Build Skills with our trainings

Sign up now!

Fletëpalosjet dhe gjobat nuk mjaftuan për ndryshimin e trendit tragjik në trafik

Sht 27, 2017

Nga mesi i vitit Policia e Kosovës ka shpërndarë fletëpalosje me udhëzime dhe mesazhe vetëdijësuese për të ndikuar në uljen e aksidenteve me fatalitet që mbeten një shqetësim për të gjithë.

Koha kur është bërë kjo nuk është zgjedhur rastësisht: në muajt e verës polica ka më shumë angazhime në trafik, sepse në këtë kohë zakonisht mijëra vetura me mërgimtarë, të cilët vizitojnë familjet e tyre, hyjnë në Kosovë.

Aksidenti i rëndë, i cili ndodhi në fund të korrikut në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë, ku humbën jetën katër anëtarët e familjes Alidema nga Vitia, dy vendas dhe dy mërgimtarë të cilët kishin ardhur për pushime në Kosovë, pos që tronditi opinionin, edhe njëherë vërtetoi nevojën për një kujdes shtesë gjatë sezonit veror.

Arsyeja e këtij aksidenti, sipas Policisë së Kosovës, ishte mospërshtatja e shpejtësisë.

Policia e Kosovës edhe këtë vit ka apeluar te qytetarët të jenë më të kujdesshëm, sepse në sezonin veror fluksi i automjeteve është më i madh. PK, njëherësh, përpiloi edhe  një plan operativ që parasheh masat ligjore që do të ndërmerren në vazhdimësi për të gjithë ata që nuk u përmbahen rregullave në trafik.

Me qëllim të zvogëlimit të numrit të aksidenteve, polica këshillon qytetarët t’u shmangen bisedave në telefon gjatë vozitjes, të mos e drejtojnë automjetin nën ndikimin e alkoolit dhe t’i shmangen ngasjes kur janë të lodhur/përgjumur.

Vetëm për muajt janar-gusht të këtij viti, në Departamentin e Komunikacionit Rrugor të PK-së, janë shënuar 12,017 aksidente në trafik, në të cilat 85 qytetarë kanë humbur jetën dhe 4,258 kanë pësuar lëndime të lehta ose të rënda.

Shkaktarë kryesorë për numrin e madh këto aksidente janë pakujdesia, mospërshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës, mosmbajtja e distancës dhe kyçja e pasigurt në rrugë.

Gjatë po kësaj periudhe, Policia e Trafikut ka shqiptuar 282,434 tiketa në komunikacion, gati 60 mijë tiketa më shumë se në periudhën janar-gusht të vitit të kaluar.

Vjet, me qëllim të zvogëlimit të aksidenteve dhe shtimit të kujdesit tek vozitësit, Policia e Kosovës kishte miratuar ligjin e ri me të cilin dyfishoi masat e ndëshkimit për ata që shkelin rregullat në trafik.

Me këtë ligj, nëse vozitësit kalojnë shpejtësinë në zonat urbane mbi 50 km/h mund të gjobiten  300 deri në 900 euro, ndërsa personit i merret edhe leja e patent shoferit për së paku një viti.

Edhe përkundër ligjit në fuqi, për tetë muajt e këtij viti janë regjistruar 10 vdekje më shumë në aksidente, sesa në vitin e kaluar.

Një masë shtesë, të cilën e kishte ndërmarë Policia e Kosovës me qëllim të zvogëlimit të aksidenteve me fatalitet, ishte edhe krijimi i një taskforce.

“Përmes saj është bërë shtimi i prezencës së njësiteve policore në trafik në të gjitha akset rrugore, për realizimin e planifikimeve policore duke aplikuar masën zero-tolerancë ndaj gjithë kundërvajtësve në trafik”, thuhet në një përgjigje elenktronike dërguara KosovaLive nga Zyra për Informim e PK-së.

Sipas Sami Hazirit, drejtor i Departamentit për Patentë Shofer, edhe aftësia e shoferëve luan një rol të rëndësishëm në sigurin në trafik.

“Ne veç kemi ndërmarrë hapa konkret si në hartimin e kornizës ligjore, po ashtu edhe në realizimin e një sërë projektesh të cilat kanë ndikim direkt në ngritjen e aftësisë së shoferëve të rinj. Nga 1 shtatori 2017 kemi filluar me testimin nga pjesa praktike të veprimeve të veçanta në poligon. Është në funksion të plotë monitorimi i testimit me kamerë si në teori ashtu edhe në praktikë. Pastaj jemi në zhvillim e sipër të projektit ‘e-testimi’ i cili do të na mundësojë testimin teorik të kandidatëve me kompjuter”, thotë Haziri.

Ai tregon se ulja e numrit të personave që kanë kaluar testin teorik për patent shofer ka ndikuar edhe në uljen e pragut të kalueshmërisë së këtij testi nga 90% në 85%. Sipas tij, ata që e kalojnë testin teorik dhe praktik,varësisht prej kategorisë, janë të aftë ta ngasin automjetin pavarësisht tipit të automjetit, gjendjes së rrugës e kushteve atmosferike.

Valmir Shkodra, student në Universitetin e Prishtinës, i cili që gjashtë vite është vozitës, tregon se edhe pse ai e konsideron veten si një shofer të mirë, është shumë i kujdesshëm.

“Rrugët kryesore mund të them që janë të rregulluara, mirëpo ka ende të tjera e sidomos ato në zonat rurale në të cilat duhet të punohet. Po ashtu shenjat në rrugë nuk mungojnë, mirëpo duhet që të investohet më shumë edhe në ndriçimin e rrugëve, pasi që shkak i aksidenteve mund të jetë edhe mungesa e dritave të cilat janë shumë të nevojshme gjatë natës”, thotë ai.

Në anën tjetër, Skender Rr. Gashi, drejtor në Departamenin e Menaxhimit të Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, konsideron se rrugët janë faktorë i vogël në rritjen e aksidenteve në trafik viteve të fundit.

“Gjendja e rrugëve që janë nën përgjegjësinë e ministrisë është e mirë, por gjithmonë ka nevojë  në përmirësimin e mirëmbajtjes të rrjetit rrugor të Kosovës. Për një mirëmbajtje cilësore të rrugëve ka nevojë për buxhet shtesë, pasi që mjetet e ndara nuk mjaftojnë”, pohoi ai.

Gashi, gjithashtu tërheq vërejtjen se sinjalizimi i dobët ndikon drejtpërdrejt në nivelin e sigurisë rrugore.

“ Në rrugët e Kosovës nuk ka sinjalizim të mjaftueshëm -horizontal dhe vertikal. Për këtë vit janë paraparë shumë më pak mjete se vitin paraprak, edhe pse nevojat janë shtuar pasi që çdo vit ndërtohen rrugë të reja. Për këtë vit nuk është punuar në sinjalizim për mungesë të kontratave të shërbimeve për këtë destinim”, thekson ai.

Arbresha Berisha

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM