Build Skills with our trainings

Sign up now!

Frika nga prishja e raporteve familjare po i lë gratë deçanase pa trashëgimi

Gus 23, 2017

F.J. 63-vjeçare banore e Deçanit, kishte vendosur të marrë pjesën e saj të trashëgimisë me çdo kusht, edhe pse i është dashur të përballet me shumë gjëra dhe sot e asaj dite nuk ka raporte të mira me një pjesë të familjes. Madje për pesë vjet ata nuk e kanë lejuar as t’i vizitojë.

Ajo kishte qenë trashëgimtarja e vetme e familjes dhe pasuria e babait të ndjerë i takonte tërësisht asaj, por në pamundësi të gjetjes së gjuhës së përbashkët me dy xhaxhallarët dhe djemtë e tyre e dërguan çështjen në gjykatë.

Edhe pse kohëve të fundit po vërehet një tendencë për vetëdijësimin e grave deçanase për të drejtën e trashëgimisë në pronë, shumica ende janë refuzuese ndaj saj.

Hasan Hulaj nga Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër në Komunën e Deçanit, pohon se më 2016 kërkesë për trashëgimi kishin parashtruar 62 deçanase, ndërkohë që këtë të drejtë të tyre më 2017 e kanë kërkuar vetëm 26 gra.

Sanije Thaqi nga Grupi i Grave Asambleiste të Deçanit, rrëfen se gjatë një trajnimi për të drejtat e grave në trashëgimi, të organizuar nga USAID, ato kishin shfaqur shumë dilema në mos është turp që hisen që u takon te babai “ta dërgojnë të burri”.

Pjesëmarrëseve u është sqaruar se ajo pjesë u takon atyre ligjërisht dhe nuk është “dhuratë që e dërgon te burri”, por shpenzohet për mirëqenien e tyre dhe të fëmijëve, ndërsa “te burri” iu takon pasuria e përbashkët që nga momenti kur kurorëzohen.

“Ligjet janë favorizuese për trashëgiminë e grave në pronë, mirëpo ende dominon ideja patriarkale. Gratë e martuara mendojnë se vëllezërit do të hidhërohen dhe nëse u ndodh diçka nuk do të mund të llogarisin më në përkujdesjen e tyre. Për dallim nga këto, disa nga gratë ende mendonin se është turp të kërkonin hisen nga babai e ‘ta dërgonin te burri’, madje kishte edhe nëna që nuk ishin në gjendje të përkrahin vajzat e tyre sepse jetonin me djalin dhe me renë”, thotë Thaqi.

Grupi i Grave Asambleiste dhe OJQ “Jeta” në Deçan pohojnë se nuk po rrinë duarkryq dhe po angazhohen për vetëdijësimin e grave dhe vajzave të kësaj komune. Në këtë vazhdë ishte edhe trajnimi i sipërpërmendur, në kuadër të të cilit rreth 250 deçanase u njohën me të drejtat e grave në trashëgimi.

“Përveç grave pjesë e projektit kanë qenë edhe nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të 12 fshatrave të Deçanit. Shtysë e fortë për të ndërmarrë hapa konkret për vetëdijësimin e grave ishte fakti se në vitin 2006 ishte vetëm një grua pronare, ndërsa në fund të trajnimit numri i grave që u deklaruan se do të ndjekin procedurat për të marrë hisen shkoi në 38”, thotë Safete Gacaferri, drejtuese e OJQ-së “Jeta”në Deçan.

Gjatë projektit, i cili u realizua prej shtatorit 2016 deri më qershor 2017, sipas saj është vërejtur se vetëdija nuk mungon, sepse gratë e dinin se u takon pjesa e trashëgimisë, por për shkak se nuk donin t’i prishnin raportet me familjen ato nguronin për të kërkuar këtë të drejtë.

SH.B. 52-vjeçare nga Deçani është një nga gratë që kishte hequr dorë vullnetarisht nga trashëgimia në pronë.

“Jemi tri motra dhe një vëlla, pasurinë nuk kemi insistuar asnjëherë ta marrim, as ta kërkojmë edhe pse e kemi pasur mundësinë. Babai dhe vëllai kanë insistuar që paratë nga shitja e tokës në fshat t’i ndajmë në katër vende, por asnjëra nga ne nuk ka pranuar. Gjendja financiare aty ku jemi të martuara është stabile dhe arsyeja tjetër ka qenë afërsia me vëllanë e vetëm. Kemi dashur që kjo të jetë një lloj dhurate konkrete për vëllanë dhe familjen e tij”, thotë ajo.

Problemi kryesor, sipas juristes Sanije Thaqi nga Grupi i Grave Asambleiste, është se gratë nuk janë të pavarura ekonomikisht pasi që vetëm një pjesë e vogël e tyre punon. Ato që nuk punojnë, nuk kanë asgjë mbi vete dhe janë të privuara nga e drejta që të kenë diçka mbi vete.

“Duhet vetëdijësuar pasi që ato as shoqëria nuk i respekton sa duhet. Varësia ekonomike bën që ato të jenë të nëpërkëmbura dhe një pjesë të ndikimit në pengimin e procesit e ka edhe Kanuni”, thotë ajo.

Në Kanunin e Lekë Dukagjinit në pjesën “Tagri i Trashigimit” nyja tridhjetë e gjashtë tekstualisht thuhet se “Kanuja njef për trashëgues djalin e jo vajzën… As te prindja as te burri gruaja s’hin në pjesë të trashigimit”.

Ndonëse pranon një shkallë sensibilizimi në mesin e deçanaseve, ajo shpreh dyshim sa u përket shifrave dhe shtimit të interesimit në mesin e grave lokale për trashëgimi.

“Ka shumë raste kur i lënë gratë të trashëgojnë për shkak se kanë ndonjë interes”, shton ajo.

Noteri Haxhë Qorraj nuk përjashton rastet kur gratë shpallen trashëgimtare sepse ekziston një interes qoftë i njëanshëm apo i dyanshëm që e shtyn procesin përpara.

“Nëse prona bartet në pjesë të barabarta, bashkëshortët janë të liruar nga pagesa kadastrale dhe kjo ka ndikuar që në vitin 2016 të ketë një interesim të madh për ndjekjen e kësaj procedure. Në një periudhë të shkurtër kohore në zyrë kam pasur mbi 100 kontrata shitblerjeje dhe 80% e pronës është regjistruar në emër të përbashkët”, tha ai.

Qorraj rikujton se në bazë të ligjit të gjithë trashëgimtarët, qofshin vajza apo djem, trashëgojnë në mënyrë të barabartë.

“Shumica e grave, edhe pse i njoftojmë me rëndësinë e pranimit të pronës, diku 85% e rasteve heqin dorë vullnetarisht në favor të vëllezërve ose trashëgimtarëve të tjerë. Aq sa kam pasur raste unë, lënia vullnetare e pronës në favor të meshkujve nuk ka qenë e imponuar, më shumë ka qenë mungesë vetëdijeje ose mosinteresimi për pjesën që ligjërisht u takon”, thotë Qorraj.

Edhe pse rasti i F.J. nga fillimi i tekstit, ishte zgjidhur me herën e parë në gjykatë, ajo thotë se u detyrua të bëjë disa lëshime dhe të paguajë të gjitha shpenzimet e gjykatës.

“Në ndarjen e pasurisë nuk ka hyrë shtëpia, trualli, kafshët shtëpiake që kanë qenë në numër shumë të madh dhe mali i klasit të parë. Edhe pse më takonte një e treta e pasurisë unë prapë nga kjo një e treta ua fala dy të tretat me të vetmen arsye që të mos prishen marrëdhëniet tona familjare”, rrëfen ajo.

Fjolla Hajrizaj

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM