Build Skills with our trainings

Sign up now!

Trashëgimia historike/kulturore: Barrë e shoqërisë apo resurs

Pri 12, 2019

Tre fëmijë, të moshës 12 deri 14 vjeçare, Dea Reçica, Liburna Mehmeti dhe Robert Pira, vitin e kaluar krijuan aplikacionin ku përfshihen mbi 40 objekte të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. Aplikacioni, i pari i këtij lloji në Kosovë,  përmban edhe informatat më të rëndësishme për objektet historike dhe kulturore në komunën e Prishtinës, përfshirë edhe disa foto të tyre.

Turistët ose vizitorët e interesuar tani, edhe me ndihmën e GPS-it, mund ta marrin më lehtë informatën për vendndodhjen e një objekti të caktuar, që ata dëshirojnë ta vizitojnë… Aplikacioni mund të shkarkohet në Android dhe IOS, dhe është i përgatitur në  gjuhën shqipe dhe angleze.

Aplikacioni “Trashëgimia Kulturore e Prishtinës”, është rezultat i një bashkëpunimi mes “Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore” në Prishtinë, Ministrisë së Rinisë, Kulturës dhe Sportit  dhe të ashtuquajturës “Shkolla Digjitale”, ku fëmijët mësojnë krijimin e programeve të ndryshme.

Bekim Xhemili, i cili qe 12 vite punon si etnolog në Muzeun Etnologjik i Kosovës, është i vetëdijshëm se kryeqyteti i Kosovës ka shumë pak monumente historike dhe se edhe ajo pak që ka mbetur duhet të ruhet.  Ai thotë se mungesa e shenjave që të çojnë deri tek muzeu është evidente dhe nganjëherë vizitorët vendor e kanë edhe më vështirë për ta gjetur se ata të huaj.

“Ka njerëz që jetojnë këtu afër dhe nuk e dinë që muzeu ndodhet këtu. Nga komuna e Prishtinës deri më tani është bërë shenjëzimi vetëm para hyrjes së objektit, por shenjëzimi për vendndodhjen  e monumentit duhet të bëhet, pse jo nëpër tërë qytetin, për arsye se është një vend me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore të Kosovës”, thotë Xhemili.

Muzeu Etnologjik i Kosovës aktualisht është ndër objektet e rralla të trashëgimisë në Prishtinë, që është i hapur për vizitorët vendor ose turistët e jashtëm. Këtë objekt që është nën mbrojtje të përhershme të shtetit, sipas statistikave çdo vit e vizitojnë mesatarisht rreth 20 mijë vizitorë vendor e të jashtëm. Ky muze që është në kuadër të Muzeut të Kosovës është monumenti më i vizituar në Prishtinë dhe pas shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit, monumenti i dytë më i vizituar ne Kosovë.

Muzeu përbëhet prej 4 objekteve, që i takojnë arkitekturës nga shekulli i 16-të deri në shekullin e 20-të. Objekti kryesor i Muzeut Etnologjik të Kosovës aktualisht është i mbyllur, meqë qe dy vjet është në proces të restaurimit, që mbështetet nga Qeveria e Kosovës.

Arkitekti Arijanit Thaqi konsideron se Prishtina është një qytet “i imponuar” nga tregtarët dhe nuk ka ndonjë monument historik të famshëm që do ta identifikonte si kryeqytetet tjera, që kanë atraksione turistike.

Nga ana tjetër, Sali Shoshi, drejtor i organizatës joqeveritare “Trashëgimia Kulturore pa kufij” konsideron se edhe ajo trashëgimi kulturore e Prishtinës që ekziston sot është e rrezikuar, sepse nuk ka arritur të krijojë tregimin për historinë e vet.

“Prishtina e cila figuron si vendbanim të paktën që 600 vite, të vetmin tregim që mund të tregojë janë 3 xhamitë osmane dhe Muzeu i Kosovës. A në fakt aty ka shumë shtresa të tregimeve që kishin pasur mundësi të tregohen, sidomos periudha moderniste e shekullit XX-të, ose pas vitit 1974, kur është bërë Kushtetuta e Kosovës. Politika, shkenca, kultura, të gjitha janë bërë në Prishtinë, e ato s’mundemi ne me i tregu, sepse s’ka vende ku të tregohen”, shprehet ai.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit vitin e kaluar përditësoi Listën e Trashëgimisë Kulturore. Listës së vjetër të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme iu shtuan edhe 28 asete të reja, dhe tani janë gjithsej 1,595.  Nga ana tjetër, në mbrojtje të përhershme aktualisht janë gjithsej 23 monumente historike dhe kulturore.

Gjatë vitit 2018 MKRS ka miratuar Statutin e Muzeut të Kosovës dhe ka hartuar Udhëzuesin për Shenjëzimin e aseteve të Trashëgimisë Kulturore, Planin e Menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe për Kalanë e Novobërdës (Artanës), si dhe ka planifikuar 30 projekte për rehabilitim, konservim ose restaurim. Prioritet për vitin 2019 mbetet hapja e Ekspozitës Bazë në Muzeun e Kosovës.

Ministria e Kulturës sivjet e ka ngritur buxhetin për mbrojtje të trashëgimisë së kulturës për 3.38 %  krahasuar me vitin e kaluar, dhe tash ka në dispozicion 5,479,961 euro për këtë qëllim.

Në faqen e Ministrisë së Kulturës janë të listuara projektet që janë realizuar në vitin e kaluar, mes tyre edhe tetë projekte në kategorinë e trashëgimisë arkeologjike:Kalaja e Prizrenit, Kalaja e Vuçakut, Kalaja e Dardanës, Kalaja e Keqekollës, Kalaja e Novobërdës, lokaliteti i Dresnikut dhe Kalaja e Marecit.

Në kuadër të trashëgimisë arkitekturore, vjet janë realizuar 13 projekte: Shtëpia e Katarina Josipit në Zym të Hasit, Kulla e Fazli Buqollit në Raushiq, Ura e Gurit në Vushtrri, ish ndërtesa e Rektoratit në Prizren, Shtëpia e Shemsedin Fishekçiut, Shtëpia e Familjes Rada, Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kompleksi i banimit i familjes Xhejshylmedine, Shtëpia e Familjës Puka dhe është ndarë një shumë për Shtatoren e Skënderbeut në Zym të Hasit.

Përgjegjësit e angazhuar direkt ose indirekt në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, edhe kur e kritikojnë mosangazhimin e institucioneve ose neglizhencën janë optimistë se kjo gjendje do të ndryshojë paralelisht me vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e pasurisë shpirtërore, kulturore dhe historike.

Një lloj vetëdijesimi mund të shihet edhe në themelimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, në fillim të vitit 2018, si një mekanizëm për parandalimin e dëmtimit të trashëgimisë kulturore që është evident sidomos kohëve të fundit. Me këtë u plotësua edhe një ndër kushtet e kërkuara për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ky institucion, ndonëse vetëm me tre inspektorë, vetëm gjatë një viti ndërpreu 13 punime të paautorizuara në disa prej aseteve të trashëgimisë kulturore, në Prishtinë 4, Prizren 7 dhe në Deçan 2, dhe paraqiti 6 kallëzime penale e dha 32 rekomandime.

Sipas arkitektit Thaqi, restaurimi i objekteve pa e humbur pamjen e saj reale sot është ndër fushat më të lehta për shkak të zhvillimit të teknologjisë bashkëkohore, ku bëhet regjenerimi i materialeve duke i rikthyer ato në formën e mëparshme. Por ai nuk është i kënaqur me numrin e monumenteve të trajtuara në Kosovë.

“Në Kosovë njerëzit e gabuar ekzekutojnë profesione te gabuara. Për shembull një ekonomist bën specifikimin e monumenteve, një jurist bën arkivimin dhe mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë. Si rezultat nuk u jepet hapësirë kuadrove që janë profesionistë në këto lëmi. Po ashtu, ndërtimet pa planifikim hapësinor kanë ndikuar në humbjen dhe mosatraktivitetin e  monumenteve historike. Kjo gjë është e vërejtshme edhe tek pamjet satelitore në Google Map, ku vetëm në vendet e Ballkanit kemi një shpërndarje të vendbanimeve, objekteve afariste, industrisë etj., të cilat duken si në formë të ‘baktereve’, gjë që ta jep përshtypjen që komplet njerëzimi në këtë zonë është i infektuar me ndonjë virus”, shprehet ai.

Aktualisht, në Fushë Kosovë është në proces gërmimi në Kalanë e Harilaqit, i cili ka filluar në vitin 2005,  kur janë  zbuluar themelet e kalasë, që shtrihet në një hapësirë prej 1,3 hektarësh.  Në fillim, komuna e Fushë Kosovës me mjete vetanake kishte financuar punimet në këtë kompleks arkeologjik, por dy-tre vitet e fundit, situata ka ndryshuar: vjet Ministria e Kulturës ka ndarë 60 mijë euro për punimet në këtë kala.

Zyrtari për Kulturë në Komunën e Fushë Kosovës, Ali Topalli konsideron se investimet që janë bërë e po bëhen në Kalanë e Harilaqit janë me vend, meqë ai është i bindur në potencialin turistik të saj dhe në të ardhmen e afërt e sheh si një ndër pikat më atraktive të trashëgimisë kulturore.

“Jemi në një zbulim epokal për komunën e Fushë Kosovës. Synimi ynë kryesor është që këtë vend arkeologjik ta shndërrojmë në një pikë turistike. E them këtë duke marrë parasysh shtrirjen  gjeografike për faktin se këndej kalon autostrada ‘Rruga e Kombit’, është Aeroporti ‘Adem  Jashari’, janë hekurudhat e Kosovës… Të gjitha këto fakte të bëjnë të mendosh që në të ardhmen ky do të jetë një vend shumë i  këndshëm për vizitorë”, thotë ai.

Ai jep shembullin e ambasadores së Zvicrës,  e cila me të ateruar në Kosovë,  shkoi direkt që ta vizitonte kompleksin arkeologjik të “Kalasë së Harilaqit” dhe u shpreh e mahnitur me pamjen e saj.

Me rivitalizimin dhe shfrytëzimin e monumenteve të trashëgimisë, merret edhe OJQ “Trashëgimia Kulturore Pa Kufij”, e cila kryesisht punon me grante, me Qeverinë Suedeze si donator kryesor, por edhe me mbështetje përmes granteve të Bashkimit Evropian, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, OSCE-së, UNDP-së.

Kjo organizatë që merret me restaurimin e monumenteve të rrezikuara nga dëmtimi, objekteve që dëshmojnë për një periudhë të caktuar historike, të vlefshme edhe për gjeneratat e reja të vjetra, por edhe për rivitalizimin dhe shfrytëzimin e tyre si resurs potencial të zhvillimit.

Ndonëse deri më tani ka restauruar mbi 100 ndërtesa të trashëgimisë kulturore, organizata ndihet krenare sidomos me punën e kryer në Kalanë e Vushtrrisë, ku deri me tani janë mbajtur mbi 700 aktivitete të ndryshme jo vetëm kulturore.

“Trashëgimia sot është njëfarë barre e shoqërisë, ajo nuk është resurs, sepse po të ishte do të na ndihmonte neve ekonomikisht. E në fakt, sot trashëgimia po i merr paratë e taksapaguesve, ato po shkojnë në investime në trashëgimi por nuk po kthehet asgjë”, thotë drejtori i organizatës, Sali Shoshi.

Edhe pse pranon se Ministria e Kulturës e ka një strategji për trashëgimi kulturore, ai pohon se ajo nuk e ka edhe planin si do të implementojë atë.

“MRKS nuk ka kapacitete, shumica (stafi i Ministrisë) janë të pa trajnuar, janë të pareformuar, të pasistemuar. Por, mbi të gjitha nuk ka ndonjë vullnet politik, sepse po të kishte vullnet politik edhe strategjia, edhe reforma edhe trajnimet do të ishin bërë. Ata edhe kur investojnë edhe kur harxhojnë miliona, harxhojnë pa ndonjë ide se çka ka me ndodhë me atë ndërtesë. … Si përfundim gjitha ato miliona janë harxhuar dhe nuk kanë arritur që së paku një lokalitet në Kosovë ta bëjnë funksional. Dhe gjithmonë arsyetimet janë që s’ka buxhet. Në fakt edhe ai buxhet i vogël që është, nuk shpenzohet si duhet”, shprehet Shoshi për KosovaLive.

DIELLZA IMERI me Diana Krasniqi, Agnesa Dema dhe Samire Shala 

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM