na ka lindur një djalë. Me këtë jam munduar të jap një shembull më të mirë, ndonëse është vendim personal. Një gjë pozitive është se janë të vetëdijshëm se duhet lidhur kurorë në organet kompetente, madje disa nga ta ndjekin edhe procedurat e shkurorëzimit deri në fundʺ, tha ai.

Sipas organizatës UNDP (United Nations People Fund) “martesa e hershme ose martesa e fëmijëve është bashkimi zyrtar ose jo i dy personave, të paktën një prej të cilëve është nën 18 vjeç”.

Fakti se ata janë fëmijë, lë të kuptohet se ata janë të paaftë që si bashkëshortë të japin pëlqimin e lirë dhe të plotë të tyre dhe si pasojë martesat në fëmijëri janë shkelje e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të fëmijëve.

Në Kosovë sot martesat e hershme janë relativisht të rralla, por vazhdojnë të jenë prezente dhe janë të zakonshme, por jo edhe ekskluzive, në disa komunitete dhe/ose grupe etnike, si në mesin e romëve, ashkalinjve, egjiptianëve dhe goranëve.

Në raportin e UNDP thuhet se regjistrimi i martesave të hershme është shumë i rrallë. Prindërit ose kujdestarët e evitojnë kontaktin me autoritetet për shkak të ndëshkimit penal dhe faktit se procedurat administrative për martesë të ligjshme nën moshën 18 vjeçare marrin kohë dhe janë të kushtueshme.

Referuar UNDP-së, në 14 gjykata komunale më 2010 janë raportuar 116 kërkesa për martesë të hershme e më 2011, 107 . Martesa të moshës nën 15 vjeçare nuk ka pasur të regjistruara atë vit. Në martesat e hershme zyrtare në vitin 2010 kanë qenë të përfshira vajzat e moshës 16-17 vjeçare në 108 raste.

Pasojat e martesave të hershme përfshijnë dhunën në familje (sikur edhe izolimin nga shokë dhe familja), shkurorëzimet, shtatzëninë e padëshiruar, komplikimet gjatë shtatzënisë, ndërprerjen e shkollimit dhe gjasat më të vogla për punësim.

Sipas hulumtimit të bërë në tetor 2008 nga Rrjeti i organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RrOGRAEK), numri i grave dhe vajzave të pashkolluara nga ky komunitet është 38.3%, ndërsa 77% e tyre mbajnë statusin e martuar.

Pothuajse të gjitha janë amvise – 61.7% ndërkaq vetëm 1.2% e tyre punojnë.

Një numër i madh i tyre – 34% janë pajtuar plotësisht se babai dhe nëna duhet të vendosin ku dhe për kë të martohet vajza e tyre dhe vetëm 13% nuk janë pajtuar.

Edhe sa i përket shkollimit 47% janë pajtuar plotësisht se babai dhe nëna duhet të vendosin nëse duhet të shkollohet apo jo vajza e tyre, ndërsa vetëm 6% nuk janë pajtuar.

Referuar statistikave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në vitin 2016 janë grumbulluar gjithsej 17,410 fleta statistikore për kurorëzime.

Këto të dhëna tregojnë se në Kosovë më 2016 janë kurorëzuar 16,051 çifte-bashkëshortore, kurse jashtë Kosovës 1,359 çifte-bashkëshortore.

Në mesin e tyre, sipas përkatësisë etnike, 180 kurorëzime janë brenda komunitetit rom, ashkali, egjiptian, pas tyre radhiten boshnjakët me 176 kërkesa për kurorëzim dhe serbët me 130.

Fjolla Hajrizaj

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM