Build Skills with our trainings

Sign up now!

Gratë kthehen nga arti si platformë për ndryshime shoqërore

Pri 11, 2019

Pas vrasjes së Diana Kastratit nga bashkëshorti i saj në vitin 2011, si reagim ndaj mosfunksionimit të drejtësisë në Kosovë, për çka dëshmon edhe fakti se i akuzuari kryesor për vrasjen akoma është i lirë, u themelua “Haveit”, një grup i artisteve feministe që, përmes perfomancave, trajtojnë dukuritë në shoqërinë tonë, me theks edhe në shkeljen e të drejtave të grave.

Grupi përbëhet nga dy çifte motrash, Hana dhe Vesa, Lola dhe Alketa. Ato kujtojnë kohën kur ishin studente në Fakultetin e Arteve dhe kishin vendosur që artin e tyre ta performojnë në hapësira publike për të ngritur çështje dhe probleme shoqërore në Kosovë, para publikut të rastit me qëllim të përjellin mesazhin se diçka nuk funksion.

“Kolektivi bën performanca të shkurtra artistike, pa tekst, të cilat janë shumë direkte e që kanë të bëjnë me një temë të caktuar që na preukupon. Zakonisht performojmë mbi vrasjet e grave në Kosovë, kritikojmë sistemin ku jetojmë dhe mungesën e dënimeve për vrasësit”, thotë Hana.

Me kalimin e kohës grupi thotë se është pjekur edhe këto aktiviste pranojnë se performancat e tyre janë më të matura, më të guximshme, të menduara më mirë sesa në fillimet, kur reagimet ishin më shumë të rastit, më spontane.

Në përgjithësi, qëllimi i grupit “Haveit” është të ndikojë në gjeneratat e reja të artisteve si dhe në vajzat dhe gratë që të ndihen të lirë në shprehjen e tyre. Ato thonë se reagimet e publikut në performancat e tyre kanë qenë të ndryshme, disa duke iu bashkangjitur në “vuajtjen”, e disa me reagime të ashpra e kërcënuese.

Gjatë rrugëtimit të tyre të artistit. Hana, e cila studionte regji teatri dhe Lola, në studimet e regjisës së filmit kishin pasur vështirësi e përfundimisht edhe e kishin lënë Fakultetin e Arteve. Hana spjegon se një nga arsyet për këtë kishte qenë “presioni” nga profesorët, për disa prej të cilëve “profesioni i regjisorit ishte vetëm për meshkuj” dhe se “femrat janë të ndishme dhe të dobëta dhe nuk mund ta përballojnë atë profesion”.

Një artiste tjetër, Zana Hoxha Krasniqi, me artin e saj është angazhuar në çështje sociale kryesisht të ndërlidhura me gratë, me mungesën e diversitetit kulturor dhe promovimin e artit kosovar.

Krasniqi është drejtoreshë e “Artpolis” e cila ishte themeluar rastësisht më 2004, për të përmbushur kriteret për organizimin e një shfaqjeje teatrale në Ferizaj, e sot punon në ngritjen e kapaciteteve të artistëve përmes punës së përbashkët.

Në këtë organizatë momentalisht punojnë tetë persona, mirëpo gjatë vitit në projekte të ndryshme të organizatës angazhohen shumë aktivistë, artiste dhe artistë.

“Ëndrra ime me Artpolisin ende nuk është realizuar. Si objektiv ne kemi krijimin e një hapësire multikulturore, ku do të bashkohen kultura dhe komuniteti. Mendoj që e kemi bërë një revolucion sepse shumë gra, shumë vajza edhe kanë kaluar nëpër aktivitetet tona, janë fuqizuar përbrenda dhe jashtë, si artiste të cilat janë të vetëdijshme për të drejtat e tyre dhe i kërkojnë ato të drejta me vetbesim”, thotë Krasniqi për KosovaLive.

Projektet kryesisht përkrahen nga organizatat ndërkombëtare, ndërsa më pak se 10% e të të hyrave të organizatës janë ndihmë e institucioneve shtetërore.

Në kuadër të organizatës “Artpolis” funksionon edhe “Femart”, festivali më i madhi feminist në Ballkan. Rreth 200 artistë dhe artiste, aktivistë dhe aktiviste, përmes aktiviteteve të shumta adresojnë çështje të ndryshme, të rëndësishme jo vetëm për Kosovën, por edhe në regjion dhe botë.

“Për ne ‘Femarti’ është një lloj festimi i gjithë angazhimit që bëjmë gjatë tërë vitit si dhe krijohet një hapësirë me shumë artistë dhe aktivistë në Prishtinë, me një frymë feministe. Kemi afërsisht 30-40 aktivitete brenda një jave duke përfshirë shfaqje teatrale, filma, koncerte… Kemi pasur edhe vepra arti në hapësira publike, shfaqje në rrugë, trajnime, konferenca, panele diskutimi dhe forma të tjera të ndryshme të cilat komunikojnë me publikun”, thekson Krasniqi.

Sivjet festivali mbahet nga 10 deri 15 qershor me titullin “Me liri kundër turpit”. Synimi është ngritja e çështjeve të cilat ndërlidhen me shtyrjen e komunitetit drejt marrjes së zgjedhjeve të vështira për gra, ku “marrja” përdoret si arsye kryesore i këtyre veprimeve.

Krasniqi ka bërë punë në rolin e regjisores, në përpjekje që përmes punës së saj të jetë zëri i shumë grave kosovare, sidomos me shfaqjet teatrale “Destur”, “Kuzhina e viktimave”, “Cop cop”, “Lugina e vuajtjeve të saj”…

“Çdo rrugë e suksesit i ka vështirësitë e veta. Unë edhe pse jam bërë nënë në moshën 21 vjeçare, me shumë sfida kam arritur që të kam një balanc të shëndetshëm në mes të të qenit nënë, artiste, aktiviste dhe drejtoreshë e ‘Artpolisit’. Për të qenë artiste në Kosovë duhet të kalohet mbi shumë paragjykime, e ka raste kur shumë artisteve profesionale puna i gjykohet në bazë të aspekteve personale dhe në mendimin e shoqërisë se çka është e moralshme e çka nuk është”, shton ajo.

Galeria “Motrat”, që funksionon që nga viti 2017 në Prishtinë, në kuadër të disa aktiviteteve –  ”One night stand”, “Artistic Talk”… dhe ekspozitave mujore, është shndërruar edhe në një vendtakim mes artistëve më të vjetër dhe artistëve të rinj të artit konceptual.

Artistët në këtë galeri sjellin punime që janë me mesazhe politike ose sociale. Doruntina Ukimeri me letër filigran, ka dëshiruar ta zbërthejë përmes diskutimit temën e çeizit, evoluimin e tij nga kohërat e vjetra deri sot tek gratë e reja dhe ndryshimin e mënyrës së komunikimit përmes çeizit.

“Nuk është se qytetarët nuk janë të vetëdijshëm për këto tema, mirëpo është guximi i artistëve dhe i galerisë të cilët flasin për to. Edhe është një mënyrë shumë kreative se si ata e transformojnë ndjenjat të cilat ata i përjetojnë në një mënyrë artistike”,thotë Lola Sylaj, e cila aktualisht është drejtoreshë artistike në këtë galeri.

Valentina Bonizzi, artiste nga Italia, e cila jeton në Shqipëri, në bashkëpunim me grupin “Ata” nga Kamza, qytet në periferi të Tiranës, gjatë muajit mars, në këtë galeri, paraqiti instalacionin në formën e video intervenimit performues “Martesa e tyre”.

Bonizzi tregon se idea e ekspozitës lindi kur pa se Pallati i Rinisë dhe Kulturës në Kamzë, po përdorej vetëm për arsye politike e jo kulturore. Ajo, së bashku me grupin “Ata” intervenuan: gurët mbi të cilët shumë pleq uleshin gjithë ditën para pallatit, kërkuan t’i zëvendësonin me kartolina me përmbajtje artistike.

Ky grup aktivistesh nga Kamza, bëjnë aktivitete të ndryshme në vendin e tyre për të ngritur çështje kulturore, politike, e për ta ngacmuar mentalitetin e banorëve.

“Disa e kanë shpërfillë, disa nuk kanë pranuar të shkëmbejnë kartolina më tullën. Diçka që ishte e rëndësishme ishte se ata kërkonin diçka konkrete. Si proces ka qenë shumë i rëndësishëm sepse na ka bërë të mendojmë edhe për aktin martesës, premtimit dhe lidhjes së ngushtë që ke me qytetin ku jeton”,thotë Diana Malaj nga grupi “Ata”.

Arta Bunjaku Agani, nga viti 2016 është drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës (GKK) e gjithashtu mësimdhënëse në Akademinë “Evolucion”, thotë se në shoqërinë tonë gjithmonë kërkohet më shumë prej grave.

Sipas saj, ato duhet ta dëshmojnë veten me një përkushtim më të madh në punë, e po ashtu ta kryejnë rolin e tyre kryesor në familje. Kësaj i ngjitet edhe presioni nga shoqëria e cila pret që femra të duket gjithmonë mirë, ku paraqitja e saj fizike ndikon në vlerësimin personal.

“Edhe pse kam qenë shumë e mirëpritur nga stafi i galerisë, gjatë karrierës time kam pasur raste kur nuk jam paguar njësoj për punën e njëjtë me një mashkull dhe ka pasur raste kur shumë klientë nuk më kanë marrë seriozisht”, shton Agani.

Ajo thotë se përkushtimi për familjen është shumë i rëndësishëm, por ka raste ku kjo del si problem për shumë artiste femra të cilat e lënë përkushtimin e tyre në art.

Një hulumti i Galerisë Kombëtare të Kosovës i kryer në bashkëpunim me institutin “Riinvest”, tregoi se në Fakultetin e Arteve në Prishtinë ka më shumë femra se sa meshkuj. I fokusuar në aspektin se çfarë ndodhë me ato vajza pasi përfundimit të studimeve, hulumtimi po ashtu tregoi se vetëm 50% e tyre vazhdojnë të punojnë në fushën të cilën e kanë studiuar.

Më 25 janar 2019 në GKK u hap ekspozita “Burrneshat” në bashkëpunim me British Council, kur para publikut u paraqitën 14 artiste nga Britania e Madhe dhe 7 artiste lokale.

“Titullin e kësaj ekspozite e kam vendosur të jetë ‘Burrneshat-Perceptimet’ si një koment ironik dhe për të ngritur debat. Fjalë e cila në Shqipëri paraqet ‘Virgjëreshat e betuara’, mirëpo në Kosovë ka një kuptim ndryshe. Fjala është pak a shumë e përdorur si një kompliment për një grua që tregon vendosmërinë, besueshmërinë dhe forcën, tipare të meshkujve e në mënyrë ironike si koncept i kundërshtar nga artistet”, shton drejtoresha dhe kuratorja e ekspozitës Arta Agani.

Ekspozita ka dhënë një narracion duke vënë në pah dy çështje: pozitën e gruas në shoqërinë tonë dhe mungesa e artisteve gra në koleksionet e galerive.

Si ilustrim mund të shërbejë edhe Galeria Kombëtare e Kosovës, ku vetëm 17 prej gjithsej 1,000 veprave që posedon, janë të prodhuara nga artiste femra.

Zake Prelvukaj, artiste dhe profesoreshë e Pikturës në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, një nga pjesëmarrëse në ekspozitën “Burrneshat”, u paraqit me video-instalacionin “Ofshamë”. Si përkrahje simbolike për të gjitha grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, trupi i saj ishte i lyer me katran, një lëndë e lëngshme me ngjyrë të zezë, që me shumë mund e dhembje hiqet nga trupi.

“Kam dashur të hyj në lëkurën e atyre grave dhe t’ju ndjejë dhimbjen e tyre. Duke e hequr katranin kam dashur t’i largoj të gjitha të këqiat dhe paragjykimet. Ajo e zeza – të jenë e gjithë dhimbja që ato e kanë përjetuar”, shton Prelvukaj.

Prelvukaj është e njohur me veprat në të cilat trajton traumat e luftës, perceptimet sociale, trupin e femrës, dhimbjen dhe emocionat njerëzore. Me artin e saj ka provokuar dhe arti i saj ka mbetur si një formë proteste dhe shpërfaqjeje të problemeve njerëzore.

Një segment i kësaj ekspozite ishte edhe hulumtimi i kryer nga Dita Dobranja, hulumtuese e “Riinvest-it”, lidhur me gjendjen e grave artiste në Kosovë. Sipas hulumtimit, 55% e artisteve në Kosovë besojnë se është më e vështirë të jesh artiste grua se burrë, ndërsa 40% e tyre deklarojnë se kanë punë tjetër përveç artit.

Ardijana Binakaj, studente e vitit të dytë në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, thotë se një artiste të re gjatë rrugëtimit jo secili do ta pëlqejë dhe jo secili do ta përkrah artin që e krijon.

“Unë e kam synimin e qartë se çfarë dëshiroj të arrij me artin tim, dhe familja ime është përkrahëse në punën time të cilën e bëj. Gjithmonë ka njerëz të cilët thonë se nuk mundesh të arrish në një pikë, por unë mundohem që t’i tejkaloj këto paragjykime”, thotë Binakaj.

Për Zake Prelvukajn, është e rëndësishme është që edhe të gjitha gratë dhe artistet t’i dalin në krah njëra tjetrës dhe të bëhet një vetëdijësim më i madh në këtë aspekt.

“Nuk ka gjë më të dhimbshme kur sheh se ka gra tjera të cilat mundohen të përulin dhe të bëjnë të këqija, e gjatë karrierës time kam pasur shumë raste të tilla”, thotë Prelvukaj.

Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave (QPDG) nga Drenasi, më 2005 kishte filluar identifikimin dhe rehabilitimin e personave të dhunuar gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Filluan me indentifikimin e vatrave ku kishin ndodhur krimet, duke shkuar prej fshatit në fshat, duke takuar mbijetuarat e këtyre krimeve. Në aktivitet e tyre fillimisht aktivizoheshin vetëm shtatë gra, që takoheshin një herë në javë.

Një ndër aktivitetet ishin edhe produktet artistike artizanale me motive kombëtare të punuara nga viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, si formë për sigurimin e të ardhurave financiare për funksionimin e e qendrës.

“Përmes këtyre veprave anëtaret tona paraqesin të kaluarën e dhimbshme të historisë tonë kombëtare, duke e gërshetuar me forcen e ringritjes drejt të ardhmes. Secili punim bart me vete një histori dhe një tregim për t’u rrëfyer”, thotë Kadire Tahiraj, drejtoreshë e qendrës.

Megjithëse qendra gjatë rrugëtimit të saj u ballafaqua me mungesë fondesh, probleme shëndetësore të viktimave dhe stigmatizim nga shoqëria, arriti të ndihmojë në fuqizimin e shumë grave që të kërkojnë drejtësi por gjithashtu edhe që të pavarësohen ekonomikisht.

RENEA BEGOLLI me Luiza Thaqi, Krenare Rushiti dhe Drenusha Dalipi

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM