Build Skills with our trainings

Sign up now!

Katër gra të martirëve, përmes një kuzhine të vogël, mirëmbajnë familjet

Nën 15, 2017

Vildane Mulaku tash e pesë vite është koordinatore e shoqatës së grave “Martirët e Lirisë”, në Vushtrri. Bashkë me tri shoqe të saj, çdo ditë përgatit ushqim për nxënësit, në një lokal të ndarë enkas për këtë në shkollën “Andon Zako Çajupi”. Ushqimi, pos për nxënësit e kësaj shkolle, arrin edhe tek nxënësit e katër shkollave të tjera fillore të komunës së Vushtrrisë. Qindra nxënës, për çdo pushim të gjatë mund të zgjedhin mes shtatë llojeve të ushqimit, në mesin e tyre tost, mini pica, kifle, byrek, llokuma, gurabi…

Dion Hasani, nxënës i klasës së tetë, thotë se së paku dy herë në javë po e blen ushqimin nga kjo kuzhinë dhe thekson se arsyeja kryesore është se këto ushqime “e kanë shijen e ushqimit të përgatitur nga gjyshja ime”.

Me inicativën e përgatitjes së ushqimit me receta shtëpiake është i kënaqur edhe personeli shkollave përfituese, ajo. Ata thonë se mjafton se deri tash nuk ka ndodhur asnjë helmim i nxënësve dhe asnjë prind nuk ka dërguar asnjë ankesë në drejtori.

Të kënaqura me punën e tyre gjithsesi janë edhe vetë gratë, të cilat nga viti 2012 e kanë filluar biznesin për ta siguruar ekzistencën për familjet e tyre.

Këto katër gra në kohën e luftës së fundit në Kosovë kanë mbetur pa burra.

Bashkëshorti i Vildane Mulakut është vrarë në maj të vitit 1999, bashkë me 116 civilë, të cilët pas vetes i kanë lënë familjet e tyre.

“Çdo ditë që kalonte ishte më e vështirë se tjetra. Humbëm bashkëshortët dhe mbetëm veç me fëmijët e vegjël. Në ato momente kam menduar veçse si të kujdesem për fëmijët, për bukën e gojës së tyre, e për strehimin…Pas luftës asnjëra prej nesh nuk e dinim se ku të orientoheshim. Shpresat tona të vetme ishin fëmijët tanë të pafajshëm e kërkues të mëdhenj për jetën”, është shprehur ajo.

Mulaku, e cila asnjëherë më parë nuk ka punuar, në vitin 2010 e ka shfrytëzuar rastin për ndjekjen e një trajnimi të IADK (Inicativa për zhvillimin e bujqësisë) në bashkëpunim me Kryqin e Kuq dhe Komunën e Vushtrrisë. Rezultati i këtij trajnimi është formimi i kësaj shoqate, me ndihmën e IADK-së, me qëllim vetëpunësimim – në këtë rast bëhet përgatitja e ushqimeve të nxënësve të disa shkollave në këtë komunë.

Shpresa Rama, drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në komunën e Vushtrrisë, thotë se shoqatën “Martirët e Lirisë” në fillim e kanë përkrahur me sigurimin e objektit për procesin e përgatitjeve të ushqimeve.

”Sigurimi i nxënësve ka qenë prioritet për ne, por njëkohësisht edhe fitim për këto gra, përmes të cilit i mbajne familjet”, thotë Rama për KosovaLive.

Njëra nga gratë e kësaj shoqate rrëfen edhe për atmosferën në punë.

”Jemi si kolege, por jemi edhe si motra. Kemi problemet dhe hallet e përbashkëta”.

Edhe pse një kohë kjo shoqatë nuk ka marrë mjete financiare nga komuna, Rama pohoi se ka përpiluar një plan për renovimin e objektit ekzistues të Kryqit të Kuq, ku do të krijojë edhe një qendër, ku të gjitha gratë të cilat kanë mbetur pa burra në kohën e luftës së fundit, do të kenë një vend me të gjitha kushtet për ta zhvilluar biznesin e tyre.

Arta Haxhaj, drejtoreshë për Bujqësi dhe Zhvillimin ekonomik në komunën e Vushtrrisë, thotë se kjo shoqatë, në mesin e 45 bizneseve, ka fituar nga organizata gjermane “Help Kosovo” edhe një furrë për pjekje dhe mjete të tjera, në vlerë prej 2000 euro.

“Në raste vizitash nga delegacione të ndryshme nga vendet e jashtme ne porosisim ushqime tradicionale nga këto gra ndërmarrëse, me ç’rast ne promovojme kulturën dhe ushqimet tradicionale, por edhe në bashkëpunim me komunën u ofrojmë ndihmë këtyre grave”, thotë Haxhaj.

Secili nxënës paguan pesë euro në muaj për ushqim ditor që e përgatisin këto gra. Ato të katërtat tani mendojnë si ta zgjerojnë biznesin dhe të punësojnë edhe disa gra tjera që janë kryefamiljare dhe kanë nevojë për një buxhet të arsyeshëm për mirëmbajtjen dhe investim në ardhmërinë e fëmijëve të tyre.

“Unë jam rehat pasi që e di se fëmijët e mi ushqehen shëndetshëm dhe nuk kam vend për asnjë ankesë. Ne jemi shumë rehat kur e dimë se fëmijët tanë ushqehen me ushqime krejtësisht bio”, thotë një nënë e dy fëmijëve që ndjekin mësimin në shkollën  fillore “Andon Zako Çajupi” në Vushtrri.

Venera Grabanica

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

Pandemia kërcënoi dhe cungoi aktivitetet dhe jetën kulturore

Pandemia kërcënoi dhe cungoi aktivitetet dhe jetën kulturore

Ndonëse ka kaluar një vit e sa që kur Covid-19 zbarkoi në çdo cep të botës, gjendja momentale e pandemisë nuk është edhe aq stabile dhe shpresëdhënëse.  Pothuajse të gjitha sferat e jetës janë prekur nga kjo fatkeqësi, përfshirë këtu edhe sferën e organizimit dhe funksionimit të aktiviteteve kulturore. Një numër i madh i koncerteve, premierave, festivaleve, diskutimeve publike, punëtorive e shumë të tjera janë anuluar, duke lënë disa hapa prapa zhvillimin dhe progresin e jetës kulturore.

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM